TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia17 Korrik 2023, 10:24

Pse Prokuroria e Tiranës nuk e çon në SPAK dosjen e grabitjes së pronave në Bërxullë si grup kriminal?

Shkruar nga Pamfleti
Pse Prokuroria e Tiranës nuk e çon në SPAK dosjen e grabitjes
Tirana

Po kush janë prokurorët që po mbajnë peng dosjen e grabitjes së pronave në Bërxullë?

Disa dosje penale mbahen të hapura në Prokurorinë e Tiranës për grabitjen dhe tjetërsimin e pronave publike dhe private në Komunën Bërxullë, që përfshin një nga zonat më të lakmueshme për biznes dhe zhvillim, mes Tiranës dhe Vorës.

Edhe pse ekzistojnë fakte penale dhe të gjitha elementët për grup të strukturuar kriminal, prokurorët e Tiranës po mbajnë pezull hetimet, duke ngritur dyshime të forta për pazar me grabitësit e pronave në kurriz të viktimave të grabitura (pronarë realë të pronave) dhe interesit publik.

Pas konfirmimit të tjetërsimit të pronave me dokumente false dhe shfrytëzimit për pastrim parash duke ndërtuar resorte, magazina, hotele, fabrika etj., si dhe numrit të madh të ish zyrtarëve, biznesmenëve dhe trafikantëve të implikuar në bashkëpunim, prokurorët duhet ta referonin dosjen në SPAK.

Por çfarë po ndodh?

Prokurorët e çështjes as nuk kërkojnë sekuestrimin e pronave të grabitura dhe masë arresti për të implikuarit dhe përfituesit, as nuk e referojnë dosjen në SPAK, por as nuk i kërkojnë gjykatës mbylljen e çështjes, pasi vështirë të gjendet një gjykatës të firmosë pushimin e kësaj çështje, pavarësisht parave që mund të hedhë grupi kriminal.

Minimalisht, prokuroria duhet të kërkonte sekuestrimin e pronave të grabitura.

Pronat publike dhe private janë grabitur me dokumente false, duke kaluar dorë më dorë, me kontrata fiktive për të kamufluar origjinën. Mbi to janë ngritur ndërtime me leje dhe pa leje, biznese, fabrika, resorte dhe hotele, me para të dyshimta nga bosë droge, korrupsioni me tenderë dhe pastrimi parash.

Në krye të grupit dyshohet se qëndron ish kryetari i Komunës Bërxullë, sot Njësi Administrative e Vorës, Ymer Marku, i cili ka bërë kërdinë gjatë ushtrimit të detyrës, duke kaluar sipërfaqe të mëdha tokash në emrin e njerëzve të tij të afërt. Dora e Markut është Sakip Domi, me profesion topograf pranë ish-komunës së Bërxullës.

Vetëm në zonën kadastrale nr. 1167 janë identifikuar 10 raste të grabitjes së sipërfaqeve të mëdha pronash me dokumente false.

Dëshmitë, ekspertizat, ballafaqimi i dokumenteve, hartat, dokumentet origjinale etj., tregojnë grabitjen e pronave.

Po kush janë prokurorët që po mbajnë peng dosjen e grabitjes së pronave në Bërxullë?

Janë përballur apo jo me Vettingun?

Çfarë lidhjesh kanë dhe cilat janë arsyen që nuk zbatojnë ligjin në mënyrë të barabartë për të gjithë? (Vijon...)/Pamfleti

 

prokuroria e tiranës berxullë spak grabitja e pronave

Lini një Përgjigje