Ministria e Drejtësisë synon të shtojë 110 zyra noteriale dhe 90 përmbarimore, ndërsa ligji përcakton kuota sipas numrit të popullsisë...
Ministria e Drejtësisë po përgatit shtimin e 200 licencave të reja për noterë dhe përmbarues privatë, pavarësisht se numri aktual i zyrave tejkalon raportin e parashikuar në ligj me popullsinë. Sipas Ligjit për Noterinë dhe Ligjit për Shërbimin Përmbarimor, kuotat përcaktohen në bazë të numrit të banorëve të deklaruar nga Censi. Aktualisht funksionojnë rreth 410 zyra noteriale dhe 187 përmbarimore, ndërsa projektet e reja parashikojnë një rritje të ndjeshme. Çështja ka ngritur debat mbi përputhshmërinë me kriteret ligjore dhe transparencën e procesit të licencimit.
Me emërimin e Besfort Lamallarit në krye të Ministrisë së Drejtësisë, Edi Rama nuk iu referua aftësive të tij profesionale, por gatishmërisë për të firmosur dokumentet që i paraqiten, siç ndodhi edhe gjatë kohës kur shërbeu në Ministrinë e Brendshme.
Pas emërimit të disa bashkëpunëtorëve në Ministrinë e Drejtësisë dhe në institucionet qendrore në vartësi të saj, ministri Besfort Lamallari ka nisur procedura për shtimin e licencave në shërbime të bizneseve private.
Sipas informacionit, ministri, në koordinim me drejtues të Dhomës së Noterëve dhe Dhomës së Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, ka urdhëruar nisjen e procedurave për rritjen e numrit të noterëve dhe përmbaruesve privatë.
Burimet thonë se Ministria e Drejtësisë synon të licencojë edhe 110 zyra noteriale dhe 90 zyra përmbarimore private, duke tejkaluar numrin e përcaktuar në ligjet përkatëse, të cilat parashikojnë licencim me testim dhe në raport me numrin e popullsisë.
Në nenin 10 të Ligjit nr. 110, datë 20 dhjetor 2018 “Për Noterinë”, përcaktohet se duhet të ketë një zyrë noteriale për çdo 15 mijë banorë, sipas të dhënave të Censit.
Sipas këtij kriteri, në Shqipëri duhet të funksionojnë rreth 160 zyra noteriale, të shpërndara sipas numrit të banorëve. Aktualisht raportohen rreth 410 zyra noteriale, ndërsa parashikohet shtimi i 110 zyrave të tjera.
Në Ligjin nr. 26, datë 8 maj 2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, parashikohet një zyrë përmbarimore për çdo 20 mijë banorë. Aktualisht funksionojnë 187 zyra përmbarimore private, ndërsa synohet shtimi i 90 zyrave të reja.
Çështja e licencave për noterë dhe përmbarues ka qenë objekt debatesh edhe në të kaluarën, gjatë qeverisjeve të ndryshme, ku është ngritur shqetësimi për mënyrën e dhënies së tyre dhe për respektimin e kuotave ligjore.
Shtimi i numrit të licencave në këtë sektor ka ngritur pikëpyetje mbi përputhshmërinë me kriteret ligjore dhe mbi transparencën e procesit të përzgjedhjes./Pamfleti
E gjitha behet për te mbushur xhepat e Lamallarit , me bekimin e Rames. Kush e di sa para pẽr xhepin e te dyve duhet paguar
Shqiperia ka numrin me te larte re notereve ne bote..qellimisht te kerkohet te noterizosh cdo leter....