Ngjarje si shpërthimi i ndodhur disa ditë më parë në një biznes në Lezhë, i cili u dëmtua rëndë nga gazi, nuk përbëjnë raste të izoluara. Përdorimi i gazit të lëngshëm për ngrohje apo gatim vijon të mbetet një burim rreziku nëse nuk respektohen rregullat e sigurisë.
Ndryshe nga zjarret e zakonshme, incidentet e shkaktuara nga rrjedhjet e gazit përshkallëzohen në pak sekonda dhe shpesh kanë pasoja të rënda.
Eksperti i sigurisë, Shkëlqim Goxhaj, thekson rëndësinë e përdorimit të pajisjeve të sigurta dhe shmangien e praktikave të rrezikshme.
“Duhen zgjedhur bombola të sigurta. Nuk duhen të rimbushen në autogaz, pasi ato janë për makina. Dhe të vendosen në ballkone, jo në ambiente të brendshme,” shprehet ai për "TCH".
Ai paralajmëron veçanërisht për bombolat portokalli: “Ato janë bombola kampingu dhe nuk duhet të rimbushen sepse nuk ofrojnë siguri”.
Në rastin e bizneseve, depozitimi i gazit duhet të bëhet jashtë ambienteve dhe në distancë të sigurt. Gjithashtu, ajrosja e ambienteve para nisjes së punës është një hap thelbësor për të shmangur rreziqet.
Sa i përket situatave emergjente, eksperti këshillon reagim të menjëhershëm: “Nëse konstatojmë se ka rrjedhje gazi, duhet të ajrosim ambientin dhe më pas të njoftohen shërbimet e emergjencës. Për të dedektuar rrjedhjet mund të përdoren dedektorë që japin sinjal”.
Megjithatë, krahasuar me vitet e mëparshme, numri i incidenteve të shkaktuara nga gazi ka pësuar rënie, çka tregon një rritje të ndërgjegjësimit të qytetarëve për përdorimin e sigurt të tij.

Lini një Përgjigje