TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Prill 2025, 16:45

Vetëvrasja e 15-vjeçarit në Gjirokastër, prokuroria hedh poshtë pistën e bullizimit: Nuk ka indicie për ngacmime nga bashkëmoshatarët

Shkruar nga Pamfleti

Vetëvrasja e 15-vjeçarit në Gjirokastër, prokuroria hedh

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme, ku një 15-vjeçar, u gjet i varur pranë banesës së tij në fshatin Valare.

Nga hetimet e kryera, nga këqyrja e telefonit të viktimës dhe marrja në pyetje e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, nuk ka rezultuar që bullizmi të ketë qenë shkak që e ka shtyrë të miturin drejt aktit ekstrem.

"Nga të gjitha veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, nuk është konstatuar asnjë e dhënë apo indicie që të dëshmojë se veprimi i kryer nga ana e të miturit ka pasur si shkak ngacmime apo sjellje bullizuese nga bashkëmoshatarët e tij", njofton Porkuroria. 

Prokuroria ndërkohë shprehet se ende po vazhjdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe si dhe të veprimeve të kryera nga autoritetet përgjegjëse lidhur me trajtimin e rastit të të miturit.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Gjirokastrës:

Në lidhje me ngjarjen e datës 20.04.2025, ku në ambientet e jashtme të banesës së tij në fshatin Valarë, Gjirokastër, është gjetur i vetëvarur dhe pa shenja jete shtetasi i mitur V.P., 15 vjeç, pas njoftimit të bërë nga Komisariati i Policisë Gjirokastër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në prani të prokurorit të seksionit për të mitur dhe prokurorit të gatshëm, me urdhër të Drejtuesit të Prokurorisë, ka krijuar menjëherë një grup hetimor për trajtimin e çështjes.

Nën drejtimin e Prokurorisë janë kryer veprimet e para hetimore, të cilat përfshijnë këqyrjen e vendit të ngjarjes, kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor, sekuestrimin dhe këqyrjen e telefonave dhe pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin e materialeve shkollore të fëmijës së mitur, si dhe marrjen e deklarimeve në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, përfshirë punonjësit përgjegjës për trajtimin e të miturit.

Nga të gjitha veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, nuk është konstatuar asnjë e dhënë apo indicie që të dëshmojë se veprimi i kryer nga ana e të miturit ka pasur si shkak ngacmime apo sjellje bullizuese nga bashkëmoshatarët e tij.

Prokuroria e Gjirokastrës po vijon me prioritet të veçantë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe të veprimeve të kryera nga autoritetet përgjegjëse lidhur me trajtimin e rastit të të miturit V.P.

Lini një Përgjigje