Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës nuk është pritur aspak mirë nga banorët e qytetit, të cilët të mbledhur para institucionit ditën e sotme shprehën shqetësimet se çështjet e tyre do zvarriten edhe më shumë, pasi edhe në institucionin aktual prej vitesh nuk merrnin zgjidhje.
Një prej banorëve i revoltuar shprehet se ky vendim është “një varr”.
“Ky është varr për neve, për Vlorën. Kemi 10 apo 15 vite me dokumente dhe nuk na shërbejnë. Jemi kundër largimit të Kadastrës, edhe pse këtu nuk marrin informacione dhe nuk na përfaqësojnë, tani do jetë edhe më keq, do jetë më zi, më skëterrë fare. Ne do vijmë, duam pronat, ku do i lëmë, se na thotë e fëmija kaq vite pa dokumente, turp, turp i madh. Ne jemi për të sheshi i flamurit”, shprehet ai.
Kurse një banore tjetër thotë se nuk merr informacionin e duhur, edhe pse ka ndërtim me leje, kurse tani në Tiranë do shkretohet fare çështja e saj.
“Nuk kemi marrë informacion, por tani si do bëjmë, do zhvendoset në Tiranë. Tani do shkretohet në çdo krah. Ne këtu e s’po marrim informacion, jo më në Tiranë. S’e dimë se si do bëjmë, kam një ndërtim me leje dhe tani nuk e dimë se si do bëjmë”, tha ajo.
Por ka edhe nga ata banorë që shprehen përsëri pesimistë, pasi si në Vlorë, ashtu edhe në Tiranë, zgjidhje për ta nuk do ketë për çështje pronash, pasi zvarriten prej vitesh.
“E kam marrë vesh, por unë kam një jetë me dokumente, 30 vite, miliona lekë dhe asnjë zgjidhje, si këtu si atje, unë nuk po marr zgjidhje”, thotë një prej banoreve.
Lini një Përgjigje