TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 5 Janar 2026, 11:15

KSI, vegla e Edi Ramës për grabitjen e pronës shtetërore: Elira Kokona në qendër të skemës që ka vënë nën alarm SHBA

Shkruar nga Pamfleti

Korporata Shqiptare e Investimeve është shndërruar në instrumentin kyç për izolimin dhe kalimin e shërbimeve publike drejt interesave private, përmes negociatave të mbyllura, mbylljes së shërbimeve dhe transparencës. Nga Vrina te stadiumet, Pallati i Kongreseve dhe projektet e tjera strategjike, Vendimet e KSI-së kanë vendosur alarmin për pastrimin e parash, duke vendosur në lëvizje edhe DASH...

KSI, vegla e Edi Ramës për grabitjen e pronës shtetërore:
Foto ilustruese, Elira Kokona KIS

Nuk ka më dyshim se Korporata Shqiptare e Investimeve është shndërruar në një nga instrumentet më të rrezikshme të pushtetit për tjetërsimin e pronës publike, një mekanizëm i ndërtuar enkas për të hequr kontrollin institucional, për të shmangur procedurat klasike të konkurrencës dhe për t’i kaluar pasuritë strategjike të shtetit shqiptar në duar private të paracaktuara. Në krye të kësaj strukture që vepron si tampon mes politikës, biznesit të madh dhe kapitaleve të dyshimta qëndron Elira Kokona, drejtoreshë e Korporatës, e emëruar dhe e mbrojtur politikisht nga kryeministri Edi Rama.

Ajo që po ndodh sot me KSI-në nuk është një debat teorik mbi zhvillimin apo investimet, por një proces konkret, i dokumentuar dhe i përsëritur, ku prona publike izolohet, bllokohet administrativisht, shpallet “me interes zhvillimi” dhe më pas futet në negociata të mbyllura, larg syve të publikut, larg konkurrencës dhe larg çdo standardi transparence. Pikërisht kjo skemë ka vënë në lëvizje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë paralajmëruar auditimin e thelluar të kullave, PPP-ve, tenderëve dhe strukturave shtetërore që menaxhojnë pasuri publike, përfshirë edhe ato që veprojnë si ndërmjetëse të pronës, brenda afatit të 28 marsit 2026.

Në qendër të këtij mekanizmi ndodhet Korporata Shqiptare e Investimeve, një strukturë që në letër është krijuar për të rritur vlerën e pronës shtetërore, por që në praktikë është shndërruar në një zyrë negociatash për kalimin e kësaj prone drejt interesave private. Elira Kokona, si drejtuese ekzekutive, nuk është thjesht një administratore teknike. Ajo është personi që firmos shkresat, koordinon Kadastën, hap dhe mbyll proceset e “verifikimit”, dhe administron komunikimin me investitorët potencialë, duke pasur në dorë çelësat realë të territorit.

Rasti i Vrinës është shembulli më brutal i kësaj skeme. Me një Vendim të Këshillit të Ministrave të datës 20 nëntor 2024, Korporata Shqiptare e Investimeve u autorizua të koordinojë procesin e identifikimit të pronës shtetërore me interes për investime në fshatin Vrinë, Bashkia Konispol. Në letër bëhet fjalë për një proces teknik. Në terren, sipërfaqe gjigante prej 849 hektarësh, në një nga zonat më strategjike të jugut të Shqipërisë, në kufi me Parkun e Butrintit dhe territorin grek, u futën në një regjim administrativ të errët, ku regjistrimet në Kadastër u bllokuan, pronarët realë u mbajtën pezull dhe toka u nxor jashtë qarkullimit normal juridik.

Ky nuk është një detaj procedural por momenti kur prona humbet mbrojtjen ligjore dhe shndërrohet në objekt pazari. Burime investigative kanë raportuar se në këtë territor kanë hyrë kapitale të mëdha, përfshirë subjekte të lidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe individë të pozicionuar në Dubai, të cilët dyshohet se kanë bllokuar shuma nga 20 deri në 30 milionë euro në prona të shpërndara brenda zonës së Vrinës. Pyetja nuk është nëse këto para ekzistojnë, por kush ua ka hapur rrugën ligjore, kush ka garantuar bllokimin administrativ të territorit dhe kush po përgatit terrenin që këto kapitale të legalizohen përmes projekteve luksoze të parapërgatitura.

Të gjitha këto raste; nga Vrina, te stadiumi “Selman Stërmasi” në Tiranë, stadiumi “Niko Dovana” në Durrës, Pallati i Kongreseve, “Expo Albania” dhe Durana Tech Park; nuk janë episode të shkëputura, por vendime të ndërmarra nën të njëjtin model administrimi, ku prona publike kalon nën kontrollin e KorporatëS Shqiptare Të Investimeve, izolohet nga qarkullimi normal ligjor dhe futet në regjime të posaçme “zhvillimi”, duke u shndërruar në aset negociimi për interesa private. Në çdo rast, kemi të njëjtën skemë: mungesë gare, mungesë transparence mbi vlerësimin e pronës, vendimmarrje të centralizuar dhe shmangie të procedurave klasike të konkurrencës, elementë që krijojnë terren të përshtatshëm për abuzim dhe parash.

Pikërisht te kontratat konkrete, procedurat e ndjekura, mënyra e përzgjedhjes së partnerëve privatë dhe ndarja reale e përfitimit mes shtetit dhe privatit do të ndalemi në shkrimin e radhës, sepse aty ndodhen përgjigjet që sot mbahen jashtë vëmendjes publike dhe që zbulojnë se si vendimet e KSI-së janë shndërruar në instrument për tjetërsimin e pronës shtetërore.

Korporata Shqiptare e Investimeve nuk vepron në vakum dhe as jashtë hierarkisë shtetërore. Ajo është nën varësinë e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, institucion që sot drejtohet nga Blendi Gonxhja, një ministër që mban përgjegjësinë politike për çdo territor të futur në regjim zhvillimi, për çdo pronë publike të izoluar administrativisht dhe për çdo proces negociimi të mbyllur që zhvillohet nën ombrellën e KSI-së.

Asnjë ministër përgjegjës nuk mund të pretendojë se nuk di se çfarë ndodh me pronën publike që administrohet nga një korporatë nën varësinë e tij, aq më tepër kur këto procese shoqërohen me bllokime kadastrale, mungesë gare, mungesë transparence dhe negociata që zhvillohen larg syrit publik. Nëse Elira Kokona është figura që e zbaton këtë model në terren, ministria e drejtuar nga Blendi Gonxhja është struktura që e mban politikisht në këmbë dhe e lejon të funksionojë pa asnjë filtër kontrolli real.

Kjo është arsyeja pse alarmi për pastrim parash lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si po menaxhohet prona publike përmes KSI-së. Modelet e zhvillimit të tipit kulla, resorte, projekte “mixed-use” dhe transformime të territoreve publike në asete ndërtimore private janë, sipas praktikave ndërkombëtare, ndër mekanizmat më të përdorur për legalizimin e kapitaleve me origjinë kriminale, veçanërisht kur shoqërohen me mungesë transparence dhe kontrolli institucional.

Pikërisht këto elementë kanë vënë në lëvizje edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka paralajmëruar auditimin e thelluar të kullave, PPP-ve, tenderëve dhe strukturave shtetërore që administrojnë pasuri publike, brenda afatit të 28 marsit 2026. Ky nuk është një paralajmërim formal dhe as një sinjal diplomatik rutinë. Është një tregues i qartë se modeli shqiptar i zhvillimit, i mbështetur mbi tjetërsimin e pronës publike dhe negociatat e mbyllura, shihet tashmë si një risk serioz për pastrimin e parave dhe kapjen e institucioneve. (Vijon)... /Pamfleti

elira kokona dash korporata shqiptare e investimeve blendi gonxhe prona pastrim parash

Lini një Përgjigje