
Vijojnë problemet me sigurinë ushqimore në vend. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar në Tiranë 738 kilogramë mish pule, të cilat ruheshin në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare. Gjatë kontrolleve, inspektorët kanë ndërhyrë edhe në një baxho dhe kanë sekuestruar rreth 329 kilogramë djathë, për shkak të shkeljeve të standardeve të sigurisë ushqimore.
Siguria ushqimore mbetet një problem shqetësues në disa biznese në vend. Gjatë një kontrolli të zhvilluar së fundmi në Tiranë, inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) kanë ndërhyrë në një subjekt tregtar, ku kanë bllokuar 738 kilogramë fileto dhe gjoks pule që ruheshin në kushte të papërshtatshme.
Sipas verifikimeve të kryera në ambientet e biznesit KMY, produktet e mishit nuk po trajtoheshin sipas standardeve higjieno-sanitare. Inspektorët konstatuan se gjatë procesit të ngrirjes dhe shkrirjes, mishi ishte vendosur drejtpërdrejt në tokë, ndërsa hapësirat e magazinimit ndodheshin pranë zonave ku kishte shenja myku dhe ndryshku.
Autoritetet theksojnë se ndërhyrja është bërë për të parandaluar hedhjen e këtyre produkteve në treg, pasi nëse nuk do të ishin bllokuar, ato mund të përfundonin në konsum nga qytetarët. Për shkak të shkeljeve të konstatuara, AKU ka vendosur pezullimin e aktivitetit të subjektit, deri në përmbushjen e kushteve të kërkuara për sigurinë dhe higjienën ushqimore.

Edhe operatori i biznesit ushqimor “Bonum” është përballur me masa nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pas një kontrolli ku u konstatuan shkelje të rënda të standardeve higjieno-sanitare në ambientet ku prodhohej djathi.
Sipas inspektorëve të AKU-së, baxhoja ku kryhej prodhimi kishte mure me lagështirë dhe myk, kushte që e bëjnë të papërshtatshëm për përpunimin dhe ruajtjen e produkteve ushqimore.
Për këto shkelje, ndaj kompanisë është vendosur një gjobë prej 300 mijë lekësh të rinj, si dhe është marrë masa për bllokimin e produkteve të gjetura në vend.
Gjatë kontrollit, inspektorët sekuestruan rreth 329 kilogramë djathë të bardhë dhie, i cili ndodhej në këto ambiente. Sipas autoriteteve, kjo sasi, ashtu si edhe mishi i pulës i bllokuar më herët në subjektin KMY, do të asgjësohet, pasi nuk përmbush standardet e sigurisë ushqimore.


Lini një Përgjigje