Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar protestën e Partisë Demokratike më 24 janar para Kryeministrisë, duke e cilësuar si një “shfaqje që kënaqi të gjitha palët”, përveç vendit.
Në një lidhje direkte për emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” në Report TV, Spahiu tha se protesta nuk ishte e opozitës së bashkuar, por thjesht një aktivitet i brendshëm i PD-së, me slogane për militantët dhe pa ndikim real në qeverinë Rama.
“Protesta ia arriti qëllimin edhe atyre që morën pjesë edhe atyre që nuk morën pjesë. Edhe ata që ishin kundër u kënaqën sepse në fund të fundit mbeti brenda rrethit të PD dhe s’u bë dot një protestë opozitare”, u shpreh ai.
Sipas tij, mazhoranca përfitoi nga imazhi i dhunshëm që përcollën mediat ndërkombëtare, duke e përdorur protestën si dëshmi se PD është një forcë jo konstruktive. “Edhe socialistët janë të kënaqur sepse duan që PD ta nxjerrin si një parti të dhunshme. Reagimi i policisë ishte i nxituar, por asnjëra palë nuk e kaloi kufirin e dhunës”, tha Spahiu, duke e përshkruar ngjarjen si një skenar i parashikuar që i dha secilit nga pak propagandë.
Ai theksoi se protesta nuk solli asnjë rrezik për qeverinë dhe se deklaratat për rrëzimin e Ramës janë thjesht për konsum të brendshëm. “Rama dhe qeveria nuk janë rrezikuar. Po Berisha e shtyu rrëzimin për 20 shkurt, 1 qershor. Nga protesta kanë fituar dhe PD dhe PS. Por a ka fituar Shqipëria?”, tha juristi.
Spahiu mbylli analizën e tij me një kritikë të drejtpërdrejtë për imazhin e dhunës: “Nëse thua që do rrëzojmë Edi Ramën dhe nuk e arrin, ke humbur. Shqipëria nuk fiton asgjë nga ky imazh.”
Lini një Përgjigje