Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje mbi konfliktin mes biznesmenit Idajet Ismailaj dhe ortakut të tij, Sokol Agalliu, i cili është gjithashtu nipi i tij. Ngjarja, e cilësuar si e rëndë, ka përfunduar me Agalliun në spital, ndërsa të dyja palët kanë depozituar kallëzime në polici ndaj njëra-tjetrës.
Lala deklaroi se konflikti lidhet me mosmarrëveshje financiare dhe prona brenda kompanive që ata zotërojnë së bashku.
Sipas saj, Sokol Agalliu, i cili zotëron 14.5% të aksioneve, pretendon se në kompani ka pasur humbje ose vjedhje të rreth 500 milionë lekëve të vjetra. Ai gjithashtu ka ngritur akuza për abuzim me një sipërfaqe prej 750 metrash katrorë në “Manastiri Resort”.
“Këta kanë biznese shumë të rëndësishme si Arena Centre, Manastiri Resort, Finaman dhe të tjera. Konflikti ka nisur prej rreth 10 ditësh”, tha Lala në emisionin “Të Paekspozuarit”.
Sipas gazetares, përplasja fizike ka ndodhur në ambientet e zyrave, ndërsa Agalliu ka përfunduar në spital për ndihmë mjekësore dhe ka dhënë dëshminë para një oficeri të policisë gjyqësore.
Agalliu akuzon Idajet Ismailajn dhe djalin e tij për dhunë, si dhe për vjedhje të shumës së pretenduar dhe të pronës, ndërsa nga ana tjetër biznesmeni Ismailaj ka bërë gjithashtu kallëzim në polici për konfliktin.
Lala tha se hetimet janë ende në fazë paraprake dhe mbetet për t’u sqaruar thelbi i përplasjes mes palëve. Ajo shtoi gjithashtu se kamerat e sigurisë dhe serverat janë hequr, çka mund të komplikojë zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Njerëz që qarkullojnë para dhe pretendohet se mbajnë ekonominë e vendit, të përfundojnë në këtë pikë, është e rëndë, më e rëndë se vetë rrahja”, u shpreh gazetarja.
Biseda në studio:
Ylli Rakipi: Edhe me paranë e madhe që kanë, nuk rrinë pa rrahur…
Ferdinand Dervishi: Për para rrihen të gjithë!
Klodiana Lala: Kam rënë në dijeni të lajmit, kur Sokol Agalliu, 14.5% aksioner, pasi Idajet Ismailajn e ka dajë, kanë biznese shumë të rëndësishme. Këta kanë Arena Centre, Manastirti Resort, Finaman dhe të tjera. Kanë patur konflikt 10 ditë më parë, pasi Sokol Agalliu pretendon humbje ose vjedhje 500 mln lek të vjetra në kompani. Pretendon po kështu se ka patur abuzim 750 m2 te Manastiri Resort. Ky është debati që ka lindur 10 ditë më parë. Jam vënë në dijeni sot nga burime spitalore pasi Agalliu kishte shkuar për ndihmë mjekësore në spital. Ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore. Në këto momente është marrë dëshmia nga një oficer i policisë gjyqësore. Përplasja ka ndodhur në ambientet e zyrave. Sokol Agalliu ka marrë ndihmën në spital. Është njoftuar komisariati, por të dyja palët kallëzojnë njëra tjetrën. Sokol Agalliu akuzon Idajet Ismailaj dhe të birin, për dhunë, vjedhje të shumës dhe tokës, ndërkohë Ismailaj ka shkuar në komisariat dhe ka bërë edhe ai kallëzim. Të dyja palët kanë kallëzuar njëra tjetrën. Zoti Ismailaj ka vajtur tani mbasdite dhe ka pretenduar për konfliktet që kanë. Se çfarë është, thelbi mbetet për tu sqaruar. Njerëz që qarkullojnë para, pretendohet se mbajnë ekonominë e vendit, të përfundojnë në këtë pikë, është e rëndë, më e rëndë se rrahja. Kamerat janë hequr dhe serverat.
Lini një Përgjigje