TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Tetor 2025, 17:00

Dhoma e Avokatisë Vlorë dhe Shoqata e Avokatëve Penalistë dënojnë arrestimin e avokatit Bajrami: Sulm i hapur ndaj profesionit tonë

Shkruar nga Pamfleti

Dhoma e Avokatisë Vlorë dhe Shoqata e Avokatëve Penalistë

Pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami në Vlorë, Dhoma Vendore e Avokatisë dhe Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë kanë reaguar ashpër, duke e cilësuar veprimin si një akt intimidues dhe shkelje të rëndë të parimeve të shtetit të së drejtës.

Në një deklaratë zyrtare, Dhoma e Avokatisë Vlorë shprehet:

Dhoma e Avokatisë Vlorë shpreh indinjatën dhe shqetësimin më të thellë për arrestimin e avokatit Ulian Barjami, një ngjarje që nuk mund të konsiderohet thjesht një veprim ligjor, por një sulm i hapur ndaj pavarësisë së avokatëve dhe drejtësisë në Shqipëri.

Ky arrestim ngre dyshime të forta për përdorimin e mekanizmave shtetërorë për të intimiduar profesionin e avokatit dhe për të dërguar një mesazh të qartë ndaj çdo avokati që guxon të mbrojë klientët e tij me rigorozitet dhe pavarësi.

Avokati nuk është një qytetar i zakonshëm; ai është garant i drejtësisë dhe mbrojtjes ligjore të qytetarëve, dhe sulmet ndaj tij janë sulme ndaj vetë shtetit të së drejtës.

Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë kërkon me urgjencë:

-Hetim të menjëhershëm dhe të paanshëm, larg çdo ndikimi politik apo administrativ;

-Respektim të plotë të të drejtave të avokatit, siç garantohen nga Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare;

-Sigurimin që asnjë presion, kërcënim apo manipulim nuk do të cenojë pavarësinë e profesionit të avokatit dhe të drejtën e qytetarëve për mbrojtje ligjore.

Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë bën thirrje të fuqishme: çdo tentativë për të frikësuar avokatët është sulm direkt ndaj drejtësisë dhe demokracisë. Ne do të përdorim të gjitha mjetet ligjore dhe do të denoncojmë çdo tentativë të shtetit për të cenuar pavarësinë e profesionit.

Edhe Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë ka reaguar fuqishëm ndaj ndalimit të Barjamit, duke deklaruar se ai u arrestua vetëm sepse deklaroi synimin për të kallëzuar prokurorin për manipulim provash:

Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë shpreh indinjatën e saj të thellë dhe dënon me forcë aktin e paprecedentë të arrestimit të avokatit Ulian Bajrami gjatë ushtrimit të detyrës së tij me përfundimin e një seance gjyqësore, pas një debati gjatë gjykimit me përfaqësuesin e organit të akuzës.

Sipas informacioneve dhe audios së seancës gjyqësore, avokati u arrestua vetëm për faktin se i komunikoi prokurorit synimin për të bërë kallëzim penal, pasi sipas tij, ky i fundit kishte manipuluar provat në dëm të klientit që ai mbronte.

Ky veprim përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së profesionit të avokatit, duke cenuar rëndë parimin kushtetues të së drejtës për mbrojtje të pavarur dhe efektive, të garantuar nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Shoqata kërkon:

-Lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të avokatit të arrestuar;

-Hetim të plotë, të pavarur dhe transparent mbi veprimet e autoriteteve përgjegjëse;

-Marrjen e masave disiplinore dhe ligjore ndaj çdo funksionari që ka keqpërdorur detyrën publike për të intimiduar përfaqësuesin e mbrojtjes;

-Garanci institucionale që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Ky akt është një shkelje e rëndë e parimeve themelore të shtetit të së drejtës. Arrestimi i një avokati për shkak se ai kërkon zbatimin e ligjit është një mesazh frikësues për të gjithë trupën e avokatëve dhe për qytetarët që kërkojnë drejtësi. Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë nuk do të heshtë dhe të lejojë që pavarësia e mbrojtjes të shndërrohet në objekt presioni apo ndëshkimi.”

Lini një Përgjigje