Konstatohet se 40% e tenderëve janë për shërbime fiktive që nuk realizohen, mbasi janë sajuar për qoka; që i marrin oligarkët, klientët dhe miqtë e politikanëve; të cilët lënë pjesën sipas pazareve paraprake, kundrejt tolerancës për mos zbatimin e kontratave sipas kostos e projekteve...
Në një investigim për tenderët fiktivë, pa njoftim publik, pa garë e me dokumente false e oferta të larta që bëjnë bashkitë, “Pamfleti” ka konstatuar se ka bashki që bëjnë nga 2-3 tenderë në muaj, ndërsa Bashkia e Tiranës është rekord për numrin e tenderëve që bën çdo ditë.
Sipas regjistrit të Agjencisë së Prokurimeve Publike, rezulton se gjatë vitit 2022, Bashkia e Tiranës ka bërë mesatarisht 13 tenderë në ditë, ndërsa gjatë vitit 2023 ka bërë 16 tenderë në ditë; 70% nga të cilët mbi 200 milionë lekë, dhe të gjithë me ofertë sa 97-100% të fondit limit.

Vitin 2024, Bashkia e ka filluar me 20 tenderë në ditë, ndërsa javën që u mbyll ka arritur rekordin me 26 tenderë në ditë, por sipas njoftimeve të prokurimeve të reja, ky numër mund të jetë më i madh në vazhdim.
Nuk themi, që Bashkia e Tiranës të mos bëjë tenderë, dhe logjikisht që do bëjë më shumë se bashkitë e tjera; por në numrin e lartë të tyre, konstatohet se 40% e tenderëve janë për shërbime fiktive që nuk realizohen, mbasi janë sajuar për qoka.
Ndërsa 20% e tenderëve janë shpenzime të paguara nga 2-3 herë, por edhe për rikonstruksione mjedisesh publike, që me letra tenderësh u jepen firmave private formalisht, ndërsa punimet kryhen nga ndërmarrjet e Bashkisë Tiranë.
Në 26 tenderët e shpallur më 15 janar, ka një fakt që duhet hetuar nga SPAK: bëhet fjalë për rehabilitim të 32 rrugëve të brendshme nëpër lagjet e Tiranës, për të cilat janë bërë të njëjtët tenderë në muajit prill-maj e shtator-tetor 2023.

Por me ndryshimin, që këtë fillim-viti, janë qarkulluar fituesit, duke u ndërruar tenderët e rrugëve, të njëjtave firma që prej 8 vitesh marrin përherë benefitet në Bashkinë e Tiranës sipas një liste e ndarjeje klienteliste.
Një tjetër klientelizëm, është fakti se në të gjithë tenderët, kanë të gjitha firmat si me regji, kanë marrë pjesë në gara me oferta e pa oferta, por secili ka marrë nga 2-3 tenderë, duke u shpallur fitues me kritere që nuk i plotësonin në tenderët ku janë skualifikuar.
Këto firma janë “pararoja” e tenderëve të mëdhenj me vlera mbi 400 mijë Euro, që i marrin vetëm oligarkët, klientët dhe miqtë e politikanëve; të cilët lënë pjesën sipas pazareve paraprake, kundrejt tolerancës për mos zbatimin e kontratave sipas kostos e projekteve./Pamfleti
Lini një Përgjigje