
Nuk ndalen skandalet e Prokurorisë së Elbasanit...
Prokuroria e Elbasanit ka ndërmarrë një tjetër veprim skandaloz në lidhje me çështjen e avokatit Ulian Barjami, duke sekuestruar telefonin e tij personal pa asnjë provë konkrete apo lidhje me ndonjë vepër penale.
Denoncimi vjen nga avokati Arben Llangozi, i cili e ka cilësuar ngjarjen si një sulm të hapur ndaj profesionit të avokatit dhe drejtësisë në Shqipëri.
Në një deklaratë publike në rrjetet sociale, Llangozi shkruan: “Veprimet abuzive të Prokurorisë së Elbasanit nuk kanë fund. Sekuestrojnë pa arsye edhe telefonin e avokatit Uljan Barjami. Në Elbasan, drejtësia është kthyer në një farsë të turpshme. Pasi ndaluan pa asnjë bazë ligjore avokatin Barjami, tani po tentojnë të shpikin prova aty ku nuk ekzistojnë. Dhe ku po i kërkojnë? Në telefonin e avokatit!”

Sipas tij, oficerja e Policisë Gjyqësore, Zmeralda Mehilli, ka sekuestruar telefonin e Barjamit nën bekimin e prokurorisë, pa asnjë lidhje të provuar me ndonjë vepër penale.
“Ata nuk kanë asnjë provë, asnjë argument, por e sekuestruan gjithsesi, me shpresën se ndoshta zbulojnë ndonjë fjalë apo mesazh që mund ta kthejnë në ‘provë’. Kjo nuk është drejtësi, kjo është gjueti shtrigash. Kur një prokurori i mungon prova, fillon të kërkojë ‘veprën’ në telefon”, thekson Llangozi.
Ai shton se sekuestrimi i telefonit është një sulm ndaj konfidencialitetit profesional dhe një kërcënim për çdo avokat që guxon të mbrojë të drejtat e klientëve.
Postimi i plotë
Në Elbasan, drejtësia është kthyer në një farsë të turpshme. Pasi ndaluan pa asnjë bazë ligjore avokatin Uljan Barjami, tani prokuroria dhe policia e këtij qyteti po tentojnë të shpikin prova aty ku nuk ekzistojnë. Dhe ku po i kërkojnë? Në telefonin e avokatit!
Telefoni i Avokatit Uljan Barjami është sekuestruar në mënyrë absurde nga oficerja e Policisë Gjyqësore Zmeralda Mehilli, nën sytë dhe bekimin e prokurorisë së Elbasanit. Një veprim i paligjshëm, i motivuar nga keqdashja, urrejtja dhe frika nga e vërteta. Ata nuk kanë asnjë provë, asnjë argument, asnjë lidhje të telefonit me ndonjë “vepër penale” por e sekuestruan gjithsesi, me shpresën se ndoshta gjejnë diçka, ndoshta zbulojnë ndonjë fjalë, ndonjë mesazh, që mund ta kthejnë në “provë” për të justifikuar abuzimin e tyre.
Kjo nuk është drejtësi, kjo është gjueti shtrigash. Kur një prokurori i mungon prova, fillon të kërkojë “veprën” në telefon. Kur një polici i mungon profesionalizmi, fillon të shpikë prova në vend që t’i gjejë. Dhe kur një oficer policie si Zmeralda Mehilli sekuestron telefonin e një avokati, ajo nuk po zbaton ligjin po e përdhos ligjin.
Në thelb, ky është një akt hakmarrjeje ndaj një avokati që guxoi të flasë, të mbrojë dhe të ekspozojë montazhet e sistemit. Sekuestrimi i telefonit nuk ka të bëjë me ndonjë hetim, por është sekuestruar si provë mbase gjejnë ndonjë vepër penale.
Ata duan të gërmojnë në komunikimet e tij me klientët, të shohin bisedat, të kapin ndonjë fragment që mund ta përdorin kundër tij në shkelje flagrante të konfidencialitetit profesional, një nga shtyllat themelore të drejtësisë në çdo vend demokratik.
Çfarë kërkon të gjejë prokuroria në telefonin e një avokati? Një “vepër penale” të imagjinuar? Apo një arsye për ta ndëshkuar pse nuk u përkul dhe nuk u bë noter i tyre? Kjo sjellje është një turp institucional dhe një kërcënim i hapur për çdo avokat në Shqipëri. Sepse sot është telefoni i Uljan Barjamit, nesër mund të jetë telefoni i çdo avokati tjetër që refuzon të heshtë përpara padrejtësisë.
Sekuestrimi i telefonit të një avokati është shkelje e hapur e Kushtetutës, e Kodit të Procedurës Penale dhe e çdo parimi të shtetit të së drejtës. Është akt i qëllimshëm, i planifikuar dhe me motiv të pastër hakmarrës.
Në fund, e vetmja “vepër penale” që mund të gjendet në këtë rast është ajo që kanë kryer vetë oficerë dhe prokuror, është ai i shpërdorimit të detyrës.
Sekuestrimi i telefonit të avokatit Uljan Barjami nuk lidhet në asnjë mënyrë me ndonjë kërcënim nga telefoni si send, por është një veprim abuziv dhe i paligjshëm, i kryer vetëm për të shkelur konfidencialitetin profesional dhe për të ushtruar kontroll mbi komunikimet e avokatit me klientët.
Lini një Përgjigje