Biznesmeni që thoshte se punon me ministrin e Brendshëm, është pjesë bandës “Zamir Balliu” të kontrabandës së hekur-nikelit dhe makinave, i njohur me Bledi Çuçin në vitet 2000-2001 kur ishte Kancelar i Gjykatës së Tiranës dhe i ndihmoi për t’i shpëtuar burgut, ndërsa pas vitit 2013 morën falas koncesionin e fidanishtes 10 mijë m2 pronë shteti e nuk paguajnë taksa...
Fakte të shumta dalin, sa herë investigon për lidhjet, aktivitetin personal dhe bizneset e mafiozit “të heshtur” Eral Myftaraj nga Gramshi, i cili me fuqinë e ish- ministrit Bledar Çuçi, është futur në elitën e trafikantëve dhe të oligarkëve, duke marrë deri tani 50 milionë Euro tenderë.
Por sipas dokumenteve, Eral Myftaraj, rezulton se para 9 vitesh ka marrë një pasuri shtetërore falas me afat 35 vite, si koncesion për kultivimin, rritjen dhe tregtimin e fidanëve të çdo lloji, dhënë me vendim të kryeministrit Edi Rama, të ish-ministrit Lefter Koka e pëlqim të Bedar Çuçit, ish-Ministër i Pushtetit Lokal, ngaqë prona ishte e Bashkisë Cërrik.
Bëhet fjalë për PPP-në “ALMEX GREENWOOD” të fidanishtes shtetërore të qytetit të Cërrikut, dhënë firmës “AL-MEXWOOD” 100% në pronësi të Eral Myftaraj, i cili e deklaron vetë në çdo takim, se 4 kompanitë i ka në ortakëri me Bledar Çuçin, mes tyre edhe PPP-Fidanishten.
Me vendim qeverie dhe Urdhër Nr. 9382/1, datë 11 shtator të Ministrisë së Mjedisit, fidanishtja me sipërfaqe 10 mijë m2 i është hequr Bashkisë së Cërrikut dhe i është dhënë për 35 vite, mafiozëve Eral Myftaraj, Zamir Balliu e Etnik Sopoti, ndërsa pas dy vitesh, më 28 shtator 2016, Eral Myftaraj u bë 100% pronar i PPP me shitje 26 mijë lekë të 50% aksione.

Sa për saktësim, biznesmeni që thotë se punon me ministrin e Brendshëm, është pjesë e bandës “Zamir Balliu” të kontrabandës së hekur-nikelit, makinave, prerjes së pyjeve e kultivimit të drogës, të njohur e lidhur me Çuçin në vitet 2000-2001 kur ky i fundit ishte kancelar i Gjykatës së Tiranës dhe u forcua miqësia pas vitit 2013, kur i ka shpëtuar 4 herë nga burgu (do flasim në vijim).
Krimi në këtë PPP, është fakti se 9 muaj para dhënies me koncesion (janar 2014), fidanishtja e Cërrikut u financua 400 mijë Euro nga qeveria turke dhe investimi u inaugurua nga Edi Rama, ndërsa 3 muaj para dhënies me koncesion, qeveria shqiptare investoi edhe 1.1 milionë Euro.

Por me VKM Nr. 611, datë 17.9.2014, kryeministri Edi Rama, me kërkesë të Bledar Çuçit- Ministër i Pushtetit Lokal, miratoi fondin e ndihmës 875 milionë lekë, dhënë bosit të fidanishtes së Çërrikut, Eral Myftaraj në vitin 2016 e 2018.
Ky financim dhënë privatit, u motivua si investim për të prodhuar 3.5 milionë fidanë, për pyllëzimin nga Ministria e Mjedisit dhe bashkitë, të cilat ortaku i Çuçit nuk i prodhoi kurrë; madje më 4 maj 2021, Çuçi i dha edhe një tender 1.2 milionë lekë, për gjoja gjelbërimin i zyrave të Agjencisë së Qeverisjes Lokale në Ministrinë e Brendshme.
Sipas kontratës 35-vjeçare, mafiozi Eral Myftaraj, është përjashtuar nga taksat, por ka detyrim t’i japë shtetit 2% të fitimit vjetor në vlerë financiare, ose në klering me fidanë, mirëpo gjatë 9 viteve aktivitet nuk i ka dhënë as 1 qindarkë e as 1 gjethe.
Bën bilance sikur gjoja ka humbje, sikur ka fitim minimal e gjoja u ka 700 milionë lekë borxh furnitorëve të lëndëve të para, madje nuk paguan as taksën e 10 mijë m2 tokë sera, të vilave të ndërtuara brenda saj dhe asnjë tatim për 3 bizneset që ka hapur ilegalisht brenda fidanishtes.
E lejon shteti, sepse mafiozi Eral Myftaraj nga Gramshi, thotë që është ortak me Bledi Çuçin, ish-Ministrin e Pushtetit Lokal, të Bujqësisë dhe Ministrin e Brendshëm ende në detyrë; deklaratë që besohet mbasi Çuçi nuk e ka mohuar.
NË VIJIM/ Do publikojmë fakte, nga 5 raportet që kanë dërguar SHISH, Anti-krimi e Anti-droga të Policia e Shtetit dhe te kryeministri Edi Rama, për shitje fare droge dhe kultivim e shitje të fidanëve të drogës, brenda serave të fidanishtes koncesionare në Cërrik e krime të tjera më tenderët, por policia nuk ka vepruar, megjithëse edhe tani, në fidanishte ka fidanë droge e thasë me fara të saj./Pamfleti
Lini një Përgjigje