
Raporti i KLSH: Në Bashkinë Mat u punësuan njerëz pa konkurs, u humbën fonde dhe nuk u kontrollua askush
Bashkia Mat, nën drejtimin e Agron Malajt në vitin 2024, është kapur në një rrjet shkeljesh të shumta, sipas një raporti zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në përfundim të një auditimi të plotë financiar, KLSH ka identifikuar 15 gjetje dhe ka dhënë po aq rekomandime, duke ekspozuar problematika që shkojnë nga rekrutimet klienteliste deri te miliona lekë të humbura për shkak të paaftësisë për të mbledhur të ardhurat vendore.
Në dokumentin zyrtar thuhet se nëpunësit janë punësuar pa ndjekur procedura konkurrence të hapura, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e barazisë. Nuk ekziston një plan vjetor për rekrutime dhe punësimet janë bërë “sipas nevojës”, duke hapur dyshime për emërime politike ose klienteliste. Asnjë mekanizëm për sinjalizim korrupsioni apo mbrojtje të sinjalizuesve nuk është zbatuar gjatë kësaj periudhe.
Njësia e auditit të brendshëm në bashki rezulton pothuaj inekzistente në funksion. Aktivitetet më të rrezikuara si Drejtoria e Planifikimit të Territorit, Mjedisi dhe Bujqësia nuk janë audituar gjatë gjithë vitit, në shkelje flagrante të manualit për auditimin e brendshëm. Raportet e brendshme të audituesve ishin të përgjithshme dhe pa asnjë rekomandim konkret apo afat zbatimi.
Situata përkeqësohet më tej kur bëhet fjalë për financat publike. KLSH konstaton se llogaritë kontabël nuk përputhen me pasqyrat e raportuara, duke rezultuar në mospërputhje prej miliona lekësh. Vetëm në një rast, mungesa e rakordimit sjell një diferencë 7 milionë lekë midis llogarive të investimeve dhe atyre të kapitalizimeve. Pasqyrat financiare për vitin 2024 janë deklaruar me rezultate të deformuara, sipas vetë opinionit të auditimit të KLSH, i cili është "i kualifikuar", një nivel serioz që nënkupton mospërputhje materiale të dhënash.
Për më tepër, në fund të vitit 2024, borxhi i papaguar nga qytetarët dhe bizneset ndaj Bashkisë Mat kap vlerën e 64 milionë lekëve, një shumë që as nuk është kontabilizuar si duhet dhe as nuk është ndjekur me masa ligjore për ta arkëtuar. Në këtë listë përfshihen edhe subjekte të tregtimit të karburanteve me 600 mijë lekë detyrime të papaguara dhe 8 kompani që nuk kanë shlyer qiratë e parcelave pyjore në vlerën 8.1 milionë lekë.
Agron Malaj, sot deputet i Partisë Socialiste dhe pjesë e maxhorancës parlamentare, nuk ka reaguar për këto gjetje. Ai ishte kryetar i Bashkisë Mat gjatë periudhës që përfshin raporti dhe mban përgjegjësi direkte si nënshkrues i buxheteve dhe menaxhimit të burimeve publike. Për më tepër, raporti nënvizon se Malaj, si “Nëpunës Autorizues”, ka detyrimin ligjor për kontrollin dhe saktësinë e pasqyrave financiare – çka sipas auditimit, ka dështuar të sigurojë.
Gjetjet kryesore
Mbi menaxhimin financiar dhe kontrollin
- Nuk ka procedura të shkruara për raportimin e shkeljeve të rregullave mbi etikën dhe për marrjen e masave.
- Nuk janë përcaktuar procedura për mbrojtjen ndaj sinjalizuesve dhe nuk ka mekanizma të cilat i dedikohen ankesave për korrupsion.
- Procedurat e rekrutimit bëhen sipas nevojave që dalin gjatë vitit, pavarësisht se nuk ka një plan vjetor rekrutimi.
- Nga verifikimi i dosjeve të personelit nuk rezulton, e dokumentuar, të jetë zhvilluar një procedurë konkurrimi e hapur për rekrutimet jashtë shërbimit civil. Punësimi pranë Bashkisë Mat i nëpunësve për të cilët nuk është zhvilluar paraprakisht një procedurë konkurrimi e hapur, përveçse bie ndesh me interesin publik, parimin e konkurrencës së lirë dhe barazisë përpara ligjit, ndër të tjera, përbën një risk të shtuar duke ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e punës në Bashkinë Mat.
- Nga vetë bashkia nuk ka organizime dhe realizime trajnimesh për fusha të ndryshme përveç trajnimeve të realizuara në bashkëpunim me ASPA.
Mbi organizimin dhe funksionimin e auditit të brendshëm
- Për periudhën 01.01.2024 deri më 31.12.2024 nuk janë audituar aktivitete që kryen Bashkia Mat, të cilat janë vlerësuar me risk të lartë, si: Drejtoria e Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, Mjedisit dhe Pronës, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pyjeve, në mospërputhje me përcaktimet e bëra në Manualin e Auditimit.
- Në çdo raport auditimi, audituesit nuk kanë dhënë asnjë opinion të përgjithshëm mbi të gjitha sistemet e audituara, nëse këto sisteme funksionojnë në nivelin e duhur nga të gjitha strukturat apo punonjësit dhe rezultatet e vlerësimit të sistemeve.
- NjAB në Bashkinë Mat nuk ka dosje të përhershme për çdo njësi publike ku kryen angazhim auditimi, dosje të cilës i referohet për auditimin pasardhës që do të kryhet në mospërputhje me përcaktimet e bëra në Manualin e Auditimit të Brendshëm, Kapitulli VI, pika 6.3 “Dosja e përhershme”.
- Nga raporti i auditimit të njësive adminstrative Burrel dhe Komsi vihet re se nuk ka gjetje të konstatuara në baze të kriterit, konstatimet janë të karakterit të përgjithshëm dhe nuk është e qartë situata e konstatuar.
- Nuk ka rekomandime të qarta që ndihmojnë njësinë në përmirësimin e gjendjes, dhe detyrat e lëna janë pa afat të përcaktuar
Në procedurat e raportimit financiar dhe hartimin e pasqyrave financiare
- Llogaria 231 “Për aktive afatgjata materiale” e cila paraqitet në shumën 1,324,111,613 lekë në pasqyrën e pozicionit financiar nuk rakordon me llogaritë kundërparti të saj të fondit të konsoliduar, llogaria 105“Teprica e granteve kapitale të brendshme” dhe llogaria 106 “Teprica e granteve kapitale të huaja” në fondin e konsoliduar pasqyrohen në shumën 0 lekë. Gjithashtu në tepricën e llogarisë 106“Për aktive afatgjata materiale” duhej të ishte kontabilizuar edhe vlera 2,797,509 lekë që i përket fondeve të përfituara nga organizata ndërkombëtare për projekte të cilat janë në investime në proces, të pasqyruara në pasqyrën e performancës.
- Për llogarinë analitike 231 “Për aktive afatgjata materiale” pakësimet në shumën 1,332,806,182 lekë që i përkasin vlerës së investimeve të marra në dorëzim nuk kuadron me vlerën e investimeve të kapitalizuara në llogaritë e aktiveve të klasës 2 në shumën 1,325,768,181 lekë të paraqitur në pasqyrën gjendja dhe ndryshimet e aktiveve afatgjata. Si rezultat veprimet kontabël në kredi të llogarisë 231“Për aktive afatgjata materiale” nuk rakordojnë me veprimet në debi pas kapitalizimeve me një diferencë prej 7,038,001 lekë.
- Në pasqyrën e performancës llogaria 85 “Rezultati i veprimtarisë se vitit ushtrimor” është në shumën 98,580,391 lekë. Në këtë rezultat nuk janë marrë në konsideratë të ardhurat e transferuara në buxhet në shumën 37,805,411 lekë, të cilat duhet të përfshiheshin në “Shpenzimeve të tjera” në veprimet rregulluese për efekt të nxjerrjes së rezultatit. Ky veprim ka sjellë deformim të rezultatit, rrjedhimisht rezultati i periudhës nuk është i saktë.
- Pasqyra statistikore e investimeve dhe burimeve të investimeve nuk është e plotësuar në mënyrë të saktë, në mënyrë që të sjellë një pasqyrim të plotë të të gjitha transaksioneve që kanë ndodhur gjatë vitit lidhur me burimet e financimit dhe investimet dhe konkretisht:
Veprimet në kredi të llogarisë 105 “Grante kapitale nga buxheti” janë në shumën 653,127,346 lekë, të cilat nuk rakordojnë me llogarinë “Akordim fonde buxhetore për shpenzime kapitale (+)” e cila paraqitet në shumën 637,454,423 lekë në pasqyrën e flukseve monetare, duke sjellë një diferencë prej 15,672,923 lekë e cila i përket financimit nga burimet e veta.
-Mbi realizimin e të ardhurave dhe saktësinë e kontabilizimit të tyre
- Bashkia Mat ka nivel të lartë debitorësh që në fund të vitit 2024 arrijnë në shumën progresive prej 64,245,273 lekë, duke sjellë të ardhura të munguara për buxhetin e bashkisë dhe për vjeljen e detyrimeve janë nxjerrë vetëm njoftim-vlerësimi për detyrimin dhe nuk është aplikuar asnjë masë tjetër shtrënguese
- Debitorët familjare për taksa dhe tarifa vendore në fund të vitit 2024 janë në shumën 45,353,162 lekë, vlerë e cila nuk është kontabilizuar.
-Në lidhje me detyrimet për taksën në infrastrukturë nga legalizimet e ndërtimeve pa leje në fund të vitit 2024 rezulton të jenë ne shumën 3,768,709 lekë, vlerë e cila konsiderohet e ardhur e munguar për buxhetin e bashkisë. Këto detyrime nuk janë të evidentuara në kontabilitet.
- Nga auditimi ka rezultuar se nga subjektet që ushtrojnë aktivitet të tregtimit të karburanteve, 2 subjekte kanë detyrime të papaguara në shumën 600,000 lekë, vlerë e cila nuk është evidentuar në kontabilitet.
- Nga auditimi në lidhje me arkëtimin e të ardhurave nga dhënia me qira të parcelave nga fondi pyjor/kullosor u konstatua se, në fund të vitit 2024 paraqiten debitorë 8 shoqëri qiramarrëse që nuk kanë shlyer detyrimet e kontratës në vlerën 8,119,085 lekë, të cilat përbëjnë të ardhura të munguara për buxhetin e bashkisë. Detyrimi në vlerën 8,119,085 lekë nuk është kontabilizuar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje