
Në vëmendje të BE/ Bashkia e Sarandës dhe FSHZH uzurpojnë pronën private në Ksamil
Një skandal i pastër po ndodh në Ksamil dhe që nuk mund të quhet gabim administrativ, por grabitje me kostum nga banda shtetërore e Bashkisë së Sarandës, e cila bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit ka nisur punimet për një vepër publike në një truall privat, pa marrë në konsideratë pronarin, pa shpronësim, pa leje mjedisore dhe pa vendosur as tabelën e punimeve që e detyron ligji, pra duke bërë tamam siç bëjnë bandat e ndërtimeve pa leje që hedhin beton natën për të bërë fakt të kryer, por këtu betoni hidhet ditën në diell, në emër të shtetit dhe me kostum e kravatë.
Fshati turistik i Ksamilit, perla e rivierës shqiptare dhe një nga zonat më të kërkuara nga pushuesit vendas e të huaj, po përballet me një ndërhyrje që i ngjan më shumë një pushtimi sesa një investimi publik. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i garantuar nga Bashkia e Sarandës se trualli është publik dhe pa probleme, ka nisur punimet për një vepër, afati i së cilës është 24 muaj, por punohet me ritme marramendëse pikërisht për të bërë fakt të kryer dhe për ta lënë pronarin e vërtetë të truallit me gisht në gojë, sepse kur betoni të jetë hedhur, kush do ta presë atë për të rikthyer pronën?
Por kjo nuk është vetëm një cenim i pronës private, por një shkelje e shumëfishtë e ligjit dhe një provokim i hapur ndaj çdo qytetari që zotëron tokë në Shqipëri. Punimet po ndërmerren pa leje mjedisore, pra duke shkelur të gjitha normat që mbrojnë natyrën dhe turizmin në një nga zonat më të ndjeshme të vendit. Ekspozimi i të dhënave të investimit përmes tabelës së punimeve, që është detyrim ligjor për çdo kantier, mungon plotësisht, pra punohet në errësirë të plotë informative për qytetarët. Mbi të gjitha, nuk ekziston asnjë akt që të justifikojë marrjen e pronës private, sepse as shpronësimi nuk është bërë dhe as pronari nuk është njoftuar, thjesht dikush nga Bashkia e Sarandës ka vendosur që kjo tokë t'i duhet shtetit dhe e ka marrë, ashtu siç merr një bandë atë që do pa pyetur.
Pyetja që ngrihet menjëherë është: Si ka mundësi që Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ky institucion që supozohet të financojë vepra publike në të gjithë vendin, të bjerë kaq lehtë në kurthin e Bashkisë së Sarandës, apo më tepër, të bëhet bashkëpunëtor i hapur i grabitjes duke mbyllur dy sytë para faktit që trualli për të cilin Bashkia e garantoi se është publik, në realitet është pronë private e njohur me ligj, pra duke vënë në dispozicion fondet publike për të legjitimuar këtë vjedhje.
Një detaj tjetër që e bën këtë skandal unik në llojin e vet dhe potencialisht shumë të kushtueshëm për Shqipërinë, sepse cënimi i pronës private dhe mosrespektimi i së drejtës së pronarit për t'u dëgjuar para se t'i merret toka, është një nga pikat kyçe të Kapitullit 5 që Shqipëria ka nënshkruar me Bashkimin Europian për t'u bërë pjesë e familjes së madhe europiane, pra ajo që po bën Bashkia e Sarandës në Ksamil nuk është thjesht një paligjshmëri lokale, por një shkelje e drejtpërdrejtë e angazhimeve ndërkombëtare të shtetit shqiptar, dhe për këtë mjafton që skandali të bëhet i ditur përmes kanaleve mediatike në Komisionin Europian
Ky skandal nuk është thjesht një grabitje që ndodh në Ksamil, por hapja e një rruge të rrezikshme që legitimon çdo ndërhyrje të ardhshme të shtetit mbi pronën private, sepse nëse sot Bashkia e Sarandës dhe FSHZH hedhin beton mbi një truall privat pa shpronësim, pa leje, pa njoftuar pronarin, duke u mjaftuar me një garant gojor se toka është publike kur në fakt nuk është, atëherë çdo institucion tjetër nesër mund të bëjë të njëjtën gjë kudo në Shqipëri, dhe askush nuk do të ndihet më i sigurt në pronën e vet.
Pyetjet që kërkojnë përgjigje:
Kush nga Bashkia e Sarandës ka garantuar tek FSHZH se trualli është publik dhe a do të mbajë përgjegjësi penale për këtë deklarim të rremë që ka nisur punimet mbi pronën private?
Pse FSHZH nuk ka kërkuar asnjë dokument pronësie para se të hidhte paratë e taksapaguesve në këtë ndërhyrje dhe a ishte mungesa e kontrollit injorancë apo bashkëpunim i qëllimshëm me Bashkinë për të bërë fakt të kryer?
Kush do të mbajë përgjegjësi për punimet pa leje mjedisore dhe për mungesën e tabelës së punimeve që është detyrim ligjor për çdo kantier në Shqipëri?
Sa do t'i kushtojë Shqipërisë kjo shkelje e hapur e Kapitullit 5 në raport me Bashkimin Europian dhe kush do e paguajë këtë kosto?
Për më tepër, ndiqni pamjet që Pamfleti siguron në vendngjarje. /Pamfleti
Lini një Përgjigje