Drejtoresha e Tatimeve, Erilinda Lala, zotëron 50% të një firme që operon në sektorë që vetë duhet t’i kontrollojë për evazion fiskal...
Ligji për konfliktin e interesit i ndalon zyrtarët e shtetit të kenë aktivitete biznesi të lidhura me sektorët e punës dhe ushtrimin e detyrave të tyre, sidomos zyrtarët e tatimeve që kanë objekt pune kontrollin e subjekteve private.
Por këtë ligj, përveç Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, që bashkë me babain Agim Binaj kanë kompani private auditimi biznesesh, po e shpërfill edhe Drejtoresha e Tatimeve të Rajonit Tiranë, Erilinda Lala.
Sipas regjistrit të Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Regjistrit Tatimor, krye-tatimorja e Tiranës, Erilinda Tajar Lala, zotëron 50% të aksioneve në kompaninë “GEA Construction” sh.p.k., të krijuar më 8 qershor 2023 dhe me status aktiv.

Objekti i aktivitetit të kompanisë së saj janë ndërtimet e objekteve civile dhe industriale, ujësjellës-kanalizime, vepra arti, përpunim mineralesh, nxjerrje lëndësh inerte nga shtretërit e lumenjve, gurore, ndërtim dhe shfrytëzim hidrocentralesh, impiante fotovoltaike etj.
Kompaninë e saj, të regjistruar me qendër aktiviteti në Tiranë, Drejtoresha e Tatimeve të Tiranës, Erilinda Lala, funksionalisht e ka subjekt kontrolli. Duke qenë vetë pronare, nuk është e vështirë të kuptohet nëse e kontrollon apo jo dhe si.
Të dhënat faktojnë se krye-tatimorja Lala e toleron kompaninë e saj, duke mos hartuar bilancet tatimore që nga muaji qershor 2023 kur e ka nisur aktivitetin si biznes, bashkë me ortaken Marsida Dedej, nëpunëse në Bashkinë e Kavajës.
Prej rreth tre vitesh, kompania “GEA Construction” sh.p.k., përveçse nuk ka regjistruar asnjë punonjës në tatime, nuk ka të dhëna për xhirot financiare, të ardhurat, shpenzimet, fitimet, ekspertin kontabël apo raportet e auditimit, por ka deklaruar vetëm kapitalin themeltar prej 200 mijë lekësh.
Megjithëse nuk ka deklaruar të dhëna financiare, sipas informacioneve kompania “GEA Construction” e krye-tatimores Erilinda Lala merr shumë punime si nënkontraktore nga firmat e ndërtimit që fitojnë tenderë dhe leje ndërtimi, të cilat ajo i ka edhe subjekte kontrolli tatimor për evazion fiskal.
Sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, ajo e përdor kompaninë e saj me dy emra: “GEA Construction” dhe “2D Construction 2025”. Por deri në ditën e këtij shkrimi, në Regjistrin e Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe në tatime figuron vetëm emri “GEA Construction” sh.p.k.
Në muajin dhjetor 2025, drejtoresha e tatimeve, Erilinda Lala, për të fshehur konfliktin e interesit dhe përfshirjen në evazion fiskal, përhapi fjalë se ia kishte dhuruar ortakes pjesën e saj prej 50% të aksioneve.
Por në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe në Tatimet e Tiranës, ku ajo është drejtoreshë, kompania “GEA Construction” figuron ende me nga 50% të aksioneve në pronësi të saj dhe të ortakes Marsida Dedej.
Erilinda Lala ka qenë e punësuar më parë në Avokaturën e Shtetit. Por pasi Ilir Binaj u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, ai e mori mikeshën e tij borshiote drejtoreshë kabineti, ndërsa tani i ka dhënë postin e Drejtoreshës së Tatimeve të Rajonit Tiranë./Pamfleti
Popull kot. Gjithe ditën rri e numëron poshtërsitë kriminale antishqiptare te Ramutit e Salehut, ndërkohe qe u lepihen si zvarranike ketyre dhe klasave te tyre.
Po çne 2 femra ne krye te nje kompanie ndertimi... do çik gogla kjo pune se menaxhojne meshkuj e kultura jone mbi te gjitha se pranon leht ta drejtoje nje femer, lani biba Lani