TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Prill 2026, 20:51

Radio Televizioni Shqiptar, i shpartalluar komplet!

Shkruar nga Pamfleti
Radio Televizioni Shqiptar, i shpartalluar komplet!
Godina e RTSH

Raporti vjetor i RTSH për vitin 2025 nxjerr në pah një krizë të thellë financiare dhe strukturore të transmetuesit publik, me deficit buxhetor, rritje të vazhdueshme të detyrimeve dhe mungesë të theksuar të të ardhurave. Të dhënat tregojnë se institucioni nuk ka arritur të realizojë planin financiar, duke krijuar një hendek të madh në arkëtime dhe një presion të vazhdueshëm mbi likuiditetin, ndërkohë që borxhet janë rritur dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre lidhet me kontratat për të drejtat sportive.

Radio Televizionit Shqiptar është shpartalluar komplet. Gjatë kohës që kë krye të tij ishte Alfred Peza, duket se televizioni publik është zhytur në borxhe dhe është zhdukur çdo lloj forme organizimi.

Në Kuvend ka shkuar raporti vjetor për vitin që lamë pas, por në çdo pikë të tij, drejtoresh aktuale Eni Vasili, tregon se kudo është “zi e më zi”.

Teksa kryeministri pak kohë më parë paralajmëroi se mund të mbyllet televizioni publik, situata aty është shumë e rëndë.

Dokumenti pranon se RTSH ndodhet në një fazë tranzicioni dhe rishikimi të thellë institucional, ku janë evidentuar dobësi të akumuluara ndër vite në menaxhim, planifikim dhe organizim . Edhe pse institucioni ka arritur të ruajë funksionimin bazë të shërbimit publik, raporti e bën të qartë se ky stabilitet është vetëm operacional, ndërsa qëndrueshmëria reale mbetet e pasigurt.

Analiza e brendshme në fillim të vitit 2025 evidentoi: mbivendosje funksionesh ndërmjet drejtorive; fragmentim të përgjegjësive vendimmarrëse; mungesë qartësie në zinxhirin e raportimit; planifikim të shkëputur nga prokurimi dhe financa; strukturë platforme jo të balancuar me kapacitetet reale prodhuese”, thekson raporti.

Më tej theksohet se dhe në aspektin Teknik, situate është emergjente: “Gjendja aktuale e infrastrukturës teknike është rezultat i një periudhe të gjatë investimesh të kufizuara dhe modernizimi të pjesshëm të sistemeve teknologjike. Megjithëse sistemi aktual ka garantuar vazhdimësinë e shërbimit, ai po operon gjithnjë e më shumë në kufijtë e kapaciteteve të tij. Shtyrja e investimeve nuk përbën vetëm një problem zhvillimi, por një risk të drejtpërdrejtë operacional. Nëse kjo tendencë vijon, pasojat nuk do të kufizohen vetëm në cilësinë e transmetimit, por mund të ndikojnë edhe në stabilitetin teknik të rrjetit, në sigurinë e sistemeve dhe në aftësinë e RTSHsë për të përballuar kërkesat e një mjedisi mediatik gjithnjë e më digjital dhe konkurrues”.

Në planin financiar, të dhënat janë edhe më shqetësuese. RTSH ka realizuar rreth 2.36 miliardë lekë të ardhura gjatë vitit 2025, por vetëm 86.7% të planit, duke krijuar një mungesë prej mbi 366 milionë lekësh . Në të njëjtën kohë, shpenzimet kanë arritur në rreth 2.5 miliardë lekë, duke e çuar institucionin në një deficit prej gati 140 milionë lekësh, një tregues i qartë i mungesës së balancës financiare.

Ky deficit nuk është episodik, por pasojë e një modeli financiar të cilësuar si i brishtë nga vetë raporti. RTSH mbështetet kryesisht në tarifën e aparatit televiziv dhe në financimin nga buxheti i shtetit, ndërsa të ardhurat nga aktivitetet tregtare mbeten minimale dhe me ndikim të kufizuar në likuiditet . Kjo varësi e lartë nga burime të kufizuara e bën institucionin të paqëndrueshëm në afatgjatë.

Problemet thellohen edhe më tej nga rritja e vazhdueshme e detyrimeve. Gjatë vitit 2025, borxhet janë rritur me mbi 10% krahasuar me vitin pararendës, ndërsa të ardhurat mujore nuk kanë qenë të mjaftueshme për të përballuar shlyerjen e tyre . Vetë raporti pranon se RTSH nuk ka pasur likuiditet të mjaftueshëm për të përmbushur detyrimet financiare në kohë, duke krijuar një presion të vazhdueshëm mbi funksionimin e institucionit.

Një nga problemet më të mëdha lidhet me strukturën e këtyre detyrimeve. Pjesa më e madhe e borxhit është përqendruar te të drejtat sportive, që zënë rreth 62% të totalit, një nivel që tregon për angazhime financiare të larta pa një bazë të qëndrueshme të ardhurash për t’i mbuluar . Këto kontrata janë lidhur me pritshmëri për rritje të të ardhurave që nuk janë realizuar.

Përveç detyrimeve operative, RTSH mbart edhe një barrë të rëndë financiare afatgjatë, ku vetëm detyrimi ndaj Ministrisë së Financave për procesin e digjitalizimit arrin në rreth 1.75 miliardë lekë . Kjo e rëndon më tej situatën financiare dhe kufizon hapësirat për investime.

Dhe pikërisht investimet janë një tjetër pikë kritike. Sipas raportit, investimet kapitale janë realizuar vetëm në masën 26% të planit, ndërsa disa projekte për pajisje teknologjike janë anuluar ose shtyrë . Kjo do të thotë se infrastruktura mbetet e amortizuar dhe procesi i digjitalizimit ecën me ritme të ngadalta, duke penguar modernizimin e institucionit.

Në aspektin organizativ dhe editorial, situata paraqitet po aq problematike. Raporti evidenton mungesë të theksuar kapacitetesh në disa struktura kyçe. Një shembull konkret është kanali RTSH Kuvend, i cili operon me një strukturë minimale, vetëm me një redaktor dhe një gazetare, duke e bërë të pamundur ndërtimin e një programacioni të mirëfilltë dhe analitik . Vetë dokumenti pranon se mungesa e stafit dhe strukturës editoriale e kufizon ndjeshëm cilësinë e përmbajtjes dhe përmbushjen e misionit publik.

Borxhet e RTSH

Nga analiza krahasuese e detyrimeve të pritshme për arkëtim rezulton se gjatë vitit 2025 evidentohet një rritje e nivelit të detyrimeve. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, detyrimet janë rritur me rreth 10.3%, ndërsa krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 evidentohet një rritje prej rreth 3.6%.

Rritja e detyrimeve gjatë gjysmës së parë të vitit lidhet kryesisht me:

• nivelin më të ulët të të ardhurave të realizuara në raport me planifikimin;

• rritjen e detyrimeve për blerjen e të drejtave sportive;

• detyrimet e mbartura nga periudhat e mëparshme.

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025 janë ndërmarrë masa për stabilizimin e situatës financiare dhe reduktimin e detyrimeve të mbartura. Si rezultat, në datën 31.12.2025 niveli i detyrimeve rezulton rreth 9 milion lekë më i ulët krahasuar me nivelin e regjistruar në 30.06.2025, duke reflektuar përpjekjet për likuidimin e detyrimeve kontraktore gjatë vitit.

Megjithatë, niveli aktual i arkëtimeve mujore nuk ka qenë i mjaftueshëm për të mundësuar shlyerjen e plotë të detyrimeve të prapambetura.

Struktura e detyrimeve

Analiza e strukturës së detyrimeve tregon një përqendrim të lartë të tyre në kategorinë e të drejtave sportive.

• Detyrimet për të drejtat sportive përbëjnë rreth 62% të totalit të detyrimeve të institucionit.

• Vetëm detyrimet ndaj FSHF dhe UEFA përbëjnë rreth 59% të detyrimeve ndaj furnitorëve.

Ky nivel i lartë i detyrimeve lidhet me kontraktimin e të drejtave sportive me kosto të konsiderueshme, të cilat janë planifikuar të mbulohen kryesisht nga rritja e të ardhurave nga tarifa e aparatit televiziv ose nga financimi shtesë buxhetor.

Diferencat në arkëtime (Cash)

Në përmbledhje të analizës së realizimit të të ardhurave dhe arkëtimeve gjatë vitit 2025, RTSH e mbyll vitin me një diferencë në arkëtime në vlerën rreth 394.8 milion lekë, e cila përbëhet nga:

• 214.9 milion lekë mungesë nga të ardhurat e tarifës së aparatit televiziv;

• 87.9 milion lekë mungesë nga të ardhurat e vetë institucionit;

• 41 milion lekë detyrime të papaguara që duhej të arkëtoheshin gjatë vitit.

Këto diferenca kanë ndikuar drejtpërdrejt në nivelin e likuiditetit të institucionit dhe në aftësinë për të përballuar në kohë detyrimet financiare.

Detyrime financiare afatgjata

RTSH mbart gjithashtu detyrime financiare të mëparshme që lidhen me procesin e digjitalizimit të transmetimit. Detyrimi ndaj Ministrisë së Financave për kredinë e marrë në kuadër të këtij procesi është në vlerën 1,754,457,057 lekë (18,035,126 euro). Detyrimi ndaj Deutsche Bank është shlyer plotësisht gjatë vitit 2024.

Detyrime kontraktore dhe gjyqësore

Përveç detyrimeve financiare të sipërpërmendura, RTSH mbart edhe detyrime të tjera që lidhen me:

• projekte programore dhe artistike të periudhës maj–qershor 2025, në vlerën rreth 30 milion lekë;

• detyrime që rrjedhin nga procese gjyqësore të fituara nga ish-punonjës të institucionit;

• detyrime kontraktore ndaj furnitorëve dhe partnerëve të ndryshëm.

Vlerësimi i përgjithshëm i situatës financiare

Në kushtet kur RTSH përballet me rritje të vazhdueshme të kostove operative, veçanërisht për:

• fondin e pagave,

• projekte programore,

• blerjen e të drejtave sportive,

mosrealizimi i plotë i të ardhurave të planifikuara ka krijuar vështirësi në menaxhimin e likuiditetit dhe në përmbushjen në kohë të detyrimeve financiare.

Mbështetja e buxhetit të shtetit gjatë vitit 2025 ka qenë një faktor i rëndësishëm stabilizues, veçanërisht për financimin e rritjes së pagave të punonjësve.

Megjithatë, qëndrueshmëria financiare e institucionit mbetet e ndikuar nga dy elementë strukturorë:

• tarifa e aparatit televiziv, e cila mbetet në nivelin 1200 lekë/vit dhe nuk është rishikuar që nga viti 2011;

• përqindja e mbajtur nga OSHEE për arkëtimin e tarifës, aktualisht 10%, ndërkohë që RTSH ka kërkuar vazhdimisht uljen e saj në 2%.

Gjatë vitit 2025, pavarësisht kërkesave të argumentuara të RTSH për rritje të financimit buxhetor, nga Ministria e Financave është miratuar vetëm një shtesë financimi për njehësimin e pagave të orkestrantëve të RTSH me pagat e orkestrantëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, me efekt nga muaji tetor 2025. /Pamfleti

rtsh krize financa

2 Komente

  1. E
    Erti

    RTSH nje plage kancerogjene qe sa vjen e perhapet Nje miniere Ari per gjithe keta parazite qe kane Vjedhur dhe ende vjedhin taksat tona perse na duhet Sot ka humbur çdo funksion eshte perdorur nga politika si majtas dhe djathtas ka mbi 3 mije punonjes vetem 1 /3 vete ne pune Eshte kthyer ne nje televizion qe nuk e shikon askush i paguaj takse keti televizioni po ben mbi 5 vite qe nuk e shikoj kete televizion perse duhet te paguajme me detyrim taksa per kete Televizion ? Beni nje investigim sa punonjes ka dhe sa vene ne pune ? Do tronditeni

    1. K
      Keti

      Me kete raport kaq te zi ndoshta eshte momenti qe te mbyllet. Te shkojne stafi i reduktuar i patronazhistave ne kinostudio te atelieja meqe e kane bere gati. Te mbajne sinjalin hapur sepse e kerkon BE. Dhe te ndertohen kullat nga ndertuesit e ndershem te kryeministrit ne truallin e RTSH.

      Lini një Përgjigje