TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Prill 2026, 11:42

SPAK sekuestroi mbi 40 mln euro pasuri, Klodiana Lala: Si Ergys Agasi justifikonte blerjen e tokës në Farkë me 6 euro/m²

Shkruar nga Pamfleti
SPAK sekuestroi mbi 40 mln euro pasuri, Klodiana Lala: Si Ergys Agasi
Gazetarja Klodiana Lala

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja lidhur me sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 40 milionë euro në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ku të pandehur janë ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj, biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, si dhe persona të tjerë të përfshirë.

Duke u ndalur te pasuritë e Ergys Agasit, Lala bëri me dije se disa prej tyre rezultojnë të jenë blerë në kushte të dyshimta dhe me çmime shumë të ulëta krahasuar me tregun. Një prej rasteve është një pronë në zonën e Farkës, e cila, sipas saj, është blerë me vetëm 6 euro për metër katror.

“Rezulton në sekuestro janë vendosur apartamente në Tiranë e Durrës dhe sipërfaqe të mëdha të tokës, që rezulton të jenë blerë në mënyrë të dyshimtë dhe në vlera tejet qesharake, njëra prej të cilave psh rezulton të jetë blerë vetëm 6 euro metri katror. Ndërkohë që vendndoshja e Farkës ka një vlerë shumëfish më të lartë sesa vlera e deklaruar e Agasit. Sipas hetimeve, Agasi, duke shfrytëzuar raportet me Karçanajtn, ka kanalizuar të gjithë tenderët në drejtim të Beqirit, Papës e Hoxhës etj e më pas të përfitonte shumë të mëdha në vlera miliona euro. SPAK pretendon se janë produkt i krimit edhe një sërë verërash të shtrenjta që u sekuestruan te Equos Resort”, tha ajo.

Sa i përket ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, gazetarja theksoi se ajo dyshohet të ketë përfituar pasuri në mënyrë të tërthortë. Sipas saj, një apartament në zonën e rrugës së Kavajës është siguruar përmes nënës së saj, e cila e kishte përfituar nga motra e ish-zyrtarit të AKSHI-t, Daniel Shima.

Po ashtu, banesa ku Karçanaj deklaron se jeton me qira rezulton të jetë marrë me një çmim shumë më të ulët se vlera e tregut në atë zonë. Sipas Lalës, administratori i kompanisë së ndërtimit ka pranuar para SPAK se banesa i është dhënë me qira nga Ergys Agasi.

“Rezulton se Mirlinda Karçanaj kishte përfituar deri në 200 mijë euro nga persona të tretë përmes Daniel Shimës, para të vendosura në shishe me euro.”, tha gazetarja mes të tjerash.

Lini një Përgjigje