TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Qershor 2023, 20:29

Skandal në Komisionin e Sigurisë, 13 deputetë pa certifikata sigurie; kanë patur akses në të dhëna sekrete

Shkruar nga Pamfleti
Skandal në Komisionin e Sigurisë, 13 deputetë pa certifikata
Mbledhja e sotme e Komisionit të Sigurisë

Sot  do raportonte në Kuvend kryetarja e SHISH, por mbledhja dështoi sepse shumica e deputetëve janë pa certifikata sigurie...

Një skandal ka plasur sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Sot ishte për të raportuar kryetarja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, por nuk ndodhi një gjë e tillë sepse shumica e anëtarëve të komisionit janë pa certifikata sigurie. Edhe pse kemi të bëjmë me një komision që ka akses në të dhëna sekrete, deputetët nuk janë pajisur me certifikata të sigurisë.

Në nisje të mbledhjes pati një debat mes Ervin Salianjit dhe Nasip Naços, ky i fundit si drejtues i komisionit njoftoi mbylljen e mbledhjes sepse shumica e anëtarëve nuk kanë certifikata sigurie dhe kuorumi nuk arrihej.

Në mbledhje ishin 14 deputetë, ndërkohë vetë komisioni ka 21 anëtarë. Anëtarja më e re është Monika Kryemadhi, ku futja e saj në këtë komision është skandal më vete. Sipas “TCH”, certifikata sigurie të vlefshme kanë 8 deputetë, ndërsa pjesa tjetër janë pa certifikata ose ju ka skaduar afati.

Por ndryshe nga sa ndodhi sot, pak ditë më parë po anëtarët e këtij komisioni patën akses në të dhënat sekrete. Aty raportoi kreu i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, ku sërish është diskutuar për të dhëna sekrete.

Certifikata e sigurisë, është një dokument që lëshohet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.

Nga opozita me certifikatë sigurie të vlefshme në komision ishte Ferdinand Xhaferri. Ndërsa deputeti Ervin Salianji kishte aplikuar por nuk i ka ardhur akoma. Sakaq gjysmës së anëtarëve të PS vlefshmëria e certifikatës së sigurisë u ka mbaruar muajin e shkuar.

Vetë “Pamfleti” denoncoi kalimin e Monika Kryemadhit në këtë komision, pasi ajo po hetohet për lidhje me rusët. Pikërisht shefja e SHISH do të raportonte për ndikimin e huaj dhe veçanërisht atë rus sot. Por duket se skandali është më i thellë, pasi më shumë se gjysma e anëtarëve figurojnë pa certifikata sigurie dhe shumica janë socialistë.

Anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare

1.       Agron Çela

2.       Antoneta Dhima

3.       Bardhyl Kollçaku

4.       Denis Deliu

5.       Enkelejd Alibeaj

6.       Ervin Salianji

7.       Ferdinant Xhaferaj

8.       Flamur Noka

9.       Ilirian Pendavinji

10.     Isuf Çela

11.     Kasëm Mahmutaj

12.    Lefter Gështenja

13.    Lindita Metaliaj

14.    Luan Duzha

15.    Nasip Naco

16.    Paulin Sterkaj

17.    Pranvera Resulaj

18.    Toni Gogu

19.    Vullnet Sinaj

20.    Xhemal Qefalia

21.    Monika Kryemadhi

/Pamfleti

komisioni i sigurise certifikata sigurie

Lini një Përgjigje