TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia30 Maj 2024, 11:35

Dy Pëllumb-at e zinj të Bablokut dhe përralla me Rezolutë Anti-korrupsion e Anti-krim

Shkruar nga Pamfleti
Dy Pëllumb-at e zinj të Bablokut dhe përralla me Rezolutë
Pëllumb Gjoka, Edi Rama dhe Pëllumb Salillari /

Përrallës anti-korrupsion e anti-krim të Edi Ramës, ia heqin maskën profilet e dy miqve e klientëve të tij Pëllumb Salillari e Pëllumb Gjoka, simbole të lidhjes së kryeministrit me korrupsionin, vjedhjet, trafiqet, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar, të mbrojtura e mbështetura prej tij me licenca, leje ndërtimi, investitorë strategjikë, fonde e pasuri shtetërore...

Përveçse është skemë për të kapur SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë, Rezoluta Anti-korrupsion dhe Anti-krim, është përpjekje e Edi Ramës, për të pastruar veten nga super-korrupsioni e lidhjet me krimin, që vazhdojnë të jenë  “programi” i vetëm i pushtetit të tij.

Këtë realitet të zi, Edi Rama po përpiqet ta zbardhë, duke u thënë shqiptarëve të mbetur në Shqipëri, dhe nëpër pallate sporti atyre që kanë ikur nga vendi, se ai është i vetmi kryeministër që nga krijimi i shtetit shqiptar, që po lufton korrupsionin dhe krimin e lidhur me pushtetin.

Fakti, që Edi Rama e përsërit shpesh, përrallën për ndershmërinë e tij në 13 vite ministër Kulture e kryetar Bashkie dhe në 11 vite kryeministër, tregon se përrallën e tij nuk e beson askush e kërkon ta diktojë te shqiptarët.

Për më tepër, që si imazh të anti-korrupsionit e anti-krimit në projektin “Shqipëria 2030”, Babloku po përdorë Noizyn, Elvanën e kokainës, ministrat e krye-bashkiakët që para se të shkojnë në zyra paraqiten në SPAK, ndërsa pas pune takohen me trafikantë e vrasës.

Kësaj lëvizjeje me përrallë anti-korrupsioni e anti-krimi, Edi Ramës ia heqin maskën, dy miqtë dhe klientët e tij: Pëllumb Salillari e Pëllumb Gjoka, simbole të lidhjes së kryeministrit me korrupsionin, trafiqet, përdhunimet, pastrimin e parave, krimin zgjedhor dhe krimin e organizuar.

Dy Pëllumb-at e Bablokut, janë mbrojtur me polici e SHISH dhe janë mbështetur me licenca, leje ndërtimi, fonde e pasuri nga qeveria e PS; me vendime të personalizuara për investime strategjike, koncesione, HEC-e, troje, kulla, resorte, kontrabandë, evazion fiskal, falje taksash.

Njëri është Pëllumb Gjoka, i cili gjatë viteve 2014-2023 mori licenca shërbimesh publike, kazinoje, bastesh, leje ndërtimi, 15 milionë Euro tenderë, kultivoi parcela me drogë, urdhëronte e financonte vrasje, drejtonte bandën e vrasësve me policë, prokurorë e killerë.

Ky Pëllumb i Bablokut, me një histori si drejtues i trafikut të kakoinës e vrasjeve edhe gjatë pushtetit të PS-ës 1997-2005; është “skifteri” që zaptoi 8 mijë m2 plazh me miratim të Bablokut, grabiti 350 mijë m2 toka në Velipojë, iu dhuruan 12 pasuri shtetërore dhe për 10 vite nuk u prek nga policia e drejtësia,  sepse ishte  “i forti” i Bablokut dhe “furnitori” i PS-së.

Prej 27 korrikut, Pëllumb Gjoka, është në burg për grabitje tokash në Velipojë, për porositje e financim vrasjesh dhe krijim dhe drejtim strukturash kriminale, për të cilat nuk e kallëzoi miku i tij kryeministër, por dosja e dërguar nga Franca, Belgjika, Holanda, Gjermania e EUROPOL.

Tjetri është Pëllumb Salillari, që ka marrë 11 koncesione rrugësh e HEC-esh me vlerë 2 miliardë Euro; 130 milionë Euro tenderë rrugësh, ujësjellësish, ndërtimi objektesh e ri-ndërtimi.

Pëllumb Salillari, me vendime të Bablokut, ministrave, drejtorëve e krye bashkiakëve, ka marrë 82 mijë m2 objekte falas, 53 leje ndërtimi për kulla, pallate e resorte; lejohet të ndërtojë pallate pa leje mbi troje shteti  të zaptuara, shkatërron shtretërit e lumenjve dhe zonat e mbrojtura.

Por Pëllumb Salillari, i dënuar për përdhunim, që Babloku e puth në kokë pas çdo leje ndërtimi e tenderi; ndryshe nga Pëllumb Gjoka, po lihet i lirë të vazhdojë krimet dhe nuk preket nga drejtësia, megjithëse ka 7 kallëzime në prokuroritë Tiranë, Berat, Durrës e 5 kallëzime në SPAK.

Mjafton aktiviteti korruptiv e kriminal, i këtyre dy Pëllumb-ave të zinj gjatë pushtetit “Rilindja”, për të zhbërë demagogjinë e Edi Ramës me Rezolutën Anti-korrupsion e Anti-krim, mbasi siç thotë populli, “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”./Pamfleti

dy pëllumbat e zinj babloku rezoluta

Lini një Përgjigje