TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Korrik 2023, 10:32

6 dosje penale për grabitjen e pronave në Bërxullë; kush është Sakip Domi, që falsifikoi letrat dhe si u dogj qëllimisht arkivi

Shkruar nga Pamfleti

 

6 dosje penale për grabitjen e pronave në Bërxullë; kush
Grabitja e tokave të Bërxullës

Pse drejtësia nuk po e godet grupin kriminal të pronave në Bërxullë të Tiranës?!

Të paktën 6 dosje penale mbahen të hapura në Prokurorinë e Tiranës për grabitjen dhe tjetërsimin e pronave publike dhe private në Komunën Bërxullë, që përfshin një nga zonat më të lakmueshme për biznes dhe zhvillim, mes Tiranës dhe Vorës.

Nga dëshmitë dhe fashikujt hetimor rezulton se grupi kriminal ka djegur dokumentet e vjetra pronësore, me qëllim për të mbuluar grabitjen e pronave.

Pronat janë grabitur me dokumente false, duke kaluar dorë më dorë, me kontrata fiktive dhe për të kamufluar origjinën. Mbi to janë ngritur ndërtime me leje dhe pa leje, biznese, fabrika, resorte dhe hotele, me para të dyshimta.

Vetëm në zonën kadastrale nr. 1167 janë identifikuar 10 raste të grabitjes së sipërfaqeve të mëdha pronash me dokumente false.

Si në kallëzimet penale, ashtu edhe nga hetimet më elementare, ka dalë zbuluar grupi kriminal që ka tjetërsuar pronat në Bërxullë.

Duket e çuditshme se pse prokurorët e Tiranës nuk po godasin me urdhra ndalimi dhe sekuestrime grupin kriminal.

Ndërsa SPAK sekuestroi menjëherë bazën ushtarake të Sarandës që Olta Xhaçka dhe Anila Denaj i dhanë Tan Dulakut, Prokuroria e Tiranës nuk zbaton një standard të tillë që parashikohet nga legjislacioni penal kur konstatohen elementë të veprës penale.

Nisur nga veprimtaria e gjatë në kohë e këtij grupi, organizimi, veprimi dhe pasojat e rënda të veprimit kriminal, dosja duhet të kalonte në kompetencë të SPAK-ut.

Në krye të grupit kriminal dyshohet se qëndron ish kryetari i Komunës Bërxullë, sot Njësi Administrative e Vorës, Ymer Marku, i cili ka bërë kërdinë gjatë ushtrimit të detyrës, duke kaluar sipërfaqe të mëdha tokash në emrin e njerëzve të tij të afërt.

Pas Ymer Markut qëndron një grup masiv ish zyrtarësh, me implikime konkrete, si zyrtarë të zyrave të regjistrimit të pasurive, ish funksionarë të ish Komunës Bërxullë, noterë etj.

Nyja e këtij grupi është Sakip Domi, me profesion topograf pranë ish-komunës së Bërxullës. Domi është bashkëpunëtori kryesor i Ymer Markut në vjedhjen e pronave. Sakip Domi ka realizuar pjesën më të madhe të praktikave të falsifikuara dhe mbivendosura të pronave, për llogari të Ymer Markut dhe njerëzve të tij.

Sipërfaqe të mëdha pronash kanë kaluar edhe në emrat e Tahir Cena dhe Fidarie Cena, lindur në Kukës. Që të dy janë figurantë pasi pas tyre fshihet Ymer Marku. Tahir Cena është djali i dajës së Ymer Markut. Ky i fundit u ka grabitur tokat disa banorëve dhe i ka kaluar në emrin e djalit të dajës, Tahir Cena.

Më pas, në vitin 2014, shfaqet Arbër Abazi, përfitues i tenderëve publikë me vlerë dhjetëra milionë euro.

Tahir dhe Fidarie Cena i shesin Arbër Abazit një sipërfaqe prej 10 800 m2 tokë. Kështu prona e grabitur nga Ymer Marku përfundon në duart e Arbër Abazit, i cili po planifikon ndërtime, për të pastruar miliona euro para korrupsioni.

Ky është vetëm një nga rastet që po hetohen nga Prokuroria e Tiranës. Kjo praktikë grabitje është zbatuar masivisht me pronat nga QTU-ja deri në Rinas.

Një skemë e tillë është zbatuar edhe për grabitjen e pronave të Spillesë, Velipojës, “Ranës së Hedhun” në Shëngjin, “Tale” të Lezhës, Sarandë, Vlorë, Gjiri i Lalzit etj./Pamfleti

sakip domi grabitja e pronave në bërxullë

Lini një Përgjigje