TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Mars 2026, 18:34

Emrat/ Mbyllen aplikimet për pasardhësin e Ilir Prodës, 14 efektivë në garë për të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit

Shkruar nga Pamfleti

Emrat/ Mbyllen aplikimet për pasardhësin e Ilir Prodës, 14

Përfundon afati për aplikim në garën e postit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Interes për të drejtuar informat blu kanë shprehur 14 kandidatë.

Mbyllen aplikimet për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas largimit të Ilir Prodës nga drejtimi i institucionit. Në garë për këtë pozicion kanë paraqitur kandidaturën 14 efektivë dhe drejtues të policisë, të cilët synojnë të marrin drejtimin e strukturës më të lartë të rendit në vend.

Procesi tashmë hyn në fazën e verifikimit të dokumentacionit nga Komisioni i Posaçëm, përpara se kandidatët të kalojnë në fazën e intervistave dhe përzgjedhjes përfundimtare.

Sipas procedurave të përcaktuara, dosjet e paraqitura do t’i nënshtrohen një kontrolli ligjor që pritet të zgjasë rreth 10 ditë. Kandidatët që plotësojnë kriteret do të vijojnë më tej me fazën e intervistimit.

Në përfundim të këtij procesi, lista me kandidatët e përzgjedhur do t’i paraqitet ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili do të ndjekë hapat e mëtejshëm të procedurës për emërimin e drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit.

Lista e kandidatëve që kanë aplikuar për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:

Pëllumb Seferi
Elidon Çela
Alfred Çepe
Rebani Jaupi
Saimir Boshnjaku
Lorenc Panganika
Afrim Tafa
Neritan Nallbati
Idejet Faskaj
Gentian Berberi
Tonin Vocaj
Skënder Hitaj
Arjanit Arapi
Gentjan Shehaj

E mërkura, 11 mars, ishte dita e fundit kur kandidatët mund të dorëzojnë dokumentacionin për të marrë pjesë në garë.

Të gjithë kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm janë zyrtarë me përvojë në strukturat e Policisë së Shtetit dhe synojnë drejtimin e institucionit për një mandat pesëvjeçar, siç përcaktohet nga ligji.

Mes emrave që kanë paraqitur kandidaturën është Pëllumb Seferi, aktualisht drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit. Ai njihet për përfshirjen në koordinimin e disa operacioneve të ekstradimit në vitet e fundit.

Në garë është gjithashtu edhe Elidon Çela, drejtori aktual i Policisë së Vlorës. Në të kaluarën ai ka drejtuar Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë dhe ka mbajtur disa funksione drejtuese brenda strukturave të policisë.

Një tjetër kandidat është Skënder Hitaj, drejtori i Policisë së Fierit, i cili më herët ka ushtruar detyra drejtuese edhe në qarqet Shkodër dhe Dibër.

Ndërkohë, në listën e aplikantëve figuron gjithashtu edhe Idajet Faskaj, i cili gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste të larta drejtuese në Policinë e Shtetit.

Në skenë është rikthyer ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj i cili ka aplikuar për postin e Drejtorit të Përgjitshëm të Policisë së Shtetit. Tonin Vocaj u largua nga drejtimi i Policisë së Tiranës në vitin 2024 ndërsa e mbajti si post për rreth 2 vite. Pavarësisht se ai u bë pjesë e garës në vitin 2024, për drejtor qarku, nuk mundi që të zgjidhej pasi u rendit i parafundit, pa mundur të sigurojë pikët e nevojshme.

Lini një Përgjigje