Aktualisht në qarkun Fier ka reshje shiu me intensitet të ulët. Deri në këto momente, nuk ka raportime për situata problematike në terren.
Akset rrugore janë të aksesueshme normalisht. Furnizimi me energji elektrike dhe furnizimi me ujë të pijshëm është në normalitet.
Nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin në kuota normale. Niveli i prurjeve në lumin Vjosë ka arritur në 7.1 m në Urën e Mifolit (krahu i Fierit),
Ne fshatrat Kashisht, Kafaraj dhe Cerven janë nën ujë rreth 150 ha tokë bujqësore, brenda argjinaturave.
Referuar monitorimit në terren, konstatohet rritje e menjëhershme e nivelit të prurjeve dhe përhapja ne tokat bujqësore.
Si pasojë e prurjeve të lumit Vjosa, ka prezencë uji edhe në Stacionin e Pompimit të Kafaraj, Njesia Adm Frrakull, nga ku behet edhe furnizimi me uji i qytetit të Fierit.
Si masë paraprake janë stakuar disa nga pompat në puset që janë në afërsi të lumit Vjosa dhe po punohet me kapacitet më të reduktuar nëpërmjet disa puseve të tjera që ndodhen disi më larg. Kjo masë e marrë nga UKF nuk ka cenuar furnizimin me ujë të qytetit, deri në këto momente.
Është bërë njoftimi i banorëve të fshatrave Cerven, Ferras dhe Kashisht për çdo evakuim te mundshëm.
Situatat pritet te jete kritike edhe për orët në vazhdim, ndërsa po monitorohet në terren nga Institucioni i Prefektit dhe Strukturat e Bashkisë Fier.
Emergjencat Civile të Bashkisë Fier, së bashku me kryebashkiakun Armando Subashi janë duke monitoruar në terren situatën. Ata janë përqendruar përgjatë argjinaturës së Çervenit, ku dy fadroma dhe mjete të tonazhit të rëndë janë duke punuar për riparimin e disa segmenteve të rrezikuara nga dalja e lumit Vjosë.

Lini një Përgjigje