Banorët e Rrjollit, të cilët u arrestuan nga policia një ditë më parë, janë liruar këtë të mërkurë.
Policia shoqëroi gjashtë persona pas tensioneve të krijuara për shkak të kundërshtimit të punimeve që, sipas banorëve, po kryhen në tokat e tyre. Situata në zonë mbetet e tensionuar, ndërsa banorët deklarojnë se nuk do të tërhiqen.
Njëri prej të shoqëruarve foli para mediave sapo doli nga ambientet e policisë dhe paralajmëroi vazhdimin e protestës.
“Është hera e 10 që shoqërohem nga 5 orë. Ditën e shtunë kam qëndruar 30 orë i ndaluar. Prokuroria e Shkodrës e ka quajtur të paligjshëm ndalimin tim. Kjo është për shkak të një polici që ka qejf të merret me mua. Ne nuk do të ndalim protestat. Do të jemi deri në fund, deri sa të fitojmë. Nuk na ndalon asgjë që të mbrojmë pronën tonë. Nuk e fal pronën, jam betuar. Do të jenë prona jonë, deri në fund, me çdo çmim”, është shprehur një prej tyre teksa ka lënë ambientet e policisë.
Banorët e Rrjollit deklarojnë se do të vijojnë kundërshtimin ndaj punimeve dhe do të kërkojnë mbrojtjen e pronës përmes protestave të paralajmëruara në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje