“Sundimtarë të përjetshëm, të paaftë e të lidhur me krimin”...
Përveç shkundjes që i ka bërë policisë e goditjeve për vetëpastrimin e saj, ministri Taulant Balla, po gjendet para zvarritjes së procesit të gradave, për oficerët që duan të bëjnë karrierë në poste drejtuese, bllokim që duket se po krijohet nga Babloku.
Fakti është ky: më 26 nëntor 2023, ministri Balla, njoftoi se nisi procesi i dhënies së 52 gradave “Drejtues i Parë” dhe 520 gradave “Krye-komisar” e “Komisar”, ndërsa pas gradimeve, po kaq poste drejtuese do shpallen vakante e do plotësohen me konkurs të hapur.
Këtë procedurë, ministri Balla e cilësoi si masë emergjente për të vetë-pastruar policinë e shtetit në nivele të larta, por së pari, për t’i dhënë fund sundimit të një grupi drejtuesish të përjetshëm, të paaftë, të zhytur në korrupsion e lidhje me krimin.
Afati i aplikimit të gradave ishte deri më 17 dhjetor 2023, për të cilat, sipas informacionit aplikuan 2345 oficerë të rinj në të 12 drejtoritë e qarqeve, që mendojnë se plotësojnë kriteret e kohës në shërbimin policor, aftësitë, meritat gjatë detyrës e kritere të tjera të integritetit.
Por në informacionin, që “Pamfleti” ka siguruar nga burime brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, thuhet se procesi i 52 gradave “Drejtues i Parë” dhe 520 gradave “Krye-komisar” e “Komisar” është bllokuar e anuluar përsëri.
Për rrjedhojë, është anuluar edhe konkurrimi për kaq vende drejtues policie; që do të thotë, se në krye të policisë së shtetit, nga qendra në drejtoritë rajonale, komisariate dhe sektorët e strukturat speciale, do vazhdojnë të jenë ata drejtues të kalbur, që ministri Taulant Balla i quajti “sundimtarë të përjetshëm e të paaftë dhe të lidhur me krimin e korrupsionin.
Thuhet, se edhe këtë herë, është Babloku ai që ka urdhëruar anulimin e dhënies së gradave për oficerët e rinj; ndërsa si version zyrtar po përdoret justifikimi, se gjoja fillimisht duhet bërë ndryshimi i ligjit të policisë brenda vitit 2024, pastaj do bëhet gradimi dhe emërimi i drejtuesve të rinj.
Që sipas afateve kohore, rezulton se sundimtarët e përjetshëm në çdo nivel drejtimi të strukturës policore nga qendra në zona, do vazhdojnë të qëndrojnë në detyra deri sa të përfundojnë zgjedhjet e vitit 2025, kur largimi i tyre është emergjent për të shpëtuar policinë nga kapja prej krimit.
Për këtë emergjencë pastrimi të kupolës së policisë, ish-Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka folur qysh më 23 nëntor 2021 në konferencën kundër trafiqeve, ku tha se drejtuesit e policisë shqiptare, janë të lidhur me grupet e trafikantëve.
Ndërsa EUROPOL, deklaroi se në krye të policisë shqiptare, janë 380 drejtues në qendër e zona, të cilët rezultojnë të lidhur me trafikantë e grupe kriminale./Pamfleti
Lini një Përgjigje