Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin festojnë sot Pashkët, një nga festat më të rëndësishme të besimit të krishterë. Me lutje për paqe, shëndet dhe mirësi, ata morën pjesë në meshën e shenjtë të Ngjalljes së Krishtit në kisha dhe katedrale në të gjithë vendin.
Në Tiranë, ceremonia qendrore u mbajt në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, nën drejtimin e Kryepeshkopit Joan. Besimtarët ndezën qirinj, duke marrë me vete në shtëpitë e tyre dritën simbolike të Jezu Krishtit, që sipas besimit u ringjall.
Festimet pritet të vijojnë përgjatë gjithë ditës së diel, me aktivitete dhe vizita familjare që shoqërojnë këtë festë.
Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës, konkretisht pas hënës së parë të plotë të këtij sezoni. Sipas traditës biblike, ajo simbolizon kalimin nga vdekja në jetë, duke përkujtuar kryqëzimin e Krishtit në të Premten e Madhe dhe ringjalljen e tij në të Dielën e Pashkëve.
Lini një Përgjigje