Gjatë përplasjes me forcat e policisë, disa protestues janë lënduar, ndërsa dy qytetarë janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore pas kontaktit fizik me efektivët.
Situata në fshatin Rrjoll të Velipojës është tensionuar këtë të shtunë, ndërsa banorët vijojnë protestat kundër ndërtimit të resortit turistik “Blue Borgo”, një projekt nga oligarku Bashkim Ulaj.
Gjatë përplasjes me forcat e policisë, disa protestues janë lënduar, ndërsa dy prej tyre janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore pas sherrit fizik me efektivët.
Të revoltuar për atë që e cilësojnë si grabitje të pronës, protestuesit dëmtuan xhamat e disa eskavatorëve dhe kabinave të kompanisë ndërtuese “Gener 2”, si dhe automjete të kompanisë private të sigurisë “Breçani Security”, e kontraktuar për ruajtjen e territorit.
Prej rreth një muaji, banorët e zonës kundërshtojnë zhvillimin e projektit, duke pretenduar se punimet po kryhen mbi toka që u përkasin familjeve të Rrjollit. Ata shprehen se nuk do të heqin dorë nga kundërshtimi dhe e konsiderojnë çdo ndërhyrje pa një zgjidhje përfundimtare ligjore si cenim të së drejtës së pronës.
“Largohuni nga tokat tona”, kanë deklaruar protestuesit gjatë tubimit, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve deri në sqarimin e statusit të pronësisë.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë njohu të drejtën e pronësisë së familjes Malaj mbi një sipërfaqe prej 20,700 metrash katrorë (rreth 2.1 hektarë) në fshatin Rrjoll. Vendimi erdhi pas një procesi gjyqësor të nisur në vitin 2018 kundër Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe u pranua pjesërisht padia e Nikollë Malajt.
Sipërfaqja e njohur nga gjykata ndodhet në një zonë kufitare me territorin ku po zbatohet projekti turistik. Pas këtij vendimi, banorët presin që drejtësia të shqyrtojë edhe çështjen e parcelës ku aktualisht po ndërtohet resorti.
Ata kundërshtojnë gjithashtu pretendimin për pronësi nga Fatmir Shpellzaj, ish-drejtor i Kadastrës dhe përfaqësues i Partisë së Lirisë, i cili ka deklaruar se zotëron tokën në fjalë. Banorët e akuzojnë për falsifikim dokumentesh në procesin e regjistrimit të pronës, pretendim për të cilin nuk ka ende një vendim gjyqësor.
Projekti “Blue Borgo”
Punimet për ndërtimin e resortit nisën në fillim të muajit shkurt, pasi subjekti zhvillues siguroi lejen përkatëse të ndërtimit. Projekti shtrihet në një sipërfaqe prej 146 hektarësh dhe parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga tre deri në dhjetë kate mbi tokë, si dhe një kat nëntokë. Zhvillues i investimit është shoqëria “ABA Blue Borgo”, e cila gëzon statusin e investitorit strategjik.


Po atje kishte dhe gure mor djelmosha, si e late ate rracen shtazore te vinte dore mbi ate femer?