
Gazetari Andi Tela ka kritikuar ashpër qasjen e Edi Ramës ndaj përmbytjeve, duke theksuar se situata nuk është pasojë e një fatkeqësie natyrore të jashtëzakonshme, por rezultat i keqmenaxhimit dhe korrupsionit.
Sipas tij, pamjet nga Durrësi krijojnë përshtypjen e një katastrofe të përmasave të jashtëzakonshme, ndërkohë që ka rënë vetëm shi i zakonshëm.
Tela u shpreh se kjo tregon qartë dështimin e strukturave përgjegjëse që paguhen për të parandaluar përmbytje të tilla, përmes mirëmbajtjes së kanalizimeve dhe hidrovoreve.
Ai theksoi se qytetarët paguajnë taksa të larta për infrastrukturën, të cilat nuk shkojnë për qëllimin e tyre, por vidhen, duke bërë që banorët të paguajnë dy herë: fillimisht për parandalimin që nuk realizohet dhe më pas për kompensimin e dëmeve.
Tela vuri në dukje se kjo situatë përsëritet në disa zona të vendit, si Durrësi, Gjirokastra dhe Kurbini, ndërsa në zona të tjera me kushte të ngjashme, si Berati, përmbytjet nuk ndodhin për shkak të menaxhimit më të mirë.
“Tani kur, kur dëgjova, kur dëgjova këtë, këtë mesazh të zotit Rama mu kujtua prapë ironia që i bënte me SPAK-un dhe me organet e tjera, duke përdorur atë batutën e famshme të ‘Loro Boriçit’ që shiu ka punën e tij, ne kemi punën tonë. Dhe ne kemi punën tonë në kuptimin e propagandës.
Pra, nëse ti sheh këto imazhet e Durrësit me dron, të krijohet përshtypja sikur ndodhesh në një nga ato vendet ku uragani apo tajfuni përmbyt gjithçka, apo çahet një digë gjigante hidrocentrali dhe prodhon këtë përmbytje, që s'ke çfarë t'i bësh.
Por ka rënë shi. Vetëm shi ka rënë dhe ti sheh këto pamje. Dhe e kupton fare mirë që nuk është më faji i natyrës. Është faji i menaxhimit, i menaxhimit të strukturave që paguhen për të mos u krijuar këto imazhe.
Qytetarët e Durrësit, të asaj zone atje, paguajnë taksa që të rregullohen kanalizimet, që të rregullohet hidrovori. Këto taksa vidhen. Dhe pasi vidhen këto taksa, tashti kërkohen të merren taksa të tjera, ndoshta të neve që jetojmë këtu në Tiranë, për të kompensuar dëmin e këtyre banorëve. Pra paguajnë dy herë taksat. Edhe në Tiranë, por edhe në Durrës, paguhen taksa të larta infrastrukture për ndërtimet e reja.
Pra kush bën pallate të reja, i është rritur taksa, disa fish, dhe me këto para presupozohej që të krijoheshin këto mundësitë e kanalizimeve, që mos të krijoheshin këto pamje të përmbytjeve. Komplimente SYRI-t për dje dhe sot, sepse unë kam ndjekur të gjithë raportimet që vijnë nga terreni, dhe nuk ka nevojë për ekspertë, gjeologë nëpër studio për të treguar se çfarë po ndodh.
Mjafton të dëgjosh banorët e atyre zonave, duke jetuar aty e dinë fare mirë se çfarë po ndodh. Dhe të flasin, edhe në Durrës, edhe në Gjirokastër, edhe në Kurbin, në çdo zonë ku ti sheh përmbytje, ata e dinë problemin. Ata e dinë dhe ta thonë, ky tubi këtu është më i ngushtë se sa ai tubi atje dhe prandaj ndodh përmbytja.
Kjo gryka ku do të derdhet Vjosa është më e vogël se sa gjithë fuqia që vjen dhe duhet të ishte e hapur. Në Kurbin ndodh përmbytja për këtë arsye, në Gjirokastër, domethënë të kuptosh në Gjirokastër ndodh një përmbytje. Pse s'ndodh në Berat? Sepse është e njëjta strukturë dhe atje ka Osumin. Dakord? Pse nuk ndodh atje dhe ndodh në Gjirokastër?
Pra e gjitha është mënyra se si është menaxhuar përpara se të ndodhë katastrofa. Dhe duke mos pasur kontroll, duke i marrë fondet dhe duke i shpërdoruar në mënyrën e tyre për të vjedhur dhe për të prodhuar tenderë ku përsëri vjedhin me kompanitë e tyre, ne dalim në këtë përfundim”, tha Andi Tela për “Syri tv”.
Lini një Përgjigje