TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia13 Qershor 2024, 19:00

Nga ‘atentati’ ndaj Tom Doshit te vrasja e vëllait të Arben Ndokës, çfarë e lidh Ilir Metën me Durim Bamin?

Shkruar nga Pamfleti
Nga ‘atentati’ ndaj Tom Doshit te vrasja e vëllait të
Durim Bami, Arben Ndoka, Ilir Meta

Ja fijet që lidhin Ilir Metën me Durim Bamin dhe tërmeti që pritet në politikë nëse ekstradohet i forti i Niklës...

Arrestimi i Durim Bamit ka trazuar ujërat jo vetëm në radhët e krimit, por edhe të politikës. Ai është ndaluar në Dubai dhe nëse drejtësia arrin ta ekstradojë, do të ketë zhvillime. Bami ka marrë pjesë dhe ka dijeni për shumë krime në vend, në disa prej të cilave flitet se ka gisht dhe politika.

Por kush është Durim Bami dhe çfarë e lidh me politikën? Në Nikël ai njihet për shumë krime, por në rang vendi u bë i njohur në vitin 2015, kur Tom Doshi, deputet në atë kohë, deklaroi se Ilir Meta kishte porositur vrasjen e tij. Sipas Doshit, Meta kishte paguar Durim Bamin 500 mijë euro për ta eliminuar.

Tom Doshi përmendi dhe një emër tjetër në atë kohë, Fatjon Skënderi, i cili presupozohej se kishte bërë ndërmjetësin mes Ilir Metës dhe Durim Bamit. Vetë Skënderi u mor në pyetje nga prokuroria në atë kohë dhe pranoi se e njihte Kryemadhin dhe ishin takuar një herë bashkë në Kombinat.

Pra, këtu jepen sinjalet e para të lidhjes së familjes Meta me botën e krimit. Bomba e dytë erdhi nga Nuredin Dumani, i cili në një nga dëshmitë tij ka thënë se ka dëgjuar se vëllai i Arben Ndokës u vra me porosi të Ilir Metës.

Këtu del sërish në skenë Durim Bami. Në dosjen “Metamorfoza 2”, del në pah një konflikt i fortë mes Arben Ndokës dhe Durim Bamit, pasi të dy kërkonin të vrisnin njëri-tjetrin. Arsyeja që Ndoka kërkonte të “hiqte qafe” Bamin ishte sepse dyshonte se ai i vrau të vëllanë.

Por si u vra vëllai i Arben Ndokës?

Ngjarja ndodhi më 9 dhjetor 2017. Ai u gjet i vrarë në makinën e tij, para banesës. Ndoka kishte qenë në një lokal aty pranë dhe rreth orës 22.00 ka hipur në mjetin tip “Mitsubishi” për të shkuar në banesë. Por para vilës së tij ishin duke pritur vrasësit. Ata gjetën një zonë pa ndriçim dhe e ekzekutuan duke e lënë të vdekur. Ndoka u gjet në mëngjes i pajetë nga familjarët e tij. Ngjarja ishte tipike e stilit mafioz dhe policia që në atë kohë u shpreh se mund të kishim të bënim me vrasës me pagesë.

A ishte vrasje politike?

Dyshimet që në atë kohë flisnin se mund të kishim një vrasje të natyrës politike. Në zgjedhjet e qershorit 2017, pati një plagosje me armë në Lezhë. Djali i Aleksandër Ndokës, qëlloi me armë Florian Dushkun, aktivist i LSI. Ishte vetë Ilir Meta që në atë kohë përmes një deklarate për mediat akuzoi 3 persona për ngjarjen: Samuel Ndoka, Don Ndoka dhe Genc Hakica.

Kjo ngjarje shkaktoi përplasje të forta mes vëllezërve Ndoka dhe Ilir Metës. 6 muaj më pas ekzekutohet Aleksandër Ndoka. Dyshimet që në 2017 ishin se vrasja ndodhi pikërisht për shkak të përplasjeve me LSI. Madje ka dhe nga ata që thonë se vëllai i ish-deputetit qëlloi me shuplakë Monika Kryemadhin dhe kjo nuk ja fali.

Vetë Arben Ndoka foli muaj më pas për vrasjen e vëllait të tij. Në një intervistë, Ndoka shprehej se autoritetet kishin frikë në zbardhjen e krimit. “Problemi im është shumë më i madh se pronat, është vrasja e vëllait tim. Është gjetur një kapele në të cilën ka patur një fije floku, askush nuk është marrë me këtë çështje, edhe Prokurori e Krimeve të Rënda e cila nuk më ka thirrur për të kërkuar kontributin tim se mbase do t'i çoja tek autorët duke ju dhënë indicie dhe dyshime. Natyrisht arrestimi im ka të bëjë me vrasjen e vëllait tim, sepse autorët janë po ata që po më nxjerrin probleme mua”, tha Ndoka.

Fakti që në dosje del emri i Durim Bamit si vrasës i Aleksandër Ndokës dhe Nuredin Dumani shprehet se porositësi ishte Ilir Meta, duket se fijet lidhen.

Një tjetër ngjarje ku del Durim Bami është vrasja e Artan Santos. Ai është hetuar si i përfshirë në krim, teksa madje thuhet se i zhdukuri Enver Stafuka, para se ta eliminonin ka bërë një rrëfim dhe ka përmendur emrin e Ilir Metës. Stafuka thuhet se ka qenë një ndër personat mbi motor në atentatin ndaj Santos, por u zhduk në mënyrë të mistershme. Familjarët e Stafukës kanë akuzuar Durim Bamin si të përfshirë në zhdukjen e djalit të tyre, dikur mik mes tyre.

Nëse Bami ekstradohet dhe vendos të bashkëpunojë me drejtësinë, atëherë pritet të tronditet fort politika, pasi do të dalin lidhjet e saj me krimin. /Pamfleti

Lini një Përgjigje