Ju ftojmë të ndiqni lajmet më kryesore deri në mesditë, ku veçojmë:
1. Dosja ‘Veliaj’
GJKKO vendos sot për fatin e kryebashkiakut
Ditën e sotme në GJKKO do të mbahet seanca paraprake ndaj kryebashiakut të Tiranës Erion Veliajt, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe të dyshuarve të tjerë të dosjes.
Shkak për shtyrjen e seancës së kaluar u bë mungesa e Veliajt, i cili nuk ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit drejt GJKKO si dhe mungesa e disa mbrojtësve ligjorë.
Trupa gjykuese do të vendosë nëse çështja kalon ose jo për gjykim. Më herët Gjykata e Posaçme i rrëzoi kërkesat e Erion Veliajt për t’i dhënë akses të njihet me dosjen në burg, si dhe që gjatë seancave gjyqësore të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë.
SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitiprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.
Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.
2. Kuvendi nis sesionin parlamentar
Dy reforma presin negociatat PS-PD
Kuvendi nis sot sesionin e ri parlamentar. Fillimisht do të jetë Konferenca e Kryetarëve që do të zhvillojë një mbledhje në orën 11:00, ku do të shqyrtohet projektprogrami i punës së Kuvendit për periudhën 19 janar 2026 – 27 shkurt 2026.
Gjithashtu Konferenca e Kryetarëve do të shqyrtojë projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 19 janar 2026 – 6 shkurt 2026.
Më pas do të jetë Komisioni për Nismat Qytetare që do të zhvillojë mbledhjen e parë për vitin 2026-të. Në këtë mbledhje do të miratohet plani i punës për kërkesën e ardhur nga Këshilli i Larte Gjyqësor për sigurinë në gjykata dhe për kërkesen e Agjencisë së Inteligjencës Financiare.
Seanca e parë për vitin 2026-të do të mbahet në orën 17:00.
Seanca e fundit e Kuvendit u mbajt në 18 dhjetor, pra 1 muaj më parë. Sesioni i ri parlamentar pritet të shënojë debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa klima politike në vend duket se do të rrisë “temperaturat”.
Gjithsesi për dy nga reformat që konsiderohen kyçe, ajo Zgjedhore dhe ajo Territoriale, socialistët e Edi Ramës dhe demokratët e Sali Berishës, pritet të ulen në negociata. Kjo të paktën u pohua në fundjavë edhe nga kreu demokrat, Sali Berisha, i cili tha se zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen me ndarjen e re territoriale.
Pritet që të dy reformat të miratohen brenda sesionit parlamentar që përfundon në korrik.
3. Shkëlqimi dhe rënia e 'Don Agaçit'
Fleta e arrestit është gati por ai është larguar nga Shqipëria
Burime pranë sistemit të drejtësisë deklarojnë për 'Pamfleti' se Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hartimin e masës së sigurisë ndaj Engjëll Agaçit dhe se fleta e arrestit konsiderohet gati për firmosje, ndërkohë që sipas të njëjtave burime Agaçi është larguar nga territori i Shqipërisë në një moment kritik të hetimit, pikërisht kur dosjet kanë kaluar nga faza e pyetjeve formale në fazën e përgjegjësisë penale, duke krijuar bindjen se largimi nuk lidhet me shkaqe shëndetësore, siç pretendon qeveria, por me frikën reale nga arrestimi.
Engjëll Agaçi mban funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave që nga shtatori 2013 dhe gjatë kësaj periudhe ai ka ndërtuar një pushtet që shkon përtej titullit formal, duke kontrolluar administratën, duke komanduar sekretarët e përgjithshëm të ministrive, duke orientuar vendimmarrjen ekonomike dhe politike të qeverisë dhe duke u shndërruar në filtrin e detyrueshëm për çdo vendim që prodhon para publike, koncesione, favore apo mbrojtje politike, çka e bën atë figurën më të rëndësishme dhe më të rrezikshme të qeverisjes Rama.
4. Siguria ushqimore në rrezik
Qumështi i mbushur me vaj palme
Siguria ushqimore në Shqipëri paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve sepse një pjesë e industrisë së përpunimit të qumështit ka ndërtuar një model prodhimi që nuk mbështetet më te qumështi natyral, por te skremimi i plotë i tij dhe zëvendësimi i përbërësve bazë me lëndë të para industriale si vaji i palmës dhe qumështi pluhur i përftuar nga hirra.
Ky proces nuk ndodh rastësisht dhe nuk lidhet me vështirësi teknike, por me vendime konkrete ekonomike të marra nga fabrika të njohura në treg si Lufra, Erzeni, Fast, Gjirofarm, Zepa Natyral dhe subjekte të tjera të përpunimit të qumështit, të cilat marrin qumështin e freskët nga fermerët, nxjerrin yndyrën natyrale përmes skremimit teknik, përdorin ajkën për prodhimin e gjalpit që shitet veçmas me çmim më të lartë, dhe në produktet që shkojnë për konsum masiv shtojnë vaj palme për të rikrijuar artificialisht përmbajtjen e yndyrës dhe qumësht pluhur për të rritur volumin.
5. Investigimi i medias italiane
Call center në Tiranë gjeneronte 25–30 mln euro/muaj
Një investigim ekskluziv i emisionit italian “Le Iene” zbuloi ekzistencën e një rrjeti të mirëorganizuar mashtrimesh financiare që operon nga Tirana, duke targetuar qytetarë në disa vende europiane, dhe rrjedhimit ndërhyrjen e SPAK.
Call center i vendosur në një nga kullat më moderne të kryeqytetit dyshohet se gjeneroI deri në 30 milionë euro në muaj, ndërsa ngrihen dyshime serioze se paratë e përfituara përdoren për pastrim parash nga aktivitete të tjera kriminale.
Në zemër të Tiranës, në kullën moderne 4Ever Green Tower, një call center me rreth 100 operatorë dhe konsulentë financiarë ishte organizuar si një makinë për të mashtruar dhe grabitur klientët.
Investigimi i realizuar nga gazetari italian Luigi Pelazza për emisionin “Le Iene” tregon se ai funksionon si një rrjet i mirëorganizuar mashtrimesh financiare me shtrirje ndërkombëtare.
Call center-i targeton klientë në Itali, Francë, Gjermani dhe Spanjë, duke e bërë Tiranën një bazë operative kyçe nga ku koordinohen telefonata mashtruese, platforma financiare të manipuluara dhe ekipe ndërkombëtare operatorësh. Investigimi u mundësua falë infiltrimit të një personi me eksperiencë trevjeçare në këtë fushë, i cili kishte punuar më parë në Qipro dhe arriti të dokumentojë mënyrën e funksionimit të rrjetit.
Për më shumë, klikoni edicionin informativ të orës 12.00
Lini një Përgjigje