
Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informtaiv me zhvillimet kryesore deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në Athinë, ku është takuar me homologun grek Kyriakos Mitsotakis. Në fokus të takimeve kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi rajonal.
SPAK ka sekuestruar 41 pasuri që i atribuohen biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Mes tyre përfshihen jahte, apartamente, dhjetëra hektarë toka, biznese dhe garazhe luksoze.
Në një tjetër operacion policor, janë goditur rrjete të lojërave të fatit në Laç dhe Milot. Në kuadër të operacionit janë sekuestruar makina lojërash fati, tavolina pokeri dhe lëndë narkotike.
Ndërkohë, një tjetër operacion i gjerë antidrogë në Tiranë ka zbuluar një rrjet me 36 persona të përfshirë në shpërndarje narkotikësh. Janë ekzekutuar 15 masa arresti, ndërsa 16 persona janë shpallur në kërkim. Policia ka sekuestruar sasi të mëdha kanabisi dhe kokainë, armë zjarri dhe shuma të konsiderueshme parash, duke treguar përmasat e aktivitetit kriminal.
Në ekonomi, Bordi i Transparencës ka vendosur rritje të çmimeve të karburanteve, ku nafta ka arritur deri në 202 lekë për litër dhe benzina 176 lekë.
Në Kosovë, deputeti Fatos Geci i Lëvizja Vetëvendosje ka shkaktuar reagime të forta pas deklaratës në Kuvend, ku u shpreh se i uron burgim të përjetshëm ish-presidentit Hashim Thaçi. Deklarata ka sjellë distancim brenda partisë dhe reagime nga opozita, duke ndezur debat politik mbi gjuhën e përdorur në Kuvend.
Në Itali, një ngjarje tragjike në Catanzaro ka tronditur opinionin publik, ku një nënë humbi jetën së bashku me dy fëmijë pasi u hodh nga kati i tretë, ndërsa një fëmijë tjetër mbeti në gjendje kritike. Hetimet vijojnë për shkaqet e ngjarjes, me dyshime për probleme të shëndetit mendor.
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar zgjatjen e armëpushimit me Irani, duke shtyrë përkohësisht rrezikun e përshkallëzimit ushtarak. Vendimi vjen mes tensioneve në rritje dhe përpjekjeve diplomatike, ku përfshihet edhe roli ndërmjetësues i Pakistanit.
Lini një Përgjigje