TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Mars 2026, 19:22

A e nënvlerësoi SHBA, Iranin? Milo: Trump po ndryshon qëndrim disa herë brenda ditës

Shkruar nga Pamfleti

A e nënvlerësoi SHBA, Iranin? Milo: Trump po ndryshon qëndrim

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, ishte i ftuari i radhës në podkastin “Të Pashoq”, ku komentoi zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe tensionet që lidhen me konfliktin në Iran.

Gjatë bisedës, Milo u ndal te pozicioni i Iranit në skenën ndërkombëtare, duke theksuar se vendi konsiderohet një fuqi e mesme, me kapacitete të konsiderueshme ushtarake dhe ndikim të rëndësishëm në rajon.

Sipas tij, Irani ka dëshmuar ndër vite se disponon një arsenal të madh armësh konvencionale, një ushtri të fortë dhe një regjim të konsoliduar, çka e bën një aktor të rëndësishëm në Lindjen e Mesme.

“Irani njihet si një fuqi e mesme. Ai ka një ushtri të fortë dhe një arsenal të madh armësh konvencionale, gjë që po e dëshmon edhe tani. Për më tepër, ka një ndikim të madh në rajon”, u shpreh Milo gjatë podkastit.

Megjithatë, ai theksoi se në këtë përballje Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ushtrojnë presion të vazhdueshëm ndaj Iranit, duke ndjekur një strategji që sipas tij nuk është gjithmonë realiste.

-E nënvlerësoi Irani në këtë rast kundërshtarin, në vendimmarrjen për ta sulmuar?

Milo: Irani njihet që është një fuqi e mesme. Se kështu cilësohet në klasifikimin që u bëhet shteteve të mëdha. Fuqi e mesme. E cila patjetër që është e armatosur, gjë që po e dëshmon, që ka patur një arsenal të madh të armëve konvencionale, një ushtri të fortë, një regjim të fortë. Dhe për rrjedhojë, ai ka dëshmuar që është një fuqi e madhe, qoftë edhe për shkak të influencës që ka në rajon. Por mund të them që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke ushtruar një presion dhe janë duke bërë një politikë që jo gjithnjë mund të konsiderohet realiste, ose për më tepër, është një taktikë ajo çka ndjek Presidenti Trump aktualisht, që brenda ditës i ndryshon qëndrimet dy-tre herë. Dhe objektivat e tij janë më tepër të shpallura, por lëvizjet e tij më tepër duhen konsideruar taktike, qoftë deklaratat që bën herë pas here dhe brenda ditës, qoftë edhe lëvizjet që bën më gjerë, qoftë dhe presionin që ushtron ndaj vendeve të ndryshme. Qëllimi i tij, dhe dihet që e ka shpallur që në kohën e fushatës elektorale dhe është duke e zbatuar tani, është Amerika e para, Amerika mbi të gjitha.

 

Lini një Përgjigje