
Ish-presidenti amerikan Bill Klinton është pritur me një ceremoni zyrtare gjatë vizitës së tij në Tiranë. Ai nisi sot një vizitë historike, pasi për herë të parë viziton vendin tonë. Pas një dreke tek vila qeveritare, Klinton u prit para Kryeministrisë nën tingujt e himneve kombëtare të të dyja shteteve.
Më pas ai shtrëngoi duart me ish-presidentët Topi dhe Moisiu dhe u ul krah tyre. Ceremonia u moderua nga këngëtarja Manjola Nallbani, e cila performoi me një këngë në nder të vizitës së tij.
Më pas fjalën e mori kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi ish-presidentin Bill Klinton për kontributin që i ka dhënë për shqiptarët, por jo vetëm.
“Clinton nuk do t’i kishte gjetur kurrë aleatë për çlirimin e Ballkanit nga diktatori i fundit. Jo vetëm Blair, por edhe krye e majtë të Anglisë, bashkë me kryen konservator të Spanjës, ishin pesëshja kyçe që ia mundësuan Cilnton vendimmarrjen historike të NATO-s për realizmin e çlirimit të Kosovës dhe çeljen e një epoke të re, për këtë lagje të njohur si fuqia e barutit në zemër të Eruopës. Ne shqiptarët kemi pasur privilegjin ta përjetojmë drejtpërdrejtë forcën rrëqethëse të fjalës së Clinton në 24 mars 1999 kur iu drejtuar mbarë botës: “Sot Forcat tona të Armatosura, së bashku me aleatët tanë të NATO-s morën pjesë në goditjet ajrore kundër forcave serbe, të cilat janë përgjegjëse për brutalitetin e ushtruar në Kosovë". Ai fjalim është për historinë e Kosovës dhe rajonin tonë një gur përcaktuar i rrugës së të ardhmes”, tha Rama.

Rama u shpreh se kasapi i Beogradit, mund ta kishte ngrysur jetën në pushtet nëse ai nuk do të kishte mbështetur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
"Vendlindja Clinton quhet ‘Hope’ shpresë dhe mbase nuk është krejt rastësi që shpresën ai ua dha shqiponjave të tij të përzënë nga shtëpia në Kosovë. Na mësoi me forcën e oratorisë së tij se të kesh shpresë do të thotë të besosh, se ka regjime dhe qeveri të këqij, por nuk ka popuj të këqij. Mund të thuhet pa frikë se koha që ka rrjedhur nga ai vendim historik mund të kishte qenë shumë e më e zymtë. Jo vetëm për Kosovën, por për pasojë edhe për të gjithë serbët, për dy popujt më të mëdhenj të Ballkanit, janë të dënuar të jetojnë përjetësisht së bashku, që ta kthejnë në një vend duke jetuar në paqe ose ta lënë peng dhe të jetojnë në kurriz me njëri tjetrin.
Mund të thuhet se refugjatët shqiptarë mund të mos ishin kthyer më në shtëpi. Vetë kasapi i Beogradit mund ta kishte ngrysur jetën në pushtet dhe e shkuara për të ardhur deri këtu ku jemi mund ti kishte grabitur kush e di sa kohë akoma të ardhmen Ballkanit. Kontributi për Shqiponjën tonë matanë Bjeshkëve është kontribut i çmuar. Në mbështetje të Shqipërisë Clinton mbështeti Shqipërinë jo thjesht me programe ndihme por i hapi rrugë marrëdhënieve strategjike”, tha Rama.
Vizita e Clinton, që njihet edhe si president nderi për shqiptarët, për vetë ndikimin pozitiv që ka mbajtur për Shqipërinë e Kosovën, është përshëndetur nga e gjithë politika shqiptare.
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës do të organizojë nesër dhe një koncert në orën 20:00, në titulluar “American Night” tek Amfiteatri në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.
Qytetarët do të mund të shijojnë këngët nga repertori amerikan, me super hite, me instrumentistët e Bandës së Qytetit, si dhe disa prej artistëve më të mirë, si: Eneda Tarifa, Ardita Meni (soprano), Gerald Murrja (tenor), Erlind Zeraliu (tenor). Pjesë e këtij koncerti do të jetë edhe Moza Bekteshi Dance Academy.
Kujtojmë se Bill Clinton gjatë mandatit të tij si president i shtetit më të fortë në botë ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-së në Luftën e Kosovës në vitin 1999, çka detyroi presidentin e atëhershëm të asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia Sllobodan Millosheviç të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t'i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër UÇK.
Lini një Përgjigje