Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore nga vendi, rajoni e bota deri në këtë orë të pasdites, ku ndër të tjera veçojmë:
Moti i keq ka përfshirë Shqipërinë, duke shkaktuar përmbytje masive dhe viktimën e parë në Durrës. Banorët janë evakuuar në Durrës dhe Vlorë, ndërsa qeveria ka angazhuar Forcat e Armatosura dhe emergjencat civile.
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë të premten Komitetin e Emergjencave, ndërsa zv.kryeministrja Belinda Balluku inspekton zonat më të prekura dhe njofton për përgatitjen e një pakete dëmshpërblimi për banesat dhe bujqësinë.
Partia Demokratike ka depozituar kallëzim në SPAK ndaj kryebashkiakes së Durrësit, Emiriana Sako, për shpërdorim detyre, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet për tenderin e Hidrovorit, me dhjetëra miliona euro në pikëpyetje.
Kryedemokrati Sali Berisha denoncon mosshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duke akuzuar qeverinë për indiferencë ndaj qytetarëve.
Presidenti Bajram Begaj ndodhet në komunikim të vazhdueshëm me strukturat qendrore dhe vendore për menaxhimin e situatës, ndërsa Ambasada e SHBA u bën thirrje shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes.
Në politikë dhe drejtësi, Klodian Braho, kreu i ri i SPAK-ut, ka prezantuar prokurorët e rinj dhe ka kërkuar rezultate për dosjet e vjetra.
Ndërkohë, në Kosovë, ish-drejtori i BKS-së Sami Mazreku dhe Valon Berisha janë arrestuar për aferë korruptive mbi 1 milion euro. Lea Ypi, pas tensioneve në Tiranë, ka vizituar Prishtinën dhe falenderon pritjen e ngrohtë të miqve kosovarë.
Në arenën ndërkombëtare, presidenti francez Emmanuel Macron kritikon SHBA-të për agresion neokolonial dhe kërkon më shumë autonomi strategjike për Europën.
Protestat vazhdojnë në Minneapolis pas vrasjes së një gruaje nga agjentët federalë, ndërsa Kina akuzohet për hakerim të sistemeve të Kongresit Amerikan.
Në Iran, trazirat mbarëkombëtare hyjnë në ditën e dhjetë, me qytete nën kontrollin e protestuesve dhe thirrje drejtuar Donald Trump.
Në sport, Kristjan Asllani mund të largohet nga Torino, ndërsa klubi spanjoll Girona po kërkon të marrë shërbimet e tij.
Lini një Përgjigje