TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 9 Qershor 2024, 14:13

U përjashtua nga drejtësia si gjyqtar i korruptuar, avokati i oligarkut Salillari tradhton kauzën e Sokol Mëngjesit; thyen bojkotin 3-ditor

Shkruar nga Pamfleti
U përjashtua nga drejtësia si gjyqtar i korruptuar, avokati i
Kostika Çobanaqi

Kjo nuk është hera e parë që avokati Kostika Çobanaqi nuk respekton vendimet e DHKASH-së për bojkotet e seancave gjyqësore nga ana e avokatëve.

Ish gjyqtari i përjashtuar për 15 vjet nga drejtësia si i korruptuar, Kostika Çobanaqi, i kthyer në avokat, i njohur edhe si avokati i oligarkut dhe ish faturinos Pëllumb Salillari, ka thyer vendimin e marrë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë, duke mos respektuar bojkotin 3-ditor të avokatëve për Sokol Mëngjesin.

Vendimi për bojkotimin e të gjitha seancave gjyqësore, civile, penale dhe administrative për datat 5, 6 e 7 qershor, nga ana e avokatëve u mor në 4 qershor 2024, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Avokatisë së Shqipërisë, në shenjë solidariteti me dhunën e ushtruar ndaj kolegut Sokol Mëngjesi.

Edhe pse përjashtim nga ky bojkot kanë bërë vetëm kërkesat për masat e sigurimit, zëvendësimit apo shuarjes së masave, avokati Kostika Çobanaqi ka përfaqësuar ditën e mërkurë, datë 5 qershor 2024, oligarkun Salillari në një çështje penale për “fyerje/shpifje”, me palët: i akuzuar Lefter Maliqi dhe akuzues Pëllumb Salillari.

Seanca penale e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat nga gjyqtari Ilirjan Hysa ka filluar në orën 13:00 dhe ka përfunduar në orën 15:30, ku avokati Kostika Çobanaqi ka pyetur në cilësinë e dëshmitarëve në këtë gjykim dy shtetas.

Edhe pse avokati mbrojtës i shtetasit Lefter Maliqi nuk u paraqit për arsye të bojkotit, avokati Kostika Çobanaqi ka kërkuar vijimin e seancës penale.

Kjo nuk është hera e parë që avokati Kostika Çobanaqi nuk respekton vendimet e DHKASH-së për bojkotet e seancave gjyqësore nga ana e avokatëve. Edhe gjatë grevës pa afat kundër hartës së re gjyqësore dy vite më parë, avokati Çobanaqi mori pjesë në disa seanca gjyqësore dhe nuk u penalizua.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë duhet të marrë masa të menjëhershme ndaj këtij avokati të korruptuar, i cili deri në janar 2021 ka mbajtur postin e gjyqtarit në Gjykatën e Beratit.

Por, për shkak të “korrupsionit” si gjyqtar, Kostika Çobanaqi u dorëhoq nga detyra pasi iu kalua barra e provës të provonte të kundërtën e gjetjeve të hetimit administrativ.

Në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit thuhet se gjyqtari Kostika Çobanaqi paraqiti dorëheqjen nga detyra në Këshillin e Lartë Gjyqësor, pasi u njoh me rezultatet e hetimit administrativ njëvjeçar të kryer në kuadër të procesit të vetingut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, vendosi më 14 janar 2021 të ndërpresë procesin e rivlerësimit dhe t’i ndalojë emërimin në të ardhmen në sistemin e drejtësisë gjyqtarit të Beratit Kostika Çobanaqi, pas dorëheqjes së tij nga detyra.

Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Çobanaqi nisi në nëntor të vitit 2019 dhe një vit më vonë Komisioni i ka dërguar subjektit të rivlerësimit rezultatet e hetimit administrativ, duke i ka kaluar barrën e provës për gjetjet e konstatuara.

Në vendim thuhet se pas afro një muaji, KPK është njoftuar nga gjyqtari Kostika Çobanaqi se ai kishte dhënë dorëheqjen nga detyra pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe se kërkesa e tij është pranuar.

Pasi Komisioni ka konfirmuar se subjekti nuk ka ushtruar ankim ndaj vendimit të KLGj për mbarimin e statusit të magjistratit, e ka thirrur atë për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, por Çobanaqi ka refuzuar ta ushtrojë këtë të drejtë.

Në përfundim, trupi gjykues, i kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe Lulzim Hamitajn anëtar bazuar në Aneksin e Kushtetutës, ka vendosur më 14 janar të deklarojë të ndërprerë procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Kostika Çobanaqi dhe t’i heqë atij të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Pas përjashtimit nga drejtësia si i korruptuar, Çobanaqi u rikthye në sallat e gjyqit tashmë si avokat dhe madje avokat i një pjese simboleve të korrupsionit dhe pastrimit të parave, siç është oligarku Pëllumb Salillari.

Më parë, Kostika Çobanaqi i mbyllte punët e pista Salillarit si gjyqtar i korruptuat, ndërsa tani është kthyer në avokat i zullumeve të tij.

Po pse Kostika Çobanaqi ia mbathi nga drejtësia sapo pa dosjen e Vetingut?

Çfarë kishte dosja për veprimtarinë e tij që e llahtarisi?

Çfarë pasurish ka deklaruar dhe fshehur ish gjyqtari Kostika Çobanaqi?

A duhet ta administrojë SPAK këtë dosje?/ Prapaskena

Lini një Përgjigje