
Pas gurores së Përparim Rrajës dhe dhunës barbare qëndrojnë fije korrupsioni, lidhje trafiqesh, biznese të dyshimta, ndikime të paligjshëm dhe kapje të drejtësisë...
Kushërinjtë Bilbil Maja dhe Jashar Maja u dhunuan në mënyrë barbare nga anëtarë të fisit të deputetit socialist, Rrahman Rraja, dy ditë më parë, në një lokal në aksin pranë Thumanës.
Shkak i dhunës ishte ankesa e dy kushërinjve Maja për shpërthimin e minave në një gurore në Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëri i deputetit Rrahman Rraja. Dy kushërinjtë Maja ishin ankuar se nga shpërthimi i minave u rrezikoheshin banesat.
Në aktin e dhunës ka marrë pjesë djali i deputetit, Rexhep Rraja, i arrestuar më parë për përdhunimin dhe djegien me cigare të ish të dashurës Xhisiela Malokut, por pjesë e grupit ishin edhe dy vëllezërit e deputetit, Flamur dhe Xhelal Rraja.
Angazhimi i djalit dhe dy vëllezërve të deputetit Rrahman Rraja ngre dyshime të forta se gurorja mund të jetë një biznes i përbashkët fisnor, por le të ndalemi tek disa fakte konkrete.
Pas gurores së Përparim Rrajës dhe dhunës barbare qëndrojnë fije korrupsioni, lidhje trafiqesh, biznese të dyshimta, ndikimi të paligjshëm dhe kapje të drejtësisë.
Rraja pjesë e trafikut të drogës (u hoq nga dosja)
Më 30 Shtator 2014, tek “Rana e Hedhun”, midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Guardia Di Finanza, panë të hidheshin nga një mjet lundrues në det, çanta të zeza në përmasa të mëdha. U tentua të trafikoheshin 780 kilogramë kanabis sativa.
Ishte një nga aksionet më të bujshme anti-drogë. Sipas dokumenteve, koka e grupit ishte Bardhok Pllanaj, me Përparim Rrajën krah të djathtë. Në kërkim u shpall edhe Idrit Rraja, pjesë e fisit Rraja.
“Në dalje të Velipojës, shërbimet e policisë kontrolluan edhe automjetin tip furgon ‘’Ford tranzit’’ me targë 03D26665, drejtuar nga Gjeto Çekaj, bashkë me të cilin udhëtonin edhe Përparim Rraja e Bardhok Pllanaj. Gjatë kontrollit dyshemeja ishte me pluhur rëre, në gomën rezervë u gjetën 4 rrota natribani të pahapura, 2 të përdorura dhe 5 palë doreza, 3 tuba qeseje të tejdukshme për paketime si dhe në xhep të derës u gjetën 3 palë doreza”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Çfarë ndodhi? Një vit më vonë (2015), Prokuroria e Krimeve të Rënda çoi në gjyq 5 të pandehur, por mungonin pikërisht Përparim Rraja dhe Bardhok Pllanaj, i cili u ekzekutua në Shkodër, në prill të vitit 2021.
Mbetet mister se si Pllanaj dhe Rraja u përjashtuan nga hetimi. Nga dosja u hoq edhe Idrit Rraja, lidhje me Përparim Rrajën.
Në gjykatë u dërguan vetëm Detjon Mehmetaj, Çimi Brahimi, Gentjan Sulo, Fero (Eduart) Dervishaj dhe Fatjon Hoxhaj, të akuzuar nga prokuroria për “Trafikim i narkotikeve”, në bashkëpunim mbetur në tentative.
Pak muaj me vonë, në media u publikua një dokument “Top Sekret” i Grupit të Operacioneve Speciale, që implikonte Deputetin Mark Frroku në këtë operacion.
Sipas dokumentit, ai kishte strehuar në makinën e tij një anëtar të grupit të trafikantëve, Bardhok Pllanajn dhe nuk kishte lejuar policinë që ta kontrollonte mjetin e ta arrestonte të kërkuarin.
Pllanaj u arrestua dhe u lirua më vonë, ndërsa emri i Përparim Rrajës u fshi gjatë hetimeve. Ndëshkimit i shpëtoi edhe koka e tretë R. Ç, që mblidhte drogën në zonën e Tepelenës dhe Vlorës, ku e trafikonte drejt Italisë, përmes Lagunës së Vilunit.
Për devijimin e hetimeve tek ushtarët besohet se janë hedhur qindra mijëra euro, siç edhe është konfirmuar edhe në raste të tjera nga hetimet e autoriteteve italiane.
Kompania e gurores
Nga verifikimet rezulton se Përparim Rraja e ka blerë kompaninë e gurores Doku P, në korrik të vitin 2012. Aksionet e kompanisë që ishte shkak i dhunës ia bleu shtetasit Pëllumb Doku për rreth 100 mijë euro.
Nuk dihet burimi i 100 mijë eurove të Përparim Rrajës, por kompania nisi të lulëzojë pas vitit 2013 dhe sidomos pasi Rrahman Rraja u bë deputet në 2017.
Kompania rezulton se kishte marrë leje për shfrytëzimi për gurore të një sipërfaqeje në zonën e Krujës në vitin 2009 nga dikasteri që në atë kohë drejtohej nga Genc Ruli.
Në vitin 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në atë kohë me në krye Damian Gjiknurin, nisi procedurat për revokimin e lejes, pasi kompania e Rrajës nuk kishte zbatuar kushtet për rehabilitimin e mjedisit, duke mos kryer asnjë investim në zonën që kishte shfrytëzuar për gurin gëlqeror.
Në regjistrat publikë, kompania Doku P rezulton se kishte fituar vetëm një leje shfrytëzimi për gur gëlqeror. Ndërkaq, në regjistrin e fundit të përditësuar me kompanitë që kanë leje aktive shfrytëzimi në të gjithë Shqipërinë, nuk figuron kompania Doku P.
Edhe pse kishte një vendim ministri për t’i revokuar lejen që në vitin 2018, kompania Doku P vijonte shfrytëzimin e zonës për gur gëlqeror, tashmë duke rrezikuar edhe banesat private.
Pas 5 vitesh nuk dihet nëse ka një vendim për revokimin e lejes së shfrytëzimit për gur gëlqeror të kompanisë Doku P të Përparim Rrajës dhe nëse Rraja vijonte shfrytëzimin në mënyrë të ligjshme.
Kujtojmë që në kohën kur Damian Gjiknuri mori vendimin për revokimin e lejes, Rrahman Rraja ishte zgjedhur deputet në listat e PS-së. U mbetet organeve ligjzbatuese për të parë rrethanat se si Rrajat vijonin biznesin me gurin gëlqeror pa zbatuar kushtin e investimit për rehabilitimin e mjedisit.
Kompania Rraja Ndërtim nënkontraktor i Bashkim Ulajt
Në vitin 2021, Përparim Rraja themelon kompaninë Rraja Ndërtim, duke investuar paratë në ndërtim. Në vitin 2022, aksionet i kalon në emrin e të birit Ineidi Rraja, i cili u arrestua si pjesë e grupit që dhunoi dy kushërinjtë Maja dy ditë më parë.
Duket se këtë kompani Përparim Rraja e ka krijuar vetëm për një qëllim: Për të marrë pjesë si nënkontraktor i kompanisë Gener 2 të Bashkim Ulajt për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar, për të cilin ka protesta nga banorët për shpronësimet.
Nga verifikimet rezulton se Gener 2 ka nënkontraktuar kompaninë “Rraja Ndërtim” SHPK, për kryerjen e punimeve Laknas-Kashar. Ndërkaq, Rraja Ndërtim ka kontraktuar kompaninë “ALEKSI CONSTRUCTION”, në pronësi të M. A për të kryer punimet. Duket qartë se Rraja është futur në lojë vetëm për të marrë para pa bërë asgjë.
Vrasje, plagosje, drogë dhe biznese
Redian Rraja dhe Ramazan Rraja akuzohen për vepra shumë të rënda penale, që nga atentati ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja e deri tek trafiku i narkotikëve në vendet e Bashkimit Europian.
Redian Rraja doli edhe në kallëzimin që ka bërë ish-oficeri i policisë në Komisariatin e Fushë-Krujës Emiliano Nuhu për çështjen e Xhisiela Malokut, e cila denoncoi Rexhep Rrajën, djalin e deputetit, se e dhunonte dhe përdhunonte. Fisi Rraja e ka dhunuar Xhisielën që të mos bënte denoncim edhe në sy të policisë.
Emiliano Nuhu tregonte se ka komunikuar me Redian Rrajën nëpërmjet mesazheve dhe më pas edhe fizikisht në një lokal diku te Unaza e Re afër ‘Astrit’, ku është kërcënuar me jetë.
Redian Rraja u arrestua dhe u dënua nga Gjykata në vitin 2017 me 8 muaj burg si i përfshirë në vrasjen e Elton Çiçës. Rraja akuzohej për fshehjen e provave të vrasjes së mikut të tij, i cili mbeti viktimë.
Ndërkaq, Nuhu ka pohuar se vëllezërit e deputetit Rrahman Rraja, Flamur dhe Xhelal Rraja, e kanë kërcënuar në zyrë me pistoletë. Sipas tij, Xhelal Rraja ka një histori droge, tritoli dhe vrasje me pagesë në vitin 1997.
Xhelal Rraja rezulton se ka në pronësi edhe një “Person Fizik”, me emrin e tij dhe që ka aktivitet “Hotel, bar-restorant dhe ambalazhim valixhe për udhëtarë”, me adresë afër aeroportit Rinas.
Ndërsa, Flamuri ka në pronësi kompaninë “Sara Autogrill”, pranë ish-Fabrikës së Tjegullave. Biznesi është regjistruar në vitin 2008 dhe ka objekt të veprimtarisë së saj “Tregtim me pakicë i karburanteve, gazit, etj, Servis makinash. Hotel. Grumbullim dhe tregtim të frutave e perimeve në kushte frigoriferike”.
Ramazan Rraja, djali i Xhelal Rraja ka në pronësi kompaninë “Rraja -2013”, me objekt të aktivitetit të saj “Importimi dhe tregtimi me shumicë e pakicë i produkteve të industrisë kimike për mbrojtjen e drurëve, stazhionimin e lëndës drusore, mbrojtjen e gjysmë-produkteve drusore dhe produkteve përfundimtare të drurit etj…”.
Rexhep Rraja, djali i deputetit Rrahman Rraja, rezulton bashkëpronar me 50 për qind të aksioneve në kompaninë “Digitel”. Rexhep Rraja, ka në ponësi edhe magazina frigoriferike me 100 mijë euro që i ka marrë si dhuratë nga babai deputet Rrahman Rraja si dhe fonde nga Ministria e Bujqësisë.
Shpëtim Rraja është babai i Andi Rraja, i arrestuar gjithashtu për dhunën ndaj dy kushërinjve Maja. Shpëtimi ka në pronësi kompaninë “Erandi”, e cila ka objekt të veprimtarisë së saj “shitblerje artikuj të ndryshëm me shumicë dhe pakicë, artikuj industrial, lubrifikantë, ndërtimi, ushqimore, prodhim dhe tregtim artikuj druri, konstruksion metalik, shërbime të ndryshme, import-eksport, servis dhe lavazh. Transport mallrash dhe pasagjerësh, tregti karburanti me pakicë, tregti gazi i lëngshëm me pakicë, bar restorant-hotele etj.
Ervis Rraja, djali i Shpëtim Rrajës dhe vëllai i Andi Rrajës, ka në pronësi një “Person fizik” me emrin e tij, i cili ka objekt të veprimtarisë ekonomike “Tregti pjesë këmbimi dhe aksesorë automjetesh me pakicë, të reja dhe të përdorura. Servis auto. Punime mekanike. Import mallra industriale & pjesë këmbimi automjete. Shitje-Blerje & dhënie me qira automjete”.
Ndërsa Redian Rraja, i njohur si ‘Dentisti’ ka në pronësi klinikë dentare. Deputeti Rrahman Rraja ka në pronësi të tij dhe të familjarëve vila, sipërfaqe toke, magazina dhe biznese./Nami.al
Lini një Përgjigje