TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia11 Mars 2026, 21:55

Parodi/ Bastet: 500 mln euro humbje, dhjetra të vrarë, pastrim parash në beton; pas 8 vitesh... Rama: Po i “rregullojmë”

Shkruar nga Pamfleti

Pasi qarkulluan miliarda euro informale pa u ndalur nga askush; pasi u vranë njerëz për kontrollin e tregut; pasi buxheti i shtetit u grabit me afro 500 milionë euro humbje; pasi u pasuruan bosët e krimit dhe i kthyen paratë e pista në beton; tani, pas gjithë kësaj, Edi Rama vendos të rregullojë dhe të rihapë bastet pas 8 vitesh kaos

Parodi/ Bastet: 500 mln euro humbje, dhjetra të vrarë, pastrim parash
Rama dhe bastet/

Pasi e lanë tregun "në gojën e ujkut" për tetë vite me radhë, tani duan të na shesin "rregullim"

Kur në fund të 2018-s qeveria vendosi të mbyllë bastet sportive, na thanë se po e bënin për të shpëtuar familjet shqiptare nga varësia e bixhozit. Na e shitën si një akt moral, si një goditje ndaj kumarit që po shkatërronte shtresat e varfra.

Por nuk na thanë se për të arritur këtë "shpëtim" do të duhej të merreshin dhjetra jetë njerëzish. Nuk na thanë se tregu nuk do të mbyllej, por thjesht do të kalonte në duart e krimit të organizuar. Nuk na thanë se mbyllja e basteve do të hapte rrugën për përplasje të dhunshme mes grupeve kriminale; për gjakderdhje në heshtje; për ndarje territorialesh me kallashnikovë.

Tregu nuk u mbyll; kaloi në duart e krimit

Me eliminimin e figurës qendrore që mbante tregun të përqendruar, aktiviteti nuk u shkatërrua. Përkundrazi, hyri në një fazë tjetër: u shpërnda, u zhvendos tërësisht online dhe kontrollin e morën grupe kriminale të lidhura me pushtetin, të cilat e kthyen bixhozin ilegal në para me thasë, pa taksa dhe pa asnjë lloj përgjegjësie publike.

Në çdo cep të Tiranës dhe qyteteve kryesore, në pamje të parë si kafene sportive, në realitet si qendra bastesh ilegale, u hapën dhjetëra pika me logo misterioze. Pas tyre qëndronte një rrjet i strukturuar, me menaxherë që nuk figuronin askund, me "të fortë lagjesh" që mblidhnin borxhet me 20;30% komision, dhe me platforma online të mbrojtura me VPN dhe kriptovaluta.

Shteti? Shteti nuk pa. Shteti nuk dëgjoi. Shteti ishte gjithmonë aty; por për të marrë pjesën e vet.

"Çantat e zeza" që udhëtonin çdo muaj

Rrjeti ishte i organizuar si një kompani e vërtetë, vetëm pa taksa dhe pa licencë. Në krye, menaxherë të rinj, pa asnjë precedent penal, por me aftësi të rralla organizative; të pathyeshëm sepse nuk ekzistonin askund në letra.

Çdo muaj, nga pikat e shpërndara në të gjithë kryeqytetin, mblidheshin qindra miliona lekë të vjetra fitim. Këto para, të futura në "çanta të zeza", udhëtonin drejt bosëve të vërtetë që rrinin në hije. Një pjesë e tyre rishpërndahej tek "të fortët e lagjes" që mbanin nën kontroll territoret dhe borxhet.

Askush nuk i ndalte. Askush nuk i pyeste. Sepse një pjesë e këtyre çantave ndalej tek ata që duhet të ruanin rendin.

Policia e Shtetit partnere në krim

Asnjë rrjet i tillë nuk mund të funksiononte pa mbështetjen e uniformave blu. Sipas burimeve, disa komisariate të Tiranës kanë qenë rregullisht në listëpagesat e organizatorëve të basteve. Për të mos ndërhyrë. Për të mos parë. Për të mos raportuar.

Kjo është arsyeja pse në zemër të kryeqytetit, në zona ku konfliktet me armë për kontrollin e territorit nuk kanë munguar, policia ka qenë gjithmonë inekzistente. Për vite, asnjë kontroll, asnjë bastisje, asnjë arrestim që të prekte shtresat e sipërme të këtij rrjeti.

Vetëm arrestime sporadike, vetëm "ushtarë" të vegjël, për të prodhuar statistika boshe, ndërsa bosët e vërtetë vazhdonin punën.

Nga bastet në beton; Si u pastruan miliardat në kulla, rezidenca dhe investime strategjike

Por ku shkojnë të gjitha këto para? Përgjigja gjendet në kantieret e ndërtimit që kanë shpërthyer në të gjithë Tiranën dhe bregdetin. Sepse betoni është miku më i mirë i parasë së pistë; e merr, e 'pastron' dhe e kthen në pasuri të patjetërsueshme.

Rrjeti i basteve ilegale ka prodhuar një industri të tërë pastrimi. Kulla luksoze në kryeqytet, rezidenca në bregdet, hotele, komplekse banimi, kartela kompanish të regjistruara me emra të afërmish dhe prestanomësh. Leje të marra me shpejtësi rekord, transferime kuotash brenda pak muajsh, investime strategjike në zona ku çmimi i tokës është rritur ndërkohë në mënyrë të pashpjegueshme.

Mekanizmi është gjithmonë i njëjtë: kompani të reja, të sapokrijuara, marrin leje ndërtimi në kohë rekord.

Pas tyre, në dokumente, dalin emra që nuk thonë asgjë. Por pas këtyre emrave, në realitet, qëndrojnë të njëjtët personazhe që kontrollojnë bastet. Paratë e pista hyjnë në kompani, kthehen në beton, dalin në shitje apartamentesh dhe në fund të zinxhirit janë pastruar në mënyrë të përkryer.

Pra, paratë e basteve marrin rrugën e betonit, kthehen në pasuri të paluajtshme dhe pastrohen në sy të gjithëve, ndërsa institucionet shikojnë pa lëvizur asnjë gisht.

500 milionë euro humbje; Çmimi që paguan buxheti për 8 vite anarki

Sipas të dhënave nga hetimet, vetëm nga bastet pa licencë, buxheti i shtetit ka humbur 40 deri 50 milionë euro në vit. Gjithsej, rreth 500 milionë euro për këtë periudhë 8-vjeçare.

Para që mund të kishin shkuar për pensione, për shëndetësi, për arsim. Para që në vend të kësaj kanë përfunduar në xhepat e bosëve të krimit, në kullat e tyre, në jetën luksoze dhe në financimin e fushatave elektorale. Sepse bastet nuk kanë ushqyer vetëm krimin; kanë ushqyer edhe politikën. 

Vrasjet që nuk u hetuan kurrë

Kur flet për bastet ilegale në Shqipëri, flet për gjak. Eliminimi i figurës qendrore që mbante tregun nën kontroll ishte vetëm maja e ajsbergut. Pas tij, konfliktet për ndarjen e tregut kanë lënë viktima në heshtje, vrasje që as nuk janë hetuar siç duhet, sepse në çdo skaj të këtij biznesi qëndron një uniformë që sheh nga ana tjetër apo një politikan që merr pjesën e vet.

Në disa zona të kryeqytetit, aty ku menaxherët e basteve kanë kërcitur armët për të mbajtur nën kontroll territorin, policia ka qenë gjithmonë e pranishme; por vetëm për të mos parë.

Pas 8 vitesh, vjen "rregullimi"

Sot, Këshilli i Ministrave miratoi aktin e parë nënligjor për rihapjen e basteve sportive online. Dy vjet pasi ligji hyri në fuqi, dy vjet vonesë që i dhanë kohë tregut ilegal të konsolidohej, tani qeveria kujtoi se duhet të rregullojë lojën.

Platformë e centralizuar, tha. Identifikim i lojtarëve, tha. Monitorim i transaksioneve në kohë reale, tha. E pastaj shtyu edhe 30 ditë të tjera hyrjen në fuqi, për t'u dhënë kohë atyre që duhet të "rregullojnë" punët e tyre para se të fillojë kontrolli i vërtetë.

Pse nuk u bë kjo 8 vjet më parë? Pse u desh të vriteshin njerëz, të humbnin miliarda, të ngriheshin kulla me para të pista, që shteti të vendoste 'rregulla'?

Tani që tregu po hapet, tani që do të ketë licenca, tani që transaksionet do të monitorohen; kush do të marrë licencat e para? Ata që e mbajtën tregun peng për 8 vjet, apo të tjerë që presin prej kohësh radhën?

Dhe më e rëndësishmja: Investimet strategjike që u ngritën me paratë e basteve, kullat, rezidencat, kartelet e kompanive; a do të preken një ditë, apo dikush do të pyesë një herë se me çfarë parash u ndërtuan?

Sepse nëse këto nuk preken, atëherë mesazhi është i qartë: paratë e pista mund të pastrohen, vrasjet mund të harrohen, 500 milionët e humbur mund të fshihen; mjafton të kesh mbrojtjen e duhur.

Dhe ndërkohë, betoni vazhdon të ngrihet, ndërsa drejtësia shikon nga ana tjetër. /Pamfleti

 

bastet ilegale pastrim parash në ndërtim kulla bastet rama rregullim

1 Komente

  1. Y
    Ylli

    Sa bukur është shkruar. Faleminderit. Të paktën të mos na dinë budallenj. Kur budallenjtë më të mëdhenj janë këta gjoja kokat që nuk e panë se vidh e vish nga pak secili, do bëhej orteku kaq dhe vetë ndërkohë kanë mbetur pas. Kanë degdisur fëmijët e tyre jashtë e tani rrojnë si qyqe në mëshirë infermierësh, doktorësh apo azilesh të denja. Nga ana tjetër këta të paudhët e të pashkollët çfarë jete jetojnë nën frikë, nën mallkim, me se e shtyjnë ditën, me se argëtohen e ta shijojnë jetën me të mirat e të ultat, vallë ku apo sa larg i çojnë fëmijët në shkolla e mbi të gjitha ça mësojnë apo tallava sharje lyerje boks

    Lini një Përgjigje