Lexues të pamfleti, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku ndër të tjera veçojmë:
1. Sot Kuvendi në seancë plenare/ Çfarë pritet të diskutohet
Sot në orën 10:00 Kuvendi do të mbajë seancë plenare ku në fokus janë akti normativ për buxhetin e vitit 2025 dhe ndryshimet në Kodin Penal. Rishikimi i Kodit Penal dekrimininalizon shpifjen dhe parashikon mbrojtje për gazetarët duke dënuar ata që i kërcënojnë ose dhunojnë.
Në ndryshime përfshihet edhe ashpërsimi i dënimeve për ndërtimet e paligjshme, zjarrëvnie dhe parkimin dysh, ku për këtë të fundit parashikohet dënim me 1 vit burg në rast se bllokohen korsitë e emergjencës.
Po ashtu, Kuvendi merr në shqyrtim ndryshimet në statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nismë e deputetit socialist Olsi Komici. Kuvendi ka parashikuar në rendin e ditës edhe disa marrëveshje me Italinë për kujdesin shëndetësor, energjinë dhe mjedisin.
2. “Dekriminalizim të plotë shpifjes”/ Gazetarët thirrje Kuvendit: Jo regjistër për ne
Dekriminalizim të plotë të shpifjes dhe fyerjes në Kodin e ri Penal të Republikës së Shqipërisë. Ëështë kjo kërkesa që organizatat e mediave paraqitën para nisjes së seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, atje ku pritet të diskutohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Penal.
Në deklaratë thuhet se megjithëse disa nga ndryshimet e parashikuara konsiderohen pozitive, drafti që pritet të miratohet sot nuk përmbush standardet e Bashkimit Evropian dhe as kërkesat e komunitetit të medias për garantimin e plotë të lirisë së shprehjes.
“Së pari, teksti parashikon mbrojtje dhe dekriminalizim të shpifjes vetëm për gazetarët që janë të regjistruar dhe të njohur. Kjo nuk është një zgjidhje e plotë. Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një regjistër për gazetarët”, thuhet në deklaratë.
Organizata thekson se çdo përpjekje për të rregulluar profesionin përmes regjistrimit sjell pasiguri juridike dhe cënon lirinë e shprehjes, duke frenuar jo vetëm gazetarët, por edhe aktivistët e shoqërisë civile që shprehin mendime kritike.
3. Air Albania dështim total/ Merr fund “krenaria kombëtare” e Ramës
Turkish Airlines, transportuesi kryesor ajror i Turqisë, ka nisur fluturimet e përditshme midis Stambollit dhe Tiranës, duke marrë hapur vendin e Air Albania në këtë itinerar strategjik. Kompania turke ka njoftuar se fluturimet do të kryhen çdo ditë nga Aeroporti i Stambollit, duke e përfshirë sërish Tiranën në rrjetin global të destinacioneve të saj.
Ky zhvillim vjen pak pasi Air Albania pezulloi fluturimet drejt Stambollit, në një moment kur raportonte humbje financiare dhe u përball me pezullimin e licencës së operimit. Turkish Airlines, e cila mbante 49.12% të aksioneve të Air Albania, ka larguar dorën e saj nga kompania duke i shitur aksionet pas dështimit të këtij projekti.
Air Albania u themelua në 2018 si një projekt i përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe Turkish Airlines, i reklamuar gjerësisht nga Kryeministri Edi Rama si kompania kombëtare ajrore që do t’i jepte Shqipërisë statusin e një lojtari të ri në transportin ndërkombëtar. Madje, në një takim me diasporën shqiptare në Nju-Jork në vitin 2024, Rama u shpreh se po punohej për një fluturim të drejtpërdrejtë me Air Albania drejt SHBA: “Kur të ndodhë, do ta bëjmë patjetër këtu në Nju-Jork”.
Sot, ky premtim duket më shumë si një kujtim politik, ndërsa Turkish Airlines ka marrë në dorë kontrollin total të linjës më të rëndësishme në rajon.
4. Padia e Veliajt ndaj Olsi Dados/ Gjithçka në dorën e gjyqtarit të sulmuar nga Rama
Gjyqtari Hazbi Balliu është caktuar nga shorti për të shqyrtuar padinë e Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në Gjykatën Administrative.
Kryebashkiaku kërkon pavlefshmërinë e emërimit në detyrë të prokurorit të posaçëm Olsi Dado.
Përmes padisë, Veliaj kërkon konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008 për emërimin e Ols Dados si prokuror, në një kohë kur, ligji nuk e lejonte këtë pa kryer më parë Shkollën e Magjistraturës, pasi ai ishte noter.
Sipas padisë, emërimi është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit Ols Dado nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit, për shkak të mungesës së arsimit përkatës në Shkollën e Magjistraturës.
Veliaj kërkon gjithashtu që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe të ushtrimit, sipas tij të paligjshëm, të detyrës së prokurorit nga Ols Dado.
5. Ku janë 2 satelitët e Edi Ramës?/ Agolli i FSHZH jep 2.7 milionë € për pamje satelitore
Më 3 janar 2023, kryeministri Edi Rama njoftoi me bujë nisjen në orbitë të dy satelitëve shqiptarë “Albania 1” dhe “Albania 2”, duke e quajtur këtë një arritje strategjike gjeohapësinore.
Me këta satelitë, të paguar 6 milionë euro, Edi Rama garantoi monitorimin e ndërtimeve pa leje, rrëshqitjeve të tokës, kontrollin e digave dhe urave, paralajmërimin e përmbytjeve dhe tërmeteve, rrezikun e ujërave detare, abuzimet në bregdet, prerjen e pyjeve, kultivimin e kanabisit dhe kontrollin e zjarreve.
Nuk ka asnjë informacion zyrtar nëse dy satelitët shqiptarë janë funksionalë apo nëse janë realisht në orbitë. Ndërkohë, dokumenti që po publikon “Pamfleti” dëshmon se për të njëjtin shërbim fotografimi satelitor të territorit, qeveria shqiptare po paguan një shërbim tjetër privat me miliona euro.
Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 26 janar 2026, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ka njoftuar zhvillimin e tenderit me objekt: “Fotografimi ajror dixhital i territorit të Shqipërisë dhe prodhimi i imazheve ajrore”.
Ky tender, me vlerë kontrate 2.7 milionë euro, i është dhënë firmës turke “Mescioğlu Mühendislik ve Müşavirlik A.Ş.”, me seli në Ankara, e lidhur me rrjetin e bizneseve familjare të dhëndrit të presidentit turk.
Për më shumë, klikoni tek edicioni i lajmeve i orës 12.00
Lini një Përgjigje