Hetimi i BKH dhe SPAK zbulon rolin e Drejtorit të Licencave të Basteve Online në favorizimin e 58 platformave ilegale, me mbulim institucional dhe bashkëpunim policor...
Përgjimet dhe dëshmitë e administruara nga BKH dhe SPAK tregojnë se Gjergji Taho, Drejtor i Licencave të Basteve Sportive Online në Ministrinë e Financave, mbajti të bllokuara për dy vite licencat ligjore, duke krijuar terren të lirë për rrjetin e basteve online ilegale me fitime rreth 30 milionë euro në vit. Dosja hetimore evidenton mosraportimin e 58 platformave ilegale, bashkëpunimin me ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe përfshirjen në skema pastrimi parash përmes “Durana Tech Park”, duke e vendosur Tahon në qendër të një strukture të organizuar kriminale që po hetohet nga SPAK.
Nga hetimi paraprak që kanë kryer BKH dhe SPAK për rrjetin e basteve sportive online ilegale, referuar përgjimeve dhe dëshmive të personave të arrestuar, është konstatuar se favorizues i këtij rrjeti kriminal është Gjergji Taho, Drejtor i Licencave të Basteve Sportive Online, me qendër në Ministrinë e Financave.
Megjithëse, sipas ligjit, dhënia e 10 licencave për bastet sportive online duhej të kishte nisur dy vite më parë, me afat brenda një muaji, drejtori i komisionit ndërministror të basteve, Gjergji Taho, vijon t’i mbajë të bllokuara licencat në mënyrë të qëllimshme.
Pa asnjë dyshim, drejtori Gjergji Taho i ka bllokuar licencat e basteve online me urdhër verbal të kryeministrit Edi Rama dhe me heshtjen e imponuar të Ministrit të Financave, Petrit Malaj, duke lënë terren të lirë për aktivitetin e basteve online ilegale, me fitime rreth 30 milionë euro në vit.
Në dosjen e SPAK janë skeduar 58 platforma bastesh sportive online ilegale, ndër të cilat, me aktivitet masiv, janë platformat “333”, “CR7”, “B3T”, “Arena”, “Modig”, “Trodo Caffe”, “Fair Play Bast”, “Barcelona”, “Viena” etj.
Këto platforma janë denoncuar te drejtori i licencave të basteve online, Gjergji Taho, por ai nuk i ka raportuar në Polici, Prokurori dhe SPAK. Sipas hetimit, ai nuk ka informuar as komisionin ndërministror dhe as Ministrinë e Financave, si ministri e linjës.
Paralelisht me mosraportimin e aktivitetit të tyre ilegal, drejtori Gjergji Taho prej dy vitesh mban të bllokuara licencat për bastet sportive online, bllokim që SPAK po e heton si veprim dirigjues të një skeme të organizuar në favor të grupeve kriminale të basteve.
Sipas hetimit të BKH dhe SPAK, drejtori i licencave të basteve, Gjergji Taho, ka dalë në përgjime me këto role: njëri nuk jepte licenca për bastet e ligjshme online dhe nuk raportonte aktivitetin ilegal, ndërsa tjetri nuk lejonte goditjen e basteve ilegale dhe dekonspironte aksionet policore dhe të SPAK ndaj tyre.
Drejtori i licencave të basteve, Gjergji Taho, nuk është emëruar rastësisht edhe administrator i “Durana Tech Park” në Xhafzotaj, ku ka hartuar raporte, projekte, investime dhe financime false, sikur ky park është ndërtuar dhe është në aktivitet, madje ka anëtarësuar 75 kompani fantazmë, të paraqitura sikur zhvillojnë aktivitet në këtë park teknologjik.
Në hetimet që po kryejnë BKH dhe SPAK, drejtori i licencave të basteve dhe i “Durana Tech Park”, Gjergji Taho, rezulton gjithashtu pjesë e grupit “Agasi”, si orientues i investimeve në ndërtim, me miliona euro të siguruara nga bastet online ilegale, me vlerë rreth 30 milionë euro në vit.

Në disa përgjime, drejtori Gjergji Taho, me ndërmjetësimin e Ergys Agasit, rezulton përfitues i shumave milionëshe nga grupet e basteve ilegale, si shpërblim për bllokimin e licencave të ligjshme.
Një nga këto favore është fakti që drejtori Gjergji Taho, prej dy vitesh, nuk ka dërguar në Agjencinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit emrat e aplikuesve për licenca bastesh dhe kërkesën për hapjen e garës për bastet online.
Këtë mosveprim, BKH dhe SPAK e kanë cilësuar si zvarritje të qëllimshme për të lejuar aktivitetin e basteve ilegale. Paralelisht, po hetohen edhe gjashtë kompani të Gjergji Tahos, me aktivitet në baste, lojëra elektronike, call-center dhe investime ilegale, për të cilat do të ketë vijim./Pamfleti
Lini një Përgjigje