Ky, në fakt, është një fenomen i tmerrshëm, ku në të gjithë strukturën bazike spitalore kombëtare në vend, oligarkia e shefave, që janë në pjësën më të madhe mbi moshën e pensionit, po e kthen pushtetin e tyre në monarki, duke j’ua trashëguar familjarëve apo të afërmve...
Rasti i hetimit dhe dosjes gjyqësore të Prokurorisë së SPAK ndaj kardiokirurgut Edvin Prifti nuk është fare i izoluar dhe nuk përfaqëson vetëm një çështje personale.
Është një periudhë e gjatë, më shumë se 33 vjeçare që në sistemin e shëndetësisë, me bërthamë në QSUT, u instalua një oligarki “shefash”, të cilët u kthyen në një mafie të vërtetë që merrte para jo me dëshirë nga pacientët.
Mjeku i ndjekur nga SPAK, pra Edvin Prifti, nuk ishte as i pari e as i fundit që është përfolur se ka marrë para nga njerëzit që trajtoheshin në qendrën kryesore universitare të vendit.
Por Prifti u bë i njohur, kur u kthye në një mbret të kardiokirurgjisë dhe për disa vite u bë primari i katedrës më të fuqishme e më nevralgjike të klinikave mjekësore spitalore.
Madje ka pasur edhe përplasje të madhe ndërmjet Priftit dhe drejtuesve të QSUT, kur kjo qendër drejtohej nga ministrja aktuale e Arsimit Ogerta Manastirliu. E cila e nxitur nga letrat që vinin prej publikut për ryshfet prej shumë mjekëve, ka sinjalizuar dhe të hetuarin në fjalë. Por përgjigja e personit të akuzuar ka qenë arrogante. Ku mësohet se nuk e ka mohuar marrjen e parave madje ka thënë që merr edhe më shumë, e kjo vjen si pasojë e aftësisë profesionale.
Ky në fakt është një fenomen i tmerrshëm, ku në të gjithë strukturën bazike spitalore kombëtare në vend, oligarkia e shefave që janë në pjësën më të madhe mbi moshën e pensionit, po e kthen pushtetin e tyre në monarki, duke j’ua trashëguar familjarëve apo të afërmve.
Por, megjithatë, të dhënat shtetërore për sjelljet e Priftit janë të tmerrshme, pasi flasin për performancë arrogante, ku edhe pse ka marrë para nga pacientet, ai nuk kujdesej për ta. Pacientët ishin më shumë klientë, klientë të dëshpëruar, të pakënaqur me shërbimin e bosëve.
Raportet për sjelljet e Priftit janë aq të rënda, sa SPAK është detyruar ta bëjë shembull mjekun, që sipas gjasave do t’i heqin të drejtën e profesionit. Pasi ka pasur raporte nga mjaft pacientë që nuk janë ndjekur nga mjeku që ka kryer operacionin, i cili madje, u ka dhënë substance qetësuese të një sasie që konsiderohet e palejueshme. E ndaj, hetimi pritet të thellohet edhe më tej, ndërkohë që të tjerë pacientë nuk janë ndjekur edhe pse kanë qenë në gjendje të rëndë postoperatore.
Ka një protokoll të qartë në lidhje me sjelljen e personalit në këtë rast, protokoll që duhet të jetë ligj, por që nuk është zbatuar.
Megjithatë, ky hetim i SPAK nuk mund të vijojë i izoluar pa një reformë të thellë në QSUT ku të thyhet monopoli i oligarkëve e të emërohen mjekët e rinj, të cilët janë mbajtur larg gjithë këto vite./Pamfleti
Lini një Përgjigje