TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Janar 2026, 10:03

Padia e Veliajt ndaj Olsi Dados në dorën e gjyqtarit të sulmuar nga Rama

Shkruar nga Pamfleti

Padia e Veliajt ndaj Olsi Dados në dorën e gjyqtarit të sulmuar

Gjyqtari Hazbi Balliu është caktuar nga shorti për të shqyrtuar padinë e Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në Gjykatën Administrative.

Kryebashkiaku kërkon pavlefshmërinë e emërimit në detyrë të prokurorit të posaçëm Olsi Dado.

Përmes padisë, Veliaj kërkon konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008 për emërimin e Ols Dados si prokuror, në një kohë kur, ligji nuk e lejonte këtë pa kryer më parë Shkollën e Magjistraturës, pasi ai ishte noter.

Sipas padisë, emërimi është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit Ols Dado nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit, për shkak të mungesës së arsimit përkatës në Shkollën e Magjistraturës.

Veliaj kërkon gjithashtu që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe të ushtrimit, sipas tij të paligjshëm, të detyrës së prokurorit nga Ols Dado.

Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të ndërmarra ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi të cilësuar si “nul ab initio”, duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, si dhe familjes dhe personit të tij.

Sipas padisë, Ols Dado i është propozuar Presidencës në vitin 2008 nga Prokurorja e Përgjithshme e asaj kohe, Ina Rama, ndërkohë që ai nuk plotësonte kushtet ligjore, pasi ishte vetëm noter dhe pa kryer Shkollën e Magjistraturës. Pavarësisht kësaj, Presidenca e ka dekretuar emërimin e tij si prokuror.

Gjyqtari Balliu u vendos pak kohë më parë në shënjestër të akuzave nga Kryeministri Edi Rama.

Rama madje, referuar një vendimi të gjyqtarit Balliu, tha se ai është vendosur në një llogore me antiligjin.

veliaj padia balliu

Lini një Përgjigje