
Qeveria ka miratuar aktin e parë për rihapjen e basteve sportive. Më 1 prill 2024, hyri në fuqi ligji për lejimin e basteve online, sipas të cilit ministria e Financave duhej të kishte nxjerrë aktet nënligjore brenda korrikut 2024 dhe t’i paraqiste në qeveri. Vetëm sot është miratuar një prej tyre, por që do të hyjë në fuqi 30 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, duke e shtyre akoma më shumë procesin.
Por me miratimin e këtij akti nuk do të thotë se do hapen baste, pasi ai është një nga shumë të tjerë që duhet të miratohen.
Platformë e centralizuar për gjithë tregun
Sipas dokumentit të miratuar nga qeveria, bastet sportive do të operojnë përmes një platforme të centralizuar elektronike, e cila do të mbledhë dhe do të regjistrojë në kohë reale të gjitha bastet e vendosura nga lojtarët.
Kjo platformë do të lidhet me të gjithë operatorët e licencuar dhe do të shërbejë si një sistem qendror monitorimi, ku do të regjistrohen:
-çdo bast i vendosur nga përdoruesit
-koha dhe shuma e bastit
-koeficientët e përdorur
-rezultatet e basteve
-fitimet dhe pagesat e kryera
Në këtë mënyrë, çdo veprim që kryhet në platformat e basteve do të jetë i regjistruar dhe i kontrollueshëm nga autoritetet.
Kontroll i vazhdueshëm nga shteti
Platforma do të jetë e aksesueshme nga institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e aktivitetit të lojërave të fatit, të cilat do të kenë mundësi të monitorojnë në kohë reale të gjithë aktivitetin e operatorëve.
Sistemi do të ruajë gjithashtu historikun e plotë të transaksioneve dhe të dhënave të lojtarëve, duke krijuar një arkiv të plotë elektronik që mund të përdoret për kontrolle dhe hetime.
Regjistrimi dhe identifikimi i përdoruesve
Sipas rregullave të parashikuara, çdo përdorues që do të vendosë baste online duhet të jetë i identifikuar dhe i regjistruar në sistem. Platforma do të ruajë të dhënat e përdoruesve dhe aktivitetin e tyre në mënyrë që të garantohet transparenca dhe të parandalohet përdorimi i paligjshëm i basteve.
Në këtë mënyrë synohet të parandalohet edhe përdorimi i platformave për pastrim parash apo aktivitete të tjera kriminale, pasi çdo transaksion do të jetë i gjurmueshëm.
Lini një Përgjigje