TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia31 Maj 2024, 11:28

Goditja e Avokatit si provë e një shteti të kriminalizuar

Shkruar nga Pamfleti

Goditja e Avokatit si provë e një shteti të kriminalizuar

Tre aksionet “Metamorfoza”, vërtetuan me emra e prova konkrete, se shteti nuk e godet krimin, mbasi vetë krerët e shtetit, të politikës, qeverisë, biznesit, policisë e drejtësisë, janë të lidhur me krerët dhe bandat e krimit...

Profesori i drejtësisë e njëherazi avokat Sokol Mëngjesi, u masakrua në pikë të mëngjesit, në portën e kopshtit të fëmijës te zona e ish-Bllokut, nga 4 horra pa maskë e në prezencë të shumë qytetarëve, duke tmerruar e irrituar gjithë shoqërinë.

Duhet përshëndetur fakti, që policia e zbardhi në kohë rekord këtë akt të rëndë dhune.

Por ka një rekord alarmues, që ngjarje shtazarake në mjediset publike, kanë ndodhur e janë parë shpesh në zonën e ish-bllokut, në zyra mediash, spitale, gjykata, shkolla, biznese e qendra banimi, me autorë kriminelë, fëmijë politikanësh e biznesmenësh të lidhur me krerët e pushtetit.

P.sh., më 3 tetor 2023 në hyrje të redaksisë në qendër të Tiranës, editori i “Pamfleti”-t, Gjergj Zefi, u sulmua fizikisht pas shpine me sende të forta për shkak të detyrës, që për të, detyrë është fjala e lirë në media.

E sulmuan disa persona, të paguar dhe të vërsulur nga krerë bandash e biznesmenë të lidhur me krerët politikë; të denoncuar me prova për miliona euro që marrin nga tenderët e licencat, në pazare me pushtetarët dhe për përfshirje në vjedhje votash, trafiqe, kontrabandë e vrasje.

Policia megjithëse e di nga erdhi sulmi nuk arriti ta zbardhë këtë krim.

Ditën e mërkurë, në mes të ish-Bllokut në Tiranë, 4 persona sulmuan fizikisht dhe masakruan me sende të forta profesorin e drejtësisë, avokatin Sokol Mëngjesi; madje aq barbarisht, sa edhe i shtrirë përtokë me kafkë të çarë e pa ndjenja, ata vazhdonin e qëllonin me shkelma.

Referuar shumë rasteve të tilla, deri me plagosje e vrasje gazetarësh, mjekësh, avokatësh, biznesmenësh e madje dhe policësh, dilet në konkluzionin, se krimi i ra kokës avokatit Sokol Mëngjesi e krejt avokatëve, sepse shteti në Shqipëri, nuk po i “shtyp kokën” krimit.

Tre aksionet “Metamorfoza”, vërtetuan me emra e prova konkrete, se shteti nuk e godet krimin, mbasi vetë krerët e shtetit, të politikës, qeverisë, biznesit, policisë e drejtësisë, janë të lidhur me krerët dhe bandat e krimit.

Shteti nuk i godet krerët dhe bandat e krimit, kur masakrojnë gazetarë, avokatë, mjekë, pedagogë e zyrtarë shteti; kur vjedhin banka, grabisin pasuri me dhunë, përdhunojnë, rrahin publikisht njerëz që kërkojnë drejtësi, kur rrëmbejnë e zhdukin me pagesë, kultivojnë e trafikojnë drogë.

Ata që sigurojnë vota për partinë në pushtet dhe janë miq e klientë të kryeministrit, kryetarit të kuvendit, ministrave, oligarkëve shefave të policisë e drejtësisë nuk preken fare, deri kur shteti detyrohet nga partnerët ndërkombëtarë, t’i prangosë e të mos i lirojë./Pamfleti

goditja e avokatit shtet i kriminalizuar

Lini një Përgjigje