
Dhoma e Avokatisë ka vendosur bojkot të të gjitha seancave deri në datën 25 tetor...
Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur të bojkotojë seancat gjyqësore dhe proceset penal, si shenjë revolte për arrestimin e avokatit Ulian Bajrami.
Avokati u arrestua në shkelje flagrante, vetëm sepse kundërshtoi prokurorin në seancë gjyqësore. Ky i fundit, i mbështetur dhe nga gjyqtarja e seancës u hakmor duke e paditur dhe më pas u shkua deri te akti final duke arrestuar avokatin.
Dhoma e Avokatisë ka vendosur bojkot të të gjitha seancave deri në datën 25 tetor, në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
"Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë shqyrtoi ngjarjen tepër të rëndë lidhur me arrestimin e kolegut Av. Uljan Barjamaj, pas njoftimit personalisht me kolegun Barjamaj dhe me hapat e ndërmarrë deri në detaje me këtë ngjarje. Me vendim qarkullues, Komiteti vendosi unanimisht: Bllokimin, nëpërmjet bojkotit të të gjitha proceseve penale, si në hetim dhe në gjykim, në të gjitha shkallët, përfshirë edhe proceset në Gjykatën Kushtetuese, për datat 20 tetor deri më 25 tetor. Përjashtim kanë efektet e këtij vendimi pjesëmarrja në seancë penale me objekt caktimin, njoftimi, zëvendësimi dhe dhënia e shkurtimeve të masave të sigurimit", thuhet në vendim.
Avokati Barjami, gjatë seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj klientit të tij Maksim Lika, ka thënë se do të merrej personalisht me prokurorin dhe oficerët e policisë gjyqëosre, duke i kallëzuar penalisht për atë që e konsideron si manipulim provash kundër klientit të tij.
Nga ky moment, referuar edhe një video të publikuar nga avokati Arben Llangozi, ka një reagim ekstrem të prokurorit Gjergji Ceka që dëgjohet të thotë se ‘avokati duhet arrestuar’.
Më pas ka një reagim të ashpër të gjyqtares, e cila referuar audios nga seanca gjyqësore, paralajmëron disa herë avokatin, duke interpretuar deklaratën e avokatit me të njëjtën gjatësi vale si prokurori, pra e konsideron kërcënim.
Nga ajo që është publikuar, duket se avokatit Barjami iu ngrit një kurth në sallën e gjyqit, kur në momentin që ai paralajmëron kallëzimin penal, prokurori njofton arrestimin dhe gjyqtarja mban ‘lojën’ për t’a konsideruar fjalën e avokatit si ‘kërcënim’.
Vendimi i Dhomës së Avokatisë
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë shqyrtoi ngjarjen tepër të rëndë lidhur me arrestimin e kolegut Av. Uljan Barjamaj, pas njoftimit personalisht me kolegun Barjamaj dhe me hapat e ndërmarrë deri në detaje me këtë ngjarje. Me vendim qarkullues, Komiteti vendosi unanimisht:
1. Bllokimin, nëpërmjet bojkotit të të gjitha proceseve penale, si në hetim dhe në gjykim, në të gjitha shkallët, përfshirë edhe proceset në Gjykatën Kushtetuese, për datat 20 tetor deri më 25 tetor. Përjashtim kanë efektet e këtij vendimi pjesëmarrja në seancë penale me objekt caktimin, njoftimi, zëvendësimi dhe dhënia e shkurtimeve të masave të sigurimit.
2. Mospërfaqësimi i avokatëve në proceset penale si në hetim dhe gjykim në datat e mësipërme, ashtu edhe për objektive për shqyrtim të proceseve gjyqësore.
3. Moszbatimi i këtij vendimi nga avokatët përben shkelje të rëndë disiplinore, e cila shqyrtohet si bazë për fillim të hetimit disiplinor nga Komiteti i Disiplinës, duke u shoqëruar me masën e përjashtimit me vendim nga disiplinor, përfshirë deri në heqjen e licensës së ushtrimit të profesionit.
4. Komiteti Drejtues kërkon angazhimin urgjent dhe përgjegjës për shqyrtimin e kësaj çështje nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
5.Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Dhomat Vendore të Avokatisë.
6. Depozitimin e një kopje vendimi, pranë çdo gjykate në të gjitha nivelet.
7. Depozitimin e një kopje vendimi pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
8. Shtyrjen për një datë tjetër të tryezës së rrumbullakët të caktuar paraprakisht me Ministrinë e Drejtësisë në datën 20 tetor, me objekt “Diskutimi i Projekt Kodit Penal midis grupit të punës dhe Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Lini një Përgjigje