TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia27 Shkurt 2026, 12:23

Arian Cara, 'mafiozi' i call-centerave; nga FRPD te karteli i kompanive që pastrojnë miliona euro kriminale në Tiranë- Durrës- Londër

Shkruar nga Pamfleti
Arian Cara, 'mafiozi' i call-centerave; nga FRPD te karteli i
Luis Hoxha, Arian Cara/

Arian Cara, ish-drejtues i FRPD-së në kohën e Belind Këlliçit, ka ndërtuar një kartel kompanish brenda dhe jashtë vendit për të pastruar miliona eurot e pista të call center-ave mashtrues që zhvatën qytetarë të BE-së.

Nga “guacka” në Londër te gjashtë kompanitë në Shqipëri, nga zyrat në Bllok te tenderat e Portit të Durrësit, Cara bashkëpunon me Luis Hoxhën, Greta Deljanin dhe bedelë të tjerë, nën mbrojtjen e segmenteve të korruptuara të policisë. Lidhjet e tij me botën e krimit në Durrës...

Pas daljes së emrave të Arian Carës, Luis Hoxhës dhe Klaus Shaqirit në materialet hetimore për call center-at mashtrues që zhvatnin qytetarë të BE-së, “Pamfleti” siguroi dokumentet e regjistrave tregtarë të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në to, Arian Cara figuron ortak dhe administrator në gjashtë kompani aktive në Shqipëri dhe një të shpërbërë në Londër, bashkë me Luis Hoxhën e FRPD. Por pas këtyre kompanive, burime pranë grupeve hetimore konfirmojnë se qëndron një strukturë e mirëorganizuar e pastrimit të parave të pista të call center-ave mashtrues.

Më 8 mars 2018,  Arian Cara, në atë kohë 35 vjeç, drejtues në FRPD-së dhe ortak i Luis Hoxhës në zhvatjet me call center, krijoi në Londër kompaninë “LAUREL PROJECTS LTD” me kapital të deklaruar dhe adresë në Kemp House, 160 City Road.

Arian Cara, 'mafiozi' i call-centerave; nga FRPD te karteli i
Kompania 'guackë' në Londër

Por, 17 muaj pas krijimit, më 13 gusht 2019, Arian Cara e shpërbëri kompaninë me shënimin “Dissolved”, pasi kishte bërë punën e saj: të kalonte fonde pa lënë gjurmë, nën maskën e një kompanie guackë (shell company)

Fakti që adresa e regjistrimit ishte në Londër dhe që Cara vendosi administrator Luis Hoxhën,ortakun e vjedhjeve me forex, është një indicie për grupet hetimore shqiptare dhe ndërkombëtare të gjurmojnë aktivitetin e kartelit të kompanive të Carës.

Në regjistrat tregtarë shqiptarë, Arian Cara figuron ortak dhe administrator në gjashtë kompani aktive: "B-Pro", "My Tv", "FinTech Solution", "VERTEX INVEST", "2.0" dhe "ZERO LOUNGE". Nga tregtimi i sistemeve kompjuterike te bar-snack, nga konsulenca juridike te investimet në pasuri të paluajtshme.

Në VERTEX INVEST dhe FinTech Solution, Cara figuron së bashku me Luis Hoxhën. Në B-Pro, ai shfaqet me Bledar Shehun dhe Lorin Hoxhën, ndërsa në My Tv me Doklead Ademin.

Por burime pranë krimit ekonomik bëjnë me dije se pas këtij karteli kompanish fshihen evidenca të qarta për pastrim parash. Diversifikimi i veprimtarive dyshohet se shërben për të mjegulluar rrjedhat e paligjshme financiare.

Arian Cara, 'mafiozi' i call-centerave; nga FRPD te karteli i

Në korrik 2025, Lorin Hoxha, vëllai i Luis Hoxhës, sot pronar 100 për qind i kompanisë ALBANIAN STEVEDORING COMPANY, fitoi një tender me vlerë mbi 800 mijë euro nga Porti i Durrësit, për marrje me qira të pajisjeve për Terminalin e Kontejnerëve.

Paratë e mashtrimit ushqejnë biznese që përfitojnë nga kontratat publike.

Në vitin 2019, Reshard Këlliçi, vëllai i Belind Këlliçit, kishte përfituar në mënyrë indirekte nga aktiviteti i ASC përmes aksioneve në kompaninë SIAC, aksione të cilat në shkurt 2021 i kaluan Lorin Hoxhës.

Një cikël ku familjarë politikë dhe ortakë biznesi kalojnë aksione mes tyre, ndërsa kompania vijon të përfitojë kontrata publike.

Një tjetër hallkë kyçe e këtij karteli është Greta Deljani.

Greta Deljani ka qenë drejtoreshë e kabinetit të Lulzim Bashës gjatë kohës që ai ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sot Deljani rezulton administratore e Power & Gas Operations, një prej kompanive të shumta që përbëjnë kartelin e pastrimit të parave të Luis Hoxhës dhe Arian Carës.

Burime pranë grupeve hetimore konfirmojnë se roli i Greta Deljanit nuk është thjesht administrativ. Deljani dyshohet se është hallka kyçe në sistemimin e parave të pista dhe në mbulimin e gjurmëve të aktivitetit kriminal që shtrihet nga zyrat e Bllokut te tenderat e Portit të Durrësit.

Zyrat ku zhvillohet aktiviteti i mashtrimit janë në zemër të Tiranës.

Një prej lokacioneve të përmendura nga burimet ndodhet në zonën e Bllokut, sipër lokalit “Cioccolati Italiani”, ku janë instaluar struktura telefonike dhe staf i trajnuar për manipulim financiar.

Por jo vetëm. Burime pranë krimit ekonomik konfirmojnë se zyrat kryesore të këtij rrjeti ndodhen në Kompleksin Green Park në ish-Bllok, aty ku Arian Cara ka instaluar strukturat drejtuese të operacionit dhe nga ku koordinohen celulat e call center-ave mashtrues.

Dhe kur puna vështirësohet, paratë udhëtojnë drejt Durrësit, te kompanitë e regjistruara në emër të tij dhe të Hoxhës, gati për t’u futur në qarkullim të pastër.

Burime pranë grupeve hetimore konfirmojnë se segmente të korruptuara të Policisë së Shtetit kanë mbyllur sytë ndaj aktivitetit të këtyre call center-ave, duke garantuar mbrojtje për rrjetin e Carës dhe Hoxhës.

Dhe në fund, një detaj që lidh gjithçka.

Arian Cara, nuk vepron i vetëm as në biznes dhe as në mbrojtje. Ai është mik i një personazhi të botës së krimit në Durrës, Elvis Docit ose 'Visi i Pojës', ku ka evidenca se kanë shkëmbyer para dhe kompani me njëri tjetrin.... /Pamfleti

arian cara luis hoxh greta deljani kartel kompanish call center pastrim paras

Lini një Përgjigje