Qeveria vë në lëvizje projektin më të diskutueshëm të mbikëqyrjes digjitale. Menaxherët do të paguhen 170 mijë lekë në muaj, ndërsa sistemi me 5 mijë kamera ngre pikëpyetje për privatësinë, sigurinë kibernetike dhe kostot marramendëse
Qeveria ka nisur zyrtarisht lëvizjet për vënien në punë të projektit “Smart City”, një nga projektet më të mëdha dhe më të debatueshme të mbikëqyrjes digjitale në Shqipëri, ndërsa paralelisht ka miratuar edhe pagat për stafin që do të administrojë sistemin e kamerave inteligjente.
Sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, drejtuesit dhe menaxherët e projektit do të paguhen me 170 mijë lekë në muaj, ndërsa koordinatorët dhe punonjësit teknikë do të marrin 141 mijë lekë në muaj, paga dukshëm mbi mesataren e administratës publike dhe shumë më të larta se paga mesatare në vend.
Vendimi tregon qartë se projekti po hyn në fazën operative, ndërsa qeveria po ndërton strukturën që do të administrojë rrjetin gjigant të kamerave dhe sistemeve të inteligjencës artificiale nën administrimin e Policisë së Shtetit.
Në letër, “Smart City” prezantohet si projekt për sigurinë publike dhe menaxhimin e trafikut. Në praktikë, Shqipëria po hyn në një fazë të re të mbikëqyrjes masive digjitale, me mijëra kamera që do të monitorojnë në kohë reale lëvizjet e qytetarëve.
Faza e parë përfshin vendosjen e rreth 5 mijë kamerave inteligjente në rrugët kryesore dhe pranë 20 shkollave, ndërsa projekti parashikon zgjerimin e rrjetit në të gjithë qytetet kryesore të vendit.
Por ndërsa qeveria flet për “modernizim”, kritikët ngrenë alarmin për një projekt me kosto marramendëse, transparencë minimale dhe rreziqe serioze për privatësinë dhe sigurinë kombëtare.
Projekti u formalizua fillimisht në prill 2024, kur ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla firmosi memorandumin me kompaninë “Presight AI”, pjesë e grupit G42 nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Marrëveshja u klasifikua sekrete.
Më pas, gjatë vizitës së presidentit të Emirateve në Tiranë, Edi Rama firmosi letrën e angazhimit që e futi “Smart City” në listën e projekteve me rëndësi kombëtare.
Dhe bashkë me rëndësinë, u rrit edhe fatura. Nga 60 milionë dollarë fillestarë, kostoja e projektit shkoi në rreth 140 milionë dollarë me TVSH, financim që do të mbulohet përmes një huaje nga Fondi i Abu Dhabit për Zhvillim.
Vetëm licencat e softuerëve kushtojnë 31 milionë dollarë. Pajisjet dhe infrastruktura marrin 62.4 milionë dollarë të tjera. Mirëmbajtja katërvjeçare kushton 17.1 milionë dollarë, ndërsa miliona të tjera shkojnë për radarë inteligjentë, sensorë zhurme dhe kamera trupore për policinë.
Në total, sistemi do të përfshijë:
-2 239 kamera ANPR për identifikimin e targave;
-2 602 kamera PTZ me lëvizje inteligjente;
-3 816 kamera trupore për policinë;
-100 radarë inteligjentë;
-100 sensorë zhurme për trafikun.
Pra, Shqipëria po ndërton një nga sistemet më të mëdha të monitorimit elektronik në rajon.
Problemi është se ky projekt po ngrihet në një shtet që vetë ka dështuar të mbrojë sistemet e veta digjitale.
Në vitet e fundit, Shqipëria është goditur vazhdimisht nga sulme kibernetike që nxorën në publik databaza sensitive, të dhëna personale të qytetarëve, sistemet e-Albania dhe informacione shtetërore.
Në këtë realitet, ekspertët paralajmërojnë se problemi nuk është teknologjia, por siguria.
Një sistem i centralizuar me mijëra kamera dhe inteligjencë artificiale krijon një arkiv të përhershëm mbi lëvizjet, sjelljet dhe aktivitetin e qytetarëve. Dhe nëse ky sistem komprometohet, ekspozimi bëhet kombëtar.
Rreziku nuk shihet më si teori.
Në Kosovë, projektet e monitorimit me kamera kanë ngritur alarme për ndërhyrje nga jashtë dhe rreziqe të inteligjencës. Në Iran, para operacionit për eliminimin e Khameneit, Izraeli arriti të depërtonte në sistemin e kamerave të trafikut në Teheran.
Pra, precedentët ekzistojnë.
Në Shqipëri, ku databazat shtetërore janë çarë disa herë, pyetja që po shtrohet është shumë më e fortë: kush do ta mbrojë “Smart City”?
Edhe Komisioni Europian ka mbajtur qëndrim të rezervuar për projektin, duke kujtuar se Shqipëria duhet të garantojë mbrojtjen e të dhënave personale sipas standardeve europiane.
Megjithatë, deri tani qeveria ka zgjedhur të ecë me shpejtësi përpara.
Dhe sinjali më i qartë është pikërisht vendimi për pagat.
Ndërsa policët në terren ankohen prej vitesh për kushte, ndërsa administrata publike përballet me paga të ulëta dhe mungesë burimesh, projekti “Smart City” po ndërton një strukturë të privilegjuar me paga mbi mesataren, financim gjigant dhe kompetenca të mëdha mbi monitorimin digjital të vendit.
Në fund, pyetja që po ngrihet gjithnjë e më shumë nuk është vetëm sa kamera do të vendosen. Por kush do të kontrollojë sistemin që do të kontrollojë qytetarët. /Pamfleti
Rrofte si ne Republika Popullore e Kines qe pergjon edhe qerpikun e qytetarit te thjeshte e nuk di nga hyjne e dalin thaset e dollareve e eurove nga depot e bajlozeve.