TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Mars 2026, 19:07

Jo vetëm celularë/ SPAK “batërdi” në institucione, sekuestron mbi 600 kompjuterë, USB, DVR dhe CD

Shkruar nga Pamfleti
Jo vetëm celularë/ SPAK “batërdi” në
Foto ilustruese

Analizat mbi pajisjet kompjuterike janë rritur me 62%, duke pasqyruar shtimin e dokumenteve financiarë dhe atyre elektronikë në hetime

Provat digjitale duket se janë elementi më i fortë i Prokurorisë së Posaçme. Përgjimet janë elementi kryesor, pasi vitin që lamë pas janë përgjuar afro 3 mijë celularë. Ndërsa po ashtu një strategji shumë e përdorur nga SPAK është sekuestrimi i telefonave celularë. Megjithatë këto nuk janë metodat e vetme të mbledhjes së provave.

Sipas raportit të SPAK për vitin 2025, përveç telefonave celularë, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit po fokusohen gjithnjë e më shumë edhe te kompjuterët, sistemet e regjistrimit video dhe pajisjet e ruajtjes së të dhënave, ku shpesh gjenden dokumente financiare, komunikime elektronike dhe materiale të tjera me vlerë për hetimet.

Vetëm gjatë vitit 2025, në Sektorin e Ekspertizës kanë mbërritur për analizë 372 vendime ekspertimi për 615 prova digjitale. Nga këto, përveç telefonave celularë, pjesë e hetimeve kanë qenë edhe:

-98 kompjutera
-14 DVR (sisteme regjistrimi video)
-153 pajisje të tjera digjitale, si hard disqe, USB, karta memorie dhe CD/DVD.

Të dhënat tregojnë se përdorimi i pajisjeve elektronike në hetime është bërë një nga armët kryesore të SPAK për të zbuluar skema korrupsioni dhe aktivitet kriminal.

Gjatë periudhës 2022-2025, Sektori i Ekspertizës pranë SPAK ka shënuar një rritje të qëndrueshme prej rreth 31% të akteve të ekspertimit, duke reflektuar zgjerimin e kapaciteteve teknike të laboratorëve të BKH-së, si dhe rritjen e kërkesave për analiza digjitale të thelluara. Telefonat celularë përbëjnë vazhdimisht rreth 70-75% të provave totale, duke nxjerrë në pah rëndësinë e analizës së metadata-ve, komunikimeve online dhe aplikacioneve të enkriptuara, ndërsa analizat mbi pajisjet kompjuterike janë rritur me 62%, duke pasqyruar shtimin e dokumenteve financiarë dhe atyre elektronikë në hetime”, shprehet SPAK.

Edhe vitet e mëparshme tregojnë të njëjtën prirje. Në vitin 2024, SPAK analizoi 110 kompjutera, 16 DVR dhe 162 pajisje të tjera digjitale, ndërsa në vitin 2023 u dërguan për ekspertim 76 kompjutera, 19 DVR dhe 121 pajisje të tjera elektronike.

Ndërkohë në vitin 2022, hetimet përfshinë 59 kompjutera, 11 DVR dhe 102 pajisje të tjera ruajtjeje të të dhënave.

Sipas raportit, shtimi i këtyre analizave lidhet me faktin se një pjesë e madhe e provave për korrupsion dhe abuzime financiare ruhen në formë digjitale, duke përfshirë kontrata, dokumente financiare, komunikime elektronike dhe arkiva të të dhënave.

Për këtë arsye, laboratorët e BKH-së po përdorin gjithnjë e më shumë ekspertizën digjitale për të analizuar kompjuterë, serverë dhe pajisje të tjera elektronike, që mund të zbulojnë prova kyçe për hetimet në zhvillim.

Në praktikë, kjo do të thotë se çdo kompjuter, USB apo pajisje ruajtjeje të dhënash mund të kthehet në një burim të rëndësishëm provash për hetuesit, duke e bërë SPAK gjithnjë e më shumë një “makth” për zyrtarët dhe administratën që dyshohen për korrupsion. /Pamfleti

spak sekuestro kompjutere

1 Komente

  1. A
    Anonim

    Eme ju lumte bravo spakut vazhdoni te pastroni ka shum papasterti

    Lini një Përgjigje