TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia28 Maj 2024, 16:53

Dosja “Santo”/ Fushë-Kuqja nuk ishte bazë vetëm e Ervis Martinajt, por edhe e Durim Bamit!

Shkruar nga Pamfleti
Dosja “Santo”/ Fushë-Kuqja nuk ishte bazë vetëm e
Durim Bami

Pas përgjimeve të SKY në dosjen ‘Metamorfoza 3’ duket se dosja e Santos është rikthyer sërish në tavë të nxehtë, ku disa personazhe mjaft të njohur të politikës dhe biznesit janë trembur nga frika se do të digjen...

Më 26 Qershor 2014 ndodhi vrasja e bankierit Artan Santo në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Lidhur me këtë ngjarje që tronditi të gjithë vendin, po vijon të diskutohet dhe në ditët e sotme.

Dy persona të maskuar me një motoçikletë i bënë pritë makinës së bankierit Santo duke e ekzekutuar në vend, pak para se ai të ndalonte para ambienteve të bankës që drejtonte. Artan Santo u vra me një mesazh të fortë mafioz para zyrës së tij, duke trazuar nga themelet strukturat shtetërore dhe tregun financiar shqiptar. Interesa e transaksione dhjetëra miliona euro. Privatizime dhe histori mosmarrëveshjesh plot mister.

Por kush e donte të vdekur Artan Santon dhe cilat janë pistat kryesore të hetimit?

Sigurisht që në lojë ishin interesa që ndërthurnin politikën, biznesin dhe botën e krimit, të kontraktuar për ta kryer këtë vrasje. E pikërisht emrat që kishin dijeni dhe sipas informacioneve ishin direkt të përfshirë në këtë ngjarje, ishin edhe disa personazhe të dosjes ‘Metamorfoza 3’. Asokohe ‘Banda e Niklës’ u vu nën akuzë dhe siç konstatohet në dosjen hetimore, dy prej pjesëtarëve të këtij grupi janë mbajtur nën vëzhgim. Bëhet fjalë pikërisht për Durim Bamin dhe Marklen Hakën. Më pas, policia ushtroi kontrolle edhe në një zonë të njohur si baza e disa prej personazheve më të lakuar të botës së krimit, ku ishte e qartë se të implikuar ishin personazhe që e njihnin mirë territorin.

Referuar dosjes hetimore, prokuroria ka pasur të dyshuar edhe ‘Mbretin e lojërave të fatit’, Ervis Martinajn. Gjatë kontrolleve në disa magazina në zonën e Fushë-Kuqes, u gjetën dy skafandra, që u dyshua se i përkisnin ekzekutorëve të Artan Santos. Disa familjarë të Martinajt u shoqëruan dhe u morën në pyetje, por u lanë të lirë dhe prokuroria mbylli hetimet për Ervis Martinajn duke mosprovuar implikimin e tij në këtë ngjarje.
U mor në pyetje edhe Kujtim Çela, vëllai i baronit të drogës Gëzim Çela. Dhjetëra forca policie zbarkuan në Fushë-Kuqe duke ushtruar pika kontrolli pas dyshimeve se vrasësit e Santos u strehuan aty.

Sipas informacioneve zyrtare, personi që ka kryer qitjen është rrëmbyer dhe më pas është zhdukur. Bëhet fjalë për Enver Stafukën, një personazh i përfshirë në dhjetëra vrasje. Ishin pikërisht familjarët e Enver Stafukës që bënë përgjegjës kryesor Durim Bamin për zhdukjen e tij. Bami njihet si një prej krerëve të bandës së Niklës. Policia e di që Durim Bami është “shef kuadri dhe bankier” i bandës së Niklës, ku bën pjesë edhe fisi Rraja por e la të arratiset. Bami i Tom Doshit, pasurohet me të ardhura nga “biznesi” që bënë me kobure, dinamit, kërcënime, trafiqe, gjobvënie, plaçkitje pasurish dhe si bosi i vrasjeve me pagesë. Enver Stafuka ishte pjesëtar i bandës së Niklës, me shef Durim Bamin.

Sipas informacioneve nga Policia e Shtetit, Fushë-Kuqja nuk ka qenë bazë e vetëm Ervis Martinajt, por edhe e Durim Bamit. Ky personazh kishte nën patronazh një grup qitësish nga zona e Fushë-Kuqes e deri në Nikël të cilët i trajnonte në një moshë fare të re.

Pas përgjimeve të SKY në dosjen ‘Metamorfoza 3’ duket se dosja e Santos është rikthyer sërish në tavë të nxehtë, ku disa personazhe mjaft të njohur të politikës dhe biznesit janë trembur nga frika se do të digjen.

A u hap kjo dosje për të bërë fajtor një të zhdukur si Ervis Martinaj, me qëllim mbylljen e hetimeve për ‘killerin’ Durim Bami e për rrjedhojë edhe shpëtimin pa u lagur të krerëve të politikës e biznesit?

Vrasja e bankierit Artan Santo është një nga ngjarjet më të rënda kriminale në këto 30 vite pluralizëm me prapavijë politike dhe nuk duhet trajtuar si çështje që i takon trafikut të drogës dhe prishje e interesave të bandave. Bandat kanë kryer vetëm ‘punën’ …po porositësi kush është? /Pamfleti

Lini një Përgjigje