TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 5 Qershor 2024, 16:45

Edi Shalsi miraton tjetër skemë mafioze për 1.3 milardë Euro Letra me Vlerë; ja si do zhvaten pasuritë!

Shkruar nga Pamfleti

Edi Shalsi miraton tjetër skemë mafioze për 1.3 milardë Euro

Politikanët, oligarkët e trafikantët, kanë marrë toka e objekte shtetërore me kontrata “1 Euro” dhe si “Investitor Strategjikë”, apo kanë zaptuar toka e troje dhe kanë investuar, do t’i blejnë me 100% Letra me Vlerë; që do të thotë, se Babloku do t’i shesë pasuritë publike me 1-2% të vlerës reale, duke krijuar 1.3 miliardë Euro humbje për shtetin...

Dy ditë më parë, Kryetari i Komisionit të Ekonomi-Financave, Eduard Shalsi, propozoi, miratoi e çoi me urgjencë për votim në parlament, projekt-ligjin për të shtyrë afatin e përdorimit të Letrave me Vlerë deri në fund të vitit 2027, por këtë herë në raport tregu Shtet-Biznese.

Përveç faktit, që edhe këtë projekt-ligj e propozoi Eduard Shalsi, kjo është skemë tjetër mafioze klienteliste e Bablokut, që i krijon mundësi politikanëve, oligarkëve e ndërtuesve, për të marrë pasuritë shtetërore që kanë në përdorim e që duan të përlajnë me “5 lekë” ato që kanë ngelur.

Sipas Ministrisë së Financave, janë afro 1.3 miliardë Euro Letra me Vlerë, që qarkullojnë sot në tregun e zi shqiptar jashtë sistemit bankar; të cilat do rifuten në tregun legal me ligj anti-kushtetues, për të blerë pasuri shtetërore dhe për të legalizuar pasuri ilegale e të zaptuara.

Dyshimet për këtë skemë tjetër mafioze me pasuritë shtetërore, shtrojnë tre pyetje, për të cilat propozuesi Eduard Shalsi nuk dha sqarime, por në një linjë me të, nuk bëri specifikime as përfaqësuesi i Ministrisë së Financave.

Pyetja e parë: - Kush i disponon Letrat me Vlerë, që i kanë blerë jashtë kontrollit shtetëror tatimor e sistemit bankar, dhe për cilat pasuri publike do përdoren?

Pyetja e dytë: - Me çfarë vlere financiare do t’ua pranojë shteti, blerësve të pasurive publike; dhe për cilët subjekte e me çfarë ndarje raporti, në përqindje Lekë e Letra me Vlerë do pranohen?

Pyetja e tretë: - A janë me financim të trafikut të drogës e korrupsionit, këto 1.3 miliardë Euro Letra me Vlerë që janë grumbulluar e do përdoren për blerje të pasurive publike?

E vërteta që nuk u sqarua qëllimisht, kaloi si një projekt-ligj rutinë pa rëndësi, është kjo: Letrat me Vlerë, paçka se bosët e pushtetit i kanë mbledhur me vlerë 2-3%, jashtë sistemit bankar dhe pa asnjë taksim, qeveria i ka futur në lojë dhe do t’i pranojë me 100% të vlerës së tyre.

Sipas skemës mafioze të Bablokut, njohur si projekt-ligji “Shalsi”, këto 1.3 miliardë Euro Letra me Vlerë, do përdoren vetëm nga bizneset që kryeministri Edi Rama, u ka dhënë PPP, HEC-e pasuri shtetërore me kontrata “1 Euro, të cilët do blejnë objektet, tokat, pyjet e trojet.

Po kështu, Letrat me Vlerë do t’u pranohen vetëm atyre që kanë ndërtuar e do ndërtojnë pallate, kulla e resorte në toka bregdeti, që Babloku u ka dhënë si “Investitor Strategjik” apo janë lejuar t’i, zaptojnë, por jo hallexhinjve që duan të blejnë banesa sociale e troje për ndërtim banesash.

Në Komisionin e Ekonomi-Financave, u tha, se do lejohen të blihen vetëm objektet shtetërore në masën 80% Letra me Vlerë dhe 20% pagesë në lekë, ndërsa tokat e trojet, gjoja do blihen me 100% në vlerë leku me çmim tregu.

Por duke ditur që djalli fshihet në detaje, kushti i blerjes së tokës shtetërore me 100% në vlerë leku e me çmim tregu, do zbatohet vetëm për ato subjekte, që do kërkojnë toka pas miratimit të këtij ligji, të cilëve do t’u shiten vetëm objektet me 80% Letra me Vlerë.

Ndërsa ata që kanë marrë pasuri shtetërore me kontrata “1 Euro” dhe si “Investitor Strategjik”, apo i kanë zaptuar toka e troje dhe kanë investuar, do t’i blejnë me 100% Letra me Vlerë.

Që do të thotë, se Babloku do t’i shesë pasuritë publike, ose më saktë, po miraton skemën e favorizimit të miqve, klientëve, pushtetarëve e oligarkëve si Olta Xhaçka, Artan Dulaku, Lenc Gjikuria, Gjergj Luca etj., etj., për t’i zhvatur me 1-2% të vlerës reale./Pamfleti

Lini një Përgjigje