TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia16 Shkurt 2024, 10:08

Për pallatin pa leje, prokuroria nuk procedoi Pëllumb Salillarin, por hyzmeqarët e tij

Shkruar nga Pamfleti
Për pallatin pa leje, prokuroria nuk procedoi Pëllumb Salillarin, por
Klienti i Bablokut, Pëllumb Salillari /

Paprekshmëria e Pëllumb Salillarit, tregon se paraja dhe fuqia e mafies qeveritare, vazhdojnë të komandojnë dhe drejtësinë e re; madje Pëllumb Salilari, është aq e lidhur në pazare e interesa të zeza me kryeministrin Edi Rama, sa pallati që iu konfiskua e ri-bleu me 10% të vlerës së tregut...

Prokuroria e Tiranës njoftoi më 14 shkurt 2024, se ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur shtetasit Lulzim Salillari e Bledar Starova, ish-administratori dhe administratori aktual i kompanisë “Salillari Sh.p.k”.

Akuza ndaj tyre, është për veprën penale “Ndërtimi pa leje”, të një pallati banimi e shërbimesh me 6 kate mbi tokë dhe 5 kate parkim e shërbime nëntokë”, me vend-ndodhje te zona e Liqenit të Thatë pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë.

Sipas provave hetimore të prokurorisë, investitore dhe ndërtuese e këtij pallati pa leje me sipërfaqe rreth 20 mijë m2 e vlerë 12 milionë euro, është kompania “Salillari Sh.p.k”, me pronar të vetëm shtetasin Pëllumb Rauf Salillari.

Është skandal, që Prokuroria e Tiranës, për ndërtimin e këtij pallati pa leje, nuk ka proceduar Pëllumb Salillarin, biznesmenin që zaptoi tokën publike, financoi dhe ndërtoi pallatin me kompaninë e tij dhe është pronar i objektit.

Prova që vërteton, se personi përgjegjës i krimit për ndërtimin e këtij pallati pa leje është vetëm Pëllumb Salillari, është akt-bllokimi i pallatit dhe akt-procedimi nga Policia e Tiranës, regjistruar më 8 shtator 2022 në emër të Pëllumb Salillarit, si investitor dhe kompanisë së tij “Salillari Sh.p.k” si ndërtuese.

Për pallatin pa leje, prokuroria nuk procedoi Pëllumb Salillarin, por

Po kështu, e vërteton vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit më 9 nëntor 2022, në të cilin thuhet: - Kryhet konfiskimi për interes publik, i një objekti banimi e shërbimesh me 2, 4 e 6 kate mbi tokë dhe 2 e 5 kate parkim e shërbime nëntokë”, me vend-ndodhje te zona e liqenit të Thatë pranë Kopshtit Zoologjik, me zhvillues shoqërinë “Salillari Sh.p.k” në Tiranë.

Por Prokuroria e Tiranës, në vend të marrë të pandehur dhe të arrestojë pronarin e financuesin Pëllumb Salillari, ka proceduar penalisht dy hyzmeqarët e tij Lulzim Salillari e Bledar Starova, të cilët nuk kanë lidhje pronësore me kompaninë “Salillari Sh.p.k” dhe nuk janë urdhërues, financues e pronarë apo përfitues të pallatit pa leje.

Nëse prokuroria quan urdhërues, financues, ndërtues, pronarë e përfitues të pallatit pa leje dy hyzmeqarët e oligarkut Pëllumb Salillari; atëherë, përveç ndërtimit pa leje, duhet t’i hetojë dhe për burimin e 12 milionë Euro me të cilat ndërtuan pallatin dhe për pronësinë e tokës.

Ndërsa SPAK si prokuroria kompetente anti-korrupsion e zyrtarëve të shtetit, duhet të hetojë faktin, që qeveria e konfiskoi pallatin e Pëllumb Salillarit në muajin nëntor 2022, ndërsa Pëllumb Salillari, po nga qeveria e ri-bleu në muajin tetor 2023, me vlerë sa 10% e çmimit të tregut për metër katrorë në atë zonë të Tiranës.

Mirë policia që është në vartësi të Bablokut dhe nuk e arrestoi Pëllumb Salillarin, sepse siç dihet ata “hanë në një çanak”, madje shumë drejtues policie e ministra kanë marrë apartamente lokale te pallatet që ka ndërtuar Pëllumb Salillari.

Po përse nuk e arreston prokuroria, ose minimalisht përse nuk merr të pandehur Pëllumb Salillarin, që ndërtoi pa leje pallatin 20 mijë m2, ndërkohë që në burg janë 113 hallexhinj që kanë riparuar çatitë dhe gardhet e shtëpive?!

Paprekshmëria e Pëllumb Salillarit, tregon se paraja dhe fuqia e mafies qeveritare, vazhdojnë të komandojnë dhe drejtësinë e re./Pamfleti

pëllumb salillari ndërtimi pa leje prokuroria

Lini një Përgjigje